Rikthimi i Christopher Hill në Beograd nënkupton sfidë për Serbinë

Kthimi i mundshëm i diplomatit veteran amerikan në Ballkan nënkupton fundin e një marrëdhënieje të lehtë për Serbinë me Uashingtonin – dhe fillimin e një presioni të vazhdueshëm për t’u distancuar nga Moska dhe Pekini.

Në qendër të vëmendjes së publikut vendas dhe ndërkombëtar është vendosur Christopher Hill, i cili është propozuar si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Serbi.

Si një nga diplomatët amerikan me më shumë përvojë, ardhja e mundshme në Beograd e 69-vjeçarit do të ndikojë në dinamikën politike në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor.

Emërimi i tij po analizohet me kujdes në Moskë dhe Pekin, diçka aspak e çuditshme duke pasur parasysh se karriera e tij e gjatë përfshinte asistimin e negociatave për të ndalur luftërat në Jugosllavi në vitet 1990, negociatat për çarmatim me Korenë e Veriut, kohën e kaluar në Irak dhe, në fund, kthimin atje ku ai filloi karrierën e tij dekada më parë në Beograd.

Ambasadori aktual i SHBA-së në Beograd, Anthony F. Godfrey e ka ndërtuar imazhin e tij kryesisht si një adhurues i ushqimit serb, duke u përpjekur qartazi të zbusë imazhin e keq të SHBA-së në Serbi lidhur me politikën e saj ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve 1990.

Ardhja e mundshme e Hill në Beograd nga ana tjetër ka risjell në mendje tashmë kujtime të aktiviteteve të tij diplomatike me të ndjerin Richard Holbrooke në vitet 1990.

Administrata e Joe Biden ka treguar se dëshiron një lloj tjetër ambasadori, i cili e njeh terrenin dhe ka besim personal te presidenti, të cilit ai mund t’i referohet drejtpërdrejt.

Gjatë dy viteve të fundit, administrata amerikane ka ndjekur një qëndrim relativisht të butë dhe pothuajse jokritik ndaj Serbisë, kështu që ndryshimi i ambasadorëve sigurisht që do të ndryshojë politikën amerikane ndaj Serbisë dhe rajonit.

Synimi diplomatik i Hill do të jetë të ushtrojë presion mbi presidentin Aleksandër Vuçiç për çështjet kyçe me interes për SHBA-në.

Lajmi për propozimin e tij vjen në një kohë forcimi të shpejtë të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kinës, lojtari më aktiv i politikës së jashtme në Serbi që nga fillimi i pandemisë.

Përveç marrëdhënieve të pazgjidhura midis Serbisë dhe Kosovës dhe krizës politike për separatizmin serb në Bosnje dhe Hercegovinë, rritja e ndikimeve anti-perëndimore në Serbi mund të ketë qenë një arsye për aktivizimin e një specialisti diplomatik si Hill.

Autoritetet e Serbisë mund ta shikojnë pozitivisht dhe negativisht emërimin e Hill: ata mund të jenë të kënaqur që Serbia është përsëri në fokusin e administratës amerikane, veçanërisht kur bëhet fjalë për investimet e kompanive amerikane të teknologjisë; nga ana tjetër, një fokus më i madh do të pasohet me presion të ushtruar ndaj Serbisë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura politike që presidenti Vuçiç ka premtuar prej vitesh se do t’i zgjidhë.

Fakti që Serbia do të jetë nën vëzhgimin e SHBA-së do të ndikojë në politikën e brendshme serbe. SHBA-ja nuk do të punojë në kanalizimin e investimeve në Serbi, nëse nuk përmirësohet mjedisi i biznesit, që do të thotë reforma serioze në sundimin e ligjit.

Nëse Vuçiç përmbush disa nga premtimet e tij të mëparshme nën presionin e Amerikës, kjo mund të dëmtojë popullaritetin e tij në Serbi. Opozita serbe, nga ana tjetër, mund ta shohë më pozitivisht ardhjen e Hill në Beograd. Ata do të kenë përfitime politike, nëse amerikanët ushtrojnë presion mbi Vuçiçin.

Disa ditë më parë, Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë i Senatit Amerikan mbajti një seancë dëgjimore për nominimin e Hill, që është një hap përpara se Senati të konfirmojë ose refuzojë kandidimin e tij. Kjo seancë ishte një mundësi për të dëgjuar pikëpamjet e ambasadorit të propozuar i cili do të udhëheqë një politikë të rifreskuar të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.

