Reflektim Për Trashëgiminë Kulturore

Në vitin 1912, Mbretëria e Serbisë i dha tri arsyetime për aneksimin e Kosovës: 1) Serbët janë autoktonë në trojet e Kosovës dhe përbënin shumicën në terme të popullatës në kohën e origjinës së Kosovës, 2) Serbët kanë të drejtë morale si njerëz më të civilizuar të sundojnë këtë tokë, dhe 3) të drejtën historike të Serbëve të kenë këtë vend në të cilin gjenden Patriarkana dhe ndërtesa të tjera me rëndësi të Kishës Ortodokse Serbe. Arsyeja e tretë është më e rëndësishmja për faktin që në njëfarë mënyre vërteton pretendimet e arsyes së parë dhe të dytë – kishat janë vetëm të serbëve andaj serbët kanë qenë popullues të kësaj toke në vitet e ndërtimit të tyre, dhe kishat dhe manastiret e mëdha e të bukura vërtetojnë nivelin e civilizimit serb, sidomos në krahasim me atë shqiptar.

Si rrjedhojë e kësaj mendësie, në vitet pas aneksimit të Kosovës nga Mbretëria Serbe, filloi kampanja e madhe e restaurimit dhe ndërtimit të kishave ortodokse serbe. Në fakt të restaurosh dhe të ndërtosh objekte fetare nuk është aspak gjë e dëmshme. Por si rrjedhojë e kësaj kampanje u bë shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, të dallosh ndërtimin e ri, prej asaj të vjetrës së restauruar. Kjo për shkak se shumë ndërtesa joekzistente u “restauruan”, vetëm sepse thuhej që aty kishe qenë njëherë një ndërtese, apo sepse në atë vend gjendej një shenjë sado e vogël që “vërtetonte” ekzistencën e një ndërtese. E gjithë kjo kampanjë kishte për detyrë të vërtetonte pretendimet e bëra në tri arsyetimet e aneksimit të Kosovës.

Kjo mendësi nuk u ndal të funksionuari as në kohën e ndërtimit të shtetit të ri socialist. Në vitin 1952 u formua Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Kosovës, që, siç tregon edhe vetë emri, kishte për detyrë të ruajë monumentet kulturore të Kosovës. Puna e këtij instituti reflektohet më së miri nga kompozimi i listës së monumenteve kulturore: 210 kisha ortodokse serbe (duke përfshire 40 kisha të ndërtuara në vitet 1930-të dhe 1990-të) dhe 15 xhami (prej më shumë se 600 xhamive, gjysma e më tepër të cilave datojnë në periudhën otomane). Pra, ato monumente që u perceptuan si trashëgimi kulturore serbe kishin kritere më të lehta të hyjnë në listën e monumenteve të mbrojtura, në krahasim me atë që u perceptuan si shqiptare. Si rrjedhojë shumë monumente kulturore u dëmtuan, u shkatërruan nga pakujdesia dhe koha, apo ranë viktimë e motos “ta shkatërrojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë.” Shembull i kësaj të fundit është çarshia e vjetër e Prishtinës, mbi të cilën sot është ndërtuar kuvendi dhe qeveria e Kosovës.

Çfarë është sot situata e trashëgimisë kulturore në Kosovën e udhëhequr nga vetë ne? E mjerë! Në rastin më të mirë monumentet rrezohen nga vjetërsia dhe mungesa e kujdesit – reflektim i pakujdesisë së institucioneve publike apo qytetareve që kanë monumentet në pronësi të tyre. Në rastin më të keq, monumentet rrëzohen për t’u ngritur ndërtesa komerciale për interesat e një grupi të vogël – reflektim i korrupsionit të ngulitur në palcë, i cili dëmton rëndë jo vetëm xhepat e qytetarëve, por edhe memorien kolektive të tyre, historinë e tyre dhe identitetin grupor të tyre.

Në fakt, shumë pak është bërë nga institucionet publike për mbrojtjen e monumenteve kulturore në Kosovë. Ligji për trashëgimi kulturore, që u aprovua nga Kuvendi në vitin 2004, obligon institucionet që të formojnë listën e monumenteve kulturore. Ajo listë nuk ekziston as sot, 8 vjet pas aprovimit të këtij ligji. Institucionet vazhdojnë të veprojnë me listën e përkohshme, qe si duket nuk është edhe aq e përkohshme. Pra, çfarë tjetër mund të thuhet kur mungon vetë baza e kësaj fushe?

Sa i përket fondeve për restaurim, shumica e tyre vijnë nga donatorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Kjo situatë është e mirë por në të njëjtën kohë edhe shqetësuese për faktin se mund të reflektojë varshmëri nga këto donacione, dhe që donacionet mund të kenë një agjendë te fshehtë tjetër prej asaj çfarë duket. Shembull i kësaj të fundit ishte rasti i restaurimit të Xhamisë së Hadumit në Gjakovë, ku donatori, një organizatë shumë e dyshimtë nga Arabia Saudite, filloi restaurimin duke shtuar elemente që xhamia nuk i kishe para dëmtimit, e duke i dëmtuar disa që i kishte. U desh ndërhyrja e disa personave me autoritet dhe institucioneve për të ndaluar këtë.

Ndërsa kategoria më qesharake dhe patetike janë politikanët. Kjo kategori shfrytëzon çdo moment të tregojë se sa shumë kontribut kanë dhënë për këtë vend, se si luftuan për liri, si po ndërtojnë rrugën e kombit, se sa patriotë janë. Shfrytëzojnë përvjetorë të ndryshëm për të mbajtur fjalime te zjarrta që apelojnë tek ndjenjat kombëtare. Mirëpo trashëgimia kulturore kurrë nuk zihet në gojë. Përkundrazi, me qëllim apo me heshtje injorante, ata po hapin rrugët për dëmtimin e saj. Rasti i fundit i shkatërrimit te Xhamisë se Zallit është ilustrimi perfekt i kësaj situate të trishtë. Ne kontekstin e situatës së përshkruar më lartë, sot ne jemi bërë armiq të vetvetes.

Dua të përfundoj, duke u sqaruar e për të mos u keqkuptuar së nacionalizimi i trashëgimisë kulturore nuk është proces që duhet të ndodhë. Trashëgimia kulturore nuk i takon vetëm një kombi, përkundrazi ajo ka vlera universale. Se paku kështu definohet sipas konventave të UNESCO-s. Ajo çfarë ka ngjarë me monumentet e perceptuara shqiptare në të kaluarën nuk duhet përsëritur. Gjithashtu, ne si shqiptarë nuk do të duhej të hakmerreshim duke shkatërruar monumente të cilat perceptohen si të kombeve të tjera, siç ndodhi në mars të vitit 2004. Përkundrazi, ne do të duhet të i ruanim me kujdes të veçantë këto monumente, sepse ato reflektojnë faza të ndryshme të historisë dhe të civilizimit të njerëzve të këtij vendi. Ato për civilizimin në këtë vend janë si fotografi të fëmijërisë së tij, e fotografitë të gjithë kemi dëshirë t’i ruajmë, që të mbajmë në mend se çfarë ishim dhe çfarë jemi tani.

Autori është hulumtues në Institutin për Studime të Avancuara GAP. Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe jo domosdo reflektojnë edhe qëndrimet e institutit ku ai është i angazhuar.