Ilustrimi- Jeta Dobranja
Revolta feministe kundër dhunës seksuale
Institucionet, strukturat familjare dhe shoqëria kosovare e kanë lejuar dhe nxitur dhunën seksuale në nivele pandemike. Për ta luftuar, ne duhet t’i marrim institucionet dhe ta çlirojmë vetën nga besimet e rrënjosura patriarkale.
Kjo javë, ishte java e kryengritjes dhe rezistencës së vajzave dhe grave kundër dhunës
seksuale ndaj tyre. Për gjashtë ditë rresht, si asnjëherë më parë, u shpërfaq kundërshtimi dhe mllefi nga vajzat e gratë të cilat filluan t’i ndajnë përvojat e tyre nëpër hapësira publike, duke marrë formë edhe në rrugë përmes protestave.
Pas raportimeve të medieve për një sulm tronditës seksual në oborrin e një shkolle, dy protesta u mbajtën këtë javë, njëra e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe një tjetër nga nxënës të shkollës së mesme të Prishtinës. Një i tretë është planifikuar të mbahet të shtunën në Mitrovicë.
Ndërkohë, reagime të shumta në platformat e mediave sociale kanë nxitur një diskurs më të hapur shoqëror mbi temën dhunës seksuale në shkolla.
Protestuesit kërkuan më shumë përgjegjësi institucionale në luftën kundër dhunës seksuale në sistemin arsimor, me thekst të veçantë rritjen e sigurisë për nxënësit dhe punësim të psikologëve në shkolla. Thirrjet u bënë gjithashtu edhe për futjen e edukimit seksual në kurrikulat arsimore, për çka u has në kundër-narrativa të ashpra nga qarqet konservatore.
Sipas këtyre grupeve, kura ndaj rasteve të dhunës seksuale në shkolla gjendet tek edukimi fetar. Kjo si një kërkesë dhe alternativë e cila tenton që mbi status quo-në e mirëmbajtjes së raporteve shtypëse gjinore, ta vazhdojë dominimin moralist të gruas dhe vazhdimit të kontrollit të trupit të tyre nga burrat.
Gjatë kësaj jave të revoltës, mediat kanë qenë të mbushura me ngjarje e raste të dhunës seksuale, veçanërisht nga burra me pozita pushteti. Të mërkurën, një mësues u arrestua nën dyshimin për vrasjen e babait të njërit prej nxënësve të tij. BIRN kishte raportuar se mësuesi u dënua në vitin 2019 për një sulm seksual ndaj vajzës së burrit.
Dje, ish-Ministri i Shëndetësisë Numan Baliq u dënua me dy vjet burg për një sulm seksual të kryer ndaj një gruaje në vitin 2020, ndërsa ai ishte duke punuar si mjek në Pejë. Sipas gjykimit, ai nuk mund të ushtrojë punën e tij për dy vitet e ardhshme.
Sidoqoftë, këto raste të fundit, të bëra publike nuk duhet të kuptohen si një ‘përshkallëzim’ i dhunës seksuale ndaj grave. Këto raste veçse janë duke e treguar natyrën epidemike të abuzimit seksual ndaj grave. Vetëm përgjatë vitit 2020, 58 raste të përdhunimit u raportuan në Polici.
Abuzimet seksuale të formave të ndryshme mbesin format më të shpeshta të dhunës me bazë gjinore, të cilat përjetohen në fshehtësi nga vajzat e gratë, e mohohen e mirëmbahen nga shteti. Ajo që dëshmohet qartë nga rastet e fundit të raportuara në media është se institucionet që supozohet se mbrojnë gratë dhe vajzat nga sulmet seksuale shpesh janë vet sulmuesit.
Krahas mjekëve dhe mësuesve që u bënë të ditur këtë javë, janë identifikuar gjithashtu edhe raste të shumta që përfshijnë Policinë e Kosovës. Në prill, BIRN raportoi se një polic u arrestua nën akuzat e abuzimit seksual të një të miture. Në një debat të BIRN të transmetuar këtë javë, mësuesja Sherife Alickaj-Qerimi zbuloi se ajo pësoi ngacmim seksual nga një polic ndërsa po raportonte një sulm në tentativë ndaj një vajze 12-vjeçare.
