Revista Time: Gratë e Iranit - Heroinat e vitit 2022

Në dimrin e vitit 2017, gruaja e re e quajtur Vida Movahed hipi mbi një kuti druri duke e improvizuar një lloj bine në Rrugën e Revolucionit, një arterie e zënë në qendër të Teheranit, duke e valvitur shaminë e saj të bardhë të kapur në një copë shkopi. Ky veprim ishte jashtëzakonisht paqësor si një akt mospajtimi, duke shfaqur pamjen e një flamuri të bardhë dorëzimi. Megjithatë, duke mos e veshur hixhabin e saj, Movahed po i sfidonte kodet e veshjes së sistemit. Mohave ëndroi aty për një orë derisa u arrestua për shkelje të ligjit. Pamjet e aktit të saj të heshtur dhe të guximshëm u përhapën në Instagram. Një muaj më vonë, një studente e diplomuar e quajtur Narges Hosseini bëri të njëjtin akt sfidues në të njëjtën rrugë. Së shpejti, më shumë gra nisën protesta të ngjashme dhe lëvizja e tyre mori emrin ku filloi gjithçka: #TheGirlsofRevolutionStreet.

Kur jetoja në Teheran në fillim të të 20-ave, duke shkruar një rubrikë të TIME të quajtur “Lipstick Xhihad”, ne i shpërfillnim rregullat duke veshur ngjyra të shkëlqyera dhe pardesy më të ngushta e më të shkurtra, duke u kundërvënë të zezës së zymtë dhe ngjyrës marine të kodeve zyrtare të veshjes dhe duke sjellë njëfarë individualiteti brenda limiteve të një veshjeje që kishte për qëllim ta fshinte dallueshmërinë. Ishte një mënyrë për të refuzuar të qenit një qytetar islamik model, për t’i treguar shtetit se plani i tij kishte dështuar dhe se ne refuzuam vizionin e tij konservator për gratë si gra dhe nëna të përgjegjshme. Ishin Millennialët ata që nxitën demonstratat e Vajzave të Rrugës së Revolucionit në fund të viteve 2010, duke lënë lule në pikat që kishin qenë vende proteste dhe duke i treguar brezit të ardhshëm se sa fort mosbindja civile mund ta sfidonte pabarazinë.

Këto gra më të reja tani janë në rrugë. Lëvizja që ato udhëheqin është një lëvizje më e arsimuar, liberale, laike, e ngritur mbi pritshmëri më të larta dhe e dëshpëruar për normalitet: universitet dhe udhëtime të huaja, punë të denjë, sundim i ligjit, qasje në Apple Store, një rol kuptimplotë në politikë, liri për të thënë dhe veshur çfarëdoqoftë. Ato janë krejtësisht të ndryshme nga ato që ishin para tyre; ndonjëherë ato ndjehen më shumë si gjenerata transnacionale iranianë Gen Z: ato janë vegane, ato i deislamizojnë emrat e tyre dhe nuk duan fëmijë. Shpesh kam pyetur veten se çfarë i ka bërë ato kaq rebele, sepse karakteri i tyre i egër ishte i qartë përpara se 22-vjeçarja Mahsa (Jina) Amini, e arrestuar në një stacion metroje nga policia e moralit që zbaton kodin e veshjes, të vdiste pasi u mbajt në paraburgimin e tyre më 16 shtator, për ta shkaktuar pastaj kryengritjen më të qëndrueshme në historinë 43-vjeçare të Republikës Islamike. Mosha mesatare e protestuesve të arrestuar është dukshëm e ulët—zyrtarët iranianë e vlerësojnë deri në 15 vjeç. Mund të konkludoj vetëm se kur aspiratat e një gjenerate për liri duken në mënyrë mashtruese të arritshme, aq më poshtëruese duken kufizimet e mbetura dhe aq më pak e frikshme shtrirja përfundimtare e ndjeshmërisë për rezistencë.

