“Realitetet” Tona Bizare

Në qarqet e OJQ-ëve të Brukselit tash e sa kohë qarkullon një shaka bizare për raportin e Dick Martit dhe Kosovën. Së fundi më rastisi të dëgjoj edhe një përshkallzim të kësaj shakaje sipas së cilës me gjasë papunsia prej 45 për qind e arsyeton tregtinë njerëzore. Kur e dëgjon si shprehje nuk ka se si mos të ndihesh keq – në fund të fundit qoftë edhe si shtetas kosovar. Por e kupton stagnimin e imazhit të vendit në pikën më të padëshirueshme. Batuta të tilla tregohen shpesh edhe për rrugët dhe armët e Bosnjës apo për piraterinë e Somalisë. Ky është realiteti ynë në kryeqendrën evropiane. 

Qeveria aktuale e ka fokusuar krejt retorikën publike në legjitimitetin e shtetësisë së Kosovës dhe zyrtarët e saj shtyhen me bërryla për kapjen e njohjeve. Në këtë formë e kanë ngushtuar konceptin e shtetësisë në numër statistikor të njohjeve duke e ndarë atë me thikë prej krijimit të shtetit ligjor dhe funksionimit të një shoqërie normale. Por, përmirsimi i imazhit nuk përfundon më spote në CNN. Ato milionat e Saatchi dhe CNN i merr era kur në Kosovë të vjen Ministrja e Azilit belg për t’u mbushur mendjen dy milionë kosovarëve të ngujuar se nuk kanë pse ja mësyejnë Belgjikës. 

Kosova bashkjeton me dy ‘realitete’ paralele – goxha të ndryshëm nga njëri tjetri. Njëri realitet është katrahura e prekshme që e jeton secili kosovar i thjeshtë jashtë bunkerit të ‘elitës së xhipave’. Realiteti tjetër është ai i një grushti njerëzish që çirren brenda mitrës së izolimit për të bindur gjithkë për ‘sukseset’ dhe lulzimin e këtij shteti. Larg prej së qeni një politikë për të krijuar shtet funksional, aparatura shtetrore e ka kthyer politikë-bërjen në një masturbim masiv dhe përpjekje mjerane për fabrikimin e lajmeve të mira.

Të njëjtën gjë, që tash e 70 vite njihet si ‘menaxhimi i perceptimit’, po e bën edhe Republika Gallatë e Maqedonisë duke investuar më shumë se gjysmën e kapitalit në Aleksandrizimin e Maqedonisë dhe për të ndërtuar një hiper-realitet të bazuar në identit antik dhe tregime Abrahamike. 

Në njërën anë kemi egzistencën e prekshme të funksionimit tribal të shoqërisë që në shumë pika është në gjendjë ta kompleksojë edhe Zimbabven. Po flas për një shoqëri e cila nën funksionimin normal të rendit dhe ligjit do të kishte mbetur pa një varg kryetarë komunash. Konkretisht, prokuroria dhe institucionet tjera merren me hetime për kryetarin e Vitisë, Gjilanit, Drenasit t për akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare apo falsifikim të pasurisë. Për të mos harruar rastet monumentale të aferave korruptive të kryetarëve të Ferizajt, Kaçanