Qëndresa Prapashtica - Psikologe

Replika e Izolimit

Në gjithçka që bëjmë, bile edhe në ndërmarrjet më personale dhe aventureske që mendojmë që I marrim të pavarur, mbështillemi prej rrjetës nganjëherë prej silikoni, e nganjëherë prej guri, të kontekstit ku jetojmë. Edhe farat e ndryshme, lulet e egra, edhepse gjejnë një alkimi tjetër të zhvillimit, piqen në të njëjtat kushte, në të njëjtën tokë.

Kjo është edhe e jeta e kushtëzuar e kosovarëve në koronavirus, e mbështjellë me një rrjetë të përbashkët të cilën disa e mohojmë, disa e rezistojmë e i disa i dorëzohemi. Kush e din fundja se cila zgjidhje është më e drejtë?! Përderisa bota jonë e brendshme njëherësh jeton dhe vepron, edhe në shtypje nga rrjetë dinakërish, prapë e bën të veten. A është ndoshta kjo, kulmi i lirisë individuale, të sillesh pa kushtëzime në një situatë të kushtëzuar? Cila është sjellja më e duhur?

Shtypja, që del si një fjalë e nënkuptuar në këto treva, për herë të parë ndoshta e merr një kuptim të dyfishtë, duke ia shtuar faktorëve të jashtëm edhe një të brendshëm, shtypja që ia bëjmë vetvetes. E kur disa individë sillen ngjashëm atëherë kemi të bëjmë më një sjellje grupore, të themi kolektive të praktikës së shtypjes së vetvetes. Pak nga ne, e dimë se çfarë me të vërtetë dëshirojmë, pse në fakt nuk dëshirojmë diçka, dhe pse edhe atëherë kur të tjerët na trajtojmë mirë, në mbytemi në dyshimin që s’mund të jetë e vërtetë. Dyshimi, ky tjetër përjetim koherent i natyrës njerëzore.

Në rrjetën e gjerë të peshqve të ndryshe, shtypja është një proces spontan nga situata e kufizimit fizik, si në kohët e izolimit kur njeriut i lindin dyshime të reja meqë ka kohë të hapë portat e vjetra të mendimeve, dhe dyshimi për shtypjen nga tjetri fillon të marrë një kahje të re, meqë ka kohë të hapë analiza të reja. Në një vend ku kufizimi fizik është faktik, le të themi si në Kosovë mosliberalizimi i vizave na mbanë në një rrjetë konsistente të kushteve të favorshme për t’u grindur më tepër me veten, tjetrin dhe botën. Poashtu, le të themi, kushtet e izolimit nga pandemia nga mbajnë në një rrethanë të ngjashme, veçse ne, populli më i shtypur i Europës, edhe e kemi edhe s’e kemi të lehtë të ri-adaptohemi me kushtet e izolimit.

Kjo është sikur një të ish të burgosuri t’i thuash do të rrish edhe “kaq ditë” në izolim, kjo edhe e liron edhe e frustron njëkohësisht idenë e tij/saj të lirisë së afërt dhe dënimit edhe më të afërt. Kjo e shpjegon deri diku edhe natyrën konfilktuoze qeveritare në Kosovë, që e përcjellin edhe vet rrjetën e gjatë të shtypjes, dyshimit dhe izolimit. Si në raste të rralla, pandemia dhe kushtet e izolimit e nxitën në Kosovë kujtimin e tmerreve të viteve të luftës së fundit, me kushtet dhe “aromën e njëjtë” të izolimit.

Kjo është një shenjë ë jetës aktive të traumave kolektive të cilat me të drejtë i kemi, dhe me të drejtë duhet t’iu gjejmë rehabilitim. Këtu e kemi në fund të fundit një reagim të përsëritur, të “izolimit-shtypjes-dyshimit”, qysh ndoshta e kemi reagimin shkencërisht të konfirmuar të “fight, flight, freeze or fright” në kushtet e ballafaqimit me një stresor të jashtëm.

Kosova ndoshta deri në një masë shfaq reagime me sistemin limbik, i cili reagon para se qendrat e të menduarit ta marrin fjalën, thjeshtë sepse për një kohë të gjatë ia kanë mbajtur rrethanat e mbajtëses të shtypur butonin e emergjencës. Por, si në çdo sistem tjetër të gjallë, njeriu e bën një gabim në të menduar kur identifikohet me këtë duke menduar që është gatuar si i tillë me frazën dëshpërimisht afirmative: “na k`shtu jem’, duke harruar ndoshta që për çdo sjellje ka shpjegim edhepse për momentin ne mund të mos e njohim atë shpjegim të sjelljes.

Për që ne nuk jemi kështu është i vet shpjegueshëm fakti që ky reagim është universal në të gjithë njerëzit e shtypur me kohën, gjeneratë e reja në Kosovë e mbajnë deri diku një formë të ndryshme të reagimit, por fara e ushqyerjes me zigjirin shtypje-izolim-dyshim po mbjellët ende, në kushtet e një rrjete të përbashkët.

Ne jetojmë në një kohë me kushte të favorshme për ta rizbuluar dhe rinjohur veten poashtu. Ndonjëherë dyshimi është mjeti i duhur për të arritur në përgjigje të reja, shtypja eksperienca e nevojshme për të kuptuar peshën dhe luftën për liri (edhe individuale) dhe izolimi një mundësi për të punuar me vetveten dhe për të reflektuar për atë që do ta bëjmë nesër, apo edhe sot pasdite.

Mbijetesa jonë si popull e pret rrëfimin fisnik të një ngritje kulturore të një trashëgimie të lashtë, e ndërlidhur në botën moderne si një ritëm i ri në muzikën e botës.
Në rrjetën e gjerë që na mbështjellë ekziston një liri e zgjedhjes së qëndrimit që e mbajnë kudo ku jemi dhe shpresën e arritjes së një ndikimi pozitiv, cilido qoftë ai. Një njeri në izolim edhe në kushte të pandemisë mund të jetë duke bërë njëmijë gjëra të përditshme që e rrisin kualitetin e jetës aty ku jeton. Zgjedhja është e jona.