Në dy ose tre vitet e fundit, gratë e reja në fakt e kanë anuluar hixhabin e detyrueshëm. U befasova shumë gjatë një raundi vizitash burokratike në zyrat e qeverisë verën e kaluar nga fakti se sa rastësisht dhe lirshëm gratë e reja visheshin edhe në këto pozita zyrtare tradicionalisht të ashpra. Ndihesha qesharake me një mantel të gjatë të zi dhe një shami marine, sikur të isha një turiste që do t’i lexoja të gjithë librat e gabuar të udhëtimit. U befasova kur një i afërm më tha se kishte marrë aq shumë gjoba për ngasjen e automjetit pa shami, saqë patenta e shoferit do t’i pezullohej. U detyrua ta ndiqte një leksion masiv, ekuivalent i shkollës morale të trafikut, dhe pasi premtoi se do t’i respektonte rregullat, gjobat e saj u anuluan.

Shteti e di prej disa kohësh se është në disavantazh me kodet e veshjes dhe është dukshëm i trembur. Dimrin e kaluar, në vend të tabelave të zakonshme të zymta të një gruaje të devotshme me një *chādor të zi me disa mesazhe akute për modestinë, mbi autostradën e Modarresit në Teheran u ngrit një imazh panoramik i një gruaje me një hixhab minimalist sportiv duke vrapuar në një mal, me fjalët “hartojeni rrugën. #gjeni veten”.

Deri në kohën sa po shkruhet ky artikull shkrimi shkrim, rreth 400 protestues iranianë janë vrarë nga forcat e sigurisë, megjithëse disa grupe të të drejtave të njeriut e japin një shifër më të lartë dhe autoritetet gjyqësore po kërkojnë dënime të ashpra për disa nga të arrestuarit. Pavarësisht masave për bllokimin e internetit, raportet vazhdojnë të dalin në sipërfaqe për vdekje dhe abuzime në godinat e paraburgimit. Pas gati tre muajsh, protestat në kampuset e kolegjeve nuk po ndalen, me studentët që kërkojnë lirimin e shokëve të paraburgosur dhe duke i sfiduar rregullat e ndarjes gjinore në sheshe dhe klasa. Gjatë Botërorit të futbollit në Katar, ekipi i Iranit heshti gjatë himnit kombëtar, duke dhënë sinjale për solidaritetin e tyre me protestuesit.

Përballja me hixhabin e detyrueshëm është një mënyrë kaq e i zhdërvjellët për t’i refuzuar dështimet me shumicë të sistemit të Iranit, saqë shpesh pyes veten pse gjenerata ime nuk e mori të njëjtën rrugë. Ne u gjendëm në mes të betejave të pafitueshme për të drejtat e barabarta të martesës dhe trashëgimisë, dhe forma të tjera të diskriminimit ligjor që na kërkonin të vepronim brenda hapësirave formale politike, përmes proceseve formale. Këto ishin padyshim sfida më të rëndësishme, por shteti nuk kishte ndërmend të lejonte reforma të tilla dhe me kalimin e kohës, aktivistët u bllokuan aq shumë saqë hoqën dorë. Hapësira thjesht nuk ekzistonte. Nuk ekzistonte për feministët dhe së shpejti nuk ekzistonte për sektorin privat që kërkonte reforma rregullatore, për ambientalistët dhe për aktivistët e punës. Ajo që po ndodh në Iran mund të duket e njohur, por është ndryshe, sepse, sot, aspiratat e të gjithë atyre që kanë kërkuar ndryshim janë të shfaqura, që sillen rreth thirrjeve “grua, jetë, liri”, një revoltë feministe që mbart larminë e një shoqërie të tërë padrejtësish.

Është e qartë se edhe vajzat e shkollës janë përfshirë në këto protesta. Vajza e një të afërmi më tha se çdo ditë në klasën e saj të klasës së tetë dikush e shkruan një këngë në dërrasën e zezë, madje një vajzë kishte guximin të pyeste se ç’kuptim kishte fjala diktator. Këto fjalë nuk janë të parëndësishme për to. Ato janë të gjithë në Snapchat dhe mund ta shikojnë jetën e kushërinjve të tyre anembanë botës, të vetëdijshëm se janë të vetmet që duhet të veshin një uniformë shkolle që përfshin një shami me kapelë, sikur të ishin murgesha benediktine.

Kontrasti midis jetëve që ato bëjnë, veçanërisht në internet, dhe pamjeve të trashëguara dhe mesazheve ideologjike të Republikës Islamike nuk mund të jetë më i ashpër. Regjimi është i përkushtuar ndaj dëshmorëve. Portrete solemne të ushtarëve të humbur në luftën Iran-Irak ende shihen nëpër autostrada, megjithëse viteve të fundit sistemi (siç i referohen iranianët qeverisë së tyre mbështjellëse) e ka rishfaqur propagandën e tij në përmbajtje që përpiqet të jetë konkurruese në Instagram. Mirëpo, këto mëri historike dhe kujtime traumatike nuk kanë një ndikim të veçantë tek të rinjtë e Gjeneratës Z, të cilët janë të preokupuar me betejat e tyre: vite të tëra të shtypjes së sanksioneve të SHBA-së që e kanë shkatërruar ekonominë e Iranit dhe të navigimit të jetës nën një sistem të paralizuar, dogmatik që preferon izolimin ekonomik dhe hapjen sociale.

Ndër arsyet e shumta që rebelimi ka zgjatur kaq gjatë është përgjigja belbëzuese e një qeverie që e njeh vlefshmërinë e ankesës. Ka elita të vjetra revolucionare që kanë paralajmëruar për një sistem që e ka humbur plotësisht rrugën e tij, nuk mund të përballojë më ta subvencionojë bazën e tij tradicionale shoqërore, i ka tjetërsuar të gjithë të tjerët, duke përfshirë fetarët, dhe e ka nënshtruar mirëqenien e qytetarëve të tij në nocion të sigurisë. Një analist i jashtëm mund ta shohë një regjim të formësuar nga dekada të izolimit ndërkombëtar. Një analist iranian mund të shohë një sistem të ngushtë dhe të brishtë të dëshpëruar për ta kapur pushtetin me çdo kusht. Një vajzë adoleshente iraniane e sheh veten vetëm si fëmijën fatkeq të një shteti gjithnjë e më të varfër, të shkëputur nga bota ekonomikisht, shoqërisht dhe kulturalisht, dhe për çfarë? Në emër të kujt?

Çfarë janë të gatshëm të vuajnë iranianët në mënyrë që të realizohen kërkesat e tyre për ndryshime esenciale? Çështja do të zgjidhet nga vetë iranianët, ata brenda vendit që do të jetojnë me rezultatin e veprimeve të tyre. Tani për tani, jehona rajonale dhe më e gjerë e revoltës së vajzave iraniane nuk mund të ishte më drithëruese. Në Irakun dhe Afganistanin fqinj, vende këto ku dhuna ndaj grave është endemike, aktivistët kanë mbajtur postera të motrave të tyre iraniane. Feministët anembanë globit, veçanërisht në Evropë dhe Amerikën Latine, e shohin rezultatin në Iran si një kambanë për betejat e tyre.Askush, as zyrtarët në Iran dhe as qeveritë në mbarë botën që e kanë bërë armiqësinë ndaj grave një brend politik, nuk e panë fuqinë e një vajze që qëndronte mbi një binë të improvizuar, duke kërkuar të lihej rehat./Times.com

Azadeh Moaveni, një ish-kolumnist i revistës TIME, është autor i Guest House for Young Widows

* një copë pëlhure e madhe që mbështillet rreth kokës dhe pjesës së sipërme të trupit duke e lënë të ekspozuar vetëm fytyrën, e veshur sidomos nga gratë muslimane.

Përgatiti: Nuhi Shala