Krahas dhunës seksuale, ngacmimi seksual është një çështje tjetër që kërkon përgjegjësi më të madhe institucionale.
Gjithsej 48 raste të ngacmimeve seksuale u raportuan në vitin 2020. Megjithatë përhapja e ngacmimit seksual është dukshëm më e shprehur po për shkak të fajit të viktimave, stigmatizimit dhe mosbesimit ndaj strukturave shtetërore, gratë kanë tendencë të mos e raportojnë atë. Të rralla janë rastet kur ka dënime për sulme seksuale, e jo-ekzistente janë dënimet për ngacmime seksuale në gjykatat vendore. Kjo për shkak të patriarkalitetit e institucioneve të paternalizuara.
Janë pikërisht këto institucione, ato që kanë lejuar që sulmet seksuale të bëhen fenomen në Kosovë. Andaj, ne duhet ta kthejmë vëmendjen tek sjelljet e burrave dhe djemve si brenda ashtu edhe jashtë shtëpive tona dhe t’i sfidojmë ato. Gjithmonë duke pasur parasysh edhe faktorët strukturorë që krijojnë përdhunuesit.
Në shoqërinë patriarkale kosovare, djemtë rriten me idetë që vajzat janë në shërbim të dëshirave të tyre. E vajzat rriten të reduktuara në trupin e tyre, gjithmonë në shërbim të djemve. Kështu thotë diktati shoqëror.
Në këtë kontekst, dhuna seksuale është një nga format kryesore të shtypjes së grave. Ajo është përvoja e tmerri i pjesës dërrmuese të vajzave e grave, të cilat rriten me frikën që trupi i tyre është lehtë i dhunueshëm, duke qenë cak i sundimit dhe përmbushjes së kënaqësisë së burrave.
Andaj, ajo që është e nevojshme si përgjigje është riedukimi në një nivel shoqëror, me një fokus në emancipimin nga rolet e ngulitura gjinore.
Të gjitha institucionet, duke filluar nga familja, shoqëria dhe institucionet po prodhojnë ngacmues dhe përdhunues. Andaj dhe rezistenca feministe duhet të përqendrohet në ndërhyrjet që i ndryshojnë rrënjësisht këto institucione dhe për t’i parandaluar ato nga riprodhimi i roleve shtypëse gjinore.
Mungesa e edukimit mbi trupin, seksualitetin dhe të drejtat mbi to, janë mjete përmes së cilit mbahet dominimi maskulinist. Mitet dhe stereotipet që i rrethojnë trupat e grave janë ndërtuar për t’i shërbyer shfrytëzimit të tyre ç’njerëzor nga burrat. Këto ide dhe praktika duhet përgënjeshtruar dhe sulmuar.
Përfundimisht, rastet e fundit të bëra publike veç sa treguan se sa të pasigurta janë shkollat të ndërtuara mbi vlera patriarkale. Këto po tregojnë se shëndeti dhe siguria e vajzave janë çështje e sigurisë publike dhe çështje thellësisht politike.
Andaj, kjo revoltë kolektive përveç artikulimit të mllefit të vajzave dhe grave anembanë Kosovës, pashmangshmërisht është duke e masovizuar diskutimin mbi trupat e grave dhe vajzave dhe seksualitetin i cili shtypet në kushtet e patriarkalitetit, për ta çliruar nga kurthi i moralizimit, kontrollit e abuzimit nga burrat patriarkalë. E gjithë kjo është duke e afirmuar një lëvizje të re kundrejt dhunës seksuale dhe është duke treguar që çlirimi nga dhuna nuk mund të ndodhë pa një emancipim seksual kolektiv, i cili mund të bëhet vetëm në terma feminist.\
Liridona Sijarina është aktiviste feministe e cila angazhohet në avancimin e drejtësisë shoqërore dhe barazisë gjinore në Kosovë. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Shkencën Politike pranë Universitetit të Prishtinës. Aktualisht, punon në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore si Menaxhere e Projektit.
Opinionet e shprehura në artikull nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it
Artikulli është publikuar fillimisht në gjuhën angleze në PrishtinaInsight