Një nga deklaratat kryesore të politikës së jashtme të bëra nga Hill ka të bëjë me pozicionimin e ri të SHBA-së në Serbi dhe rajon, i cili duhet të tregojë se SHBA-ja ofron një model më të mirë se Rusia apo Kina.

Shqetësime të forta kishin të bënin me prokurimin ushtarak nga Rusia dhe aktivitetin në rritje të Kinës në Serbi për sa i përket projekteve të infrastrukturës.

Vitet e fundit, Kina ka forcuar praninë e saj në Serbi përmes projekteve të shumta infrastrukturore, projekteve të mbikëqyrjes me video dhe bashkëpunimit të sigurisë. Marrëveshja për prodhimin e vaksinave kineze në Serbi është vetëm projekti i fundit i përbashkët i autoriteteve serbe dhe kineze.

Serbia, në fakt, ka treguar se si mungesa e interesit e një fuqie botërore i hap një mundësi të tjerëve për të forcuar ndikimin e tyre. Kjo mund të shpjegojë gjithashtu dëshirën e papritur të SHBA-së për të luajtur një rol më aktiv në rajon.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin forcimin e ndikimit rus në Beograd. Serbia po blen pajisje ushtarake dhe kjo është e nevojshme, por ajo është e shqetësuar se po siguron armë nga Rusia. Gjithashtu, për të plotësuar nevojat e mëdha infrastrukturore, Serbia po i drejtohet Kinës. Ne duhet t’i tregojmë Serbisë se ne ofrojmë një model më të mirë, se jemi një alternativë më e mirë se Rusia dhe Kina”, tha Hill.

Deklarata e tij u përcolli një mesazh të rëndësishëm lojtarëve të tjerë kyç në Serbi se Uashingtoni do të forcojë praninë e tij për t’iu kundërvënë këtyre ndikimeve të huaja në rritje. Hill ishte i qartë për këtë, se Serbia duhet të ndërtojë rezistencë ndaj ndikimeve të dëmshme të jashtme që vijnë kryesisht nga Rusia dhe Kina.

Si shtet i pavarur, sovran, Serbia ka të drejtë dhe duhet të zhvillojë marrëdhënie të mira me palë të ndryshme, por duhet edhe të ndjekë një politikë që është në përputhje me qëllimet e saj të politikës së jashtme, theksoi ai.

Një nga këto synime është anëtarësimi në BE, i cili nuk është i mundur pa reformat e nevojshme. Reforma të tilla janë të pamundura përderisa ka një numër të madh projektesh infrastrukture dhe të tjera me Kinën që shoqërohen me mungesë transparence në punë, gjë që cenon edhe më tej sundimin e ligjit në Serbi, shtoi ai.

Që ambasadori i ri amerikan do të fokusohet edhe në reforma e tregon edhe deklarata e tij se SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë do të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e Serbisë si një vend modern dhe i begatë evropian.

“SHBA-ja mbështet prioritetin strategjik të Serbisë, anëtarësimin e saj në BE, por Beogradi duhet të përshpejtojë reformat në mënyrë që të përmbushë standardet e BE-së”, tha ai.

Hill ia kushtoi një pjesë të fjalimit të tij edhe çështjeve rajonale në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se SHBA-ja e sheh Serbinë si një aktor kyç në stabilitetin rajonal.

I frustruar nga mungesa e progresit në dialogun Beograd-Prishtinë të udhëhequr nga BE-ja, Hill tha se ai besonte se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës do të çlironte potencialin evropian të Serbisë dhe do të forconte stabilitetin rajonal.

Ai shprehu shqetësim më të madh për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë për përpjekjet e Republikës Srpska për t’u tërhequr nga institucionet e përbashkëta dhe për veprimet liderit të Republikës Srpska dhe anëtarit serb të presidencës shtetërore, Milorad Dodik.

Hill tha se nëse ai zgjidhet ambasador, ai do t’i kërkojë Vuçiçit të ushtrojë presion mbi lidershipin e Republikës Srpska për të tërhequr pas hapat që ata kanë ndërmarrë për të ndarë gjyqësorin e Republikës Srpska dhe ushtrinë nga institucionet boshnjake. reporter.al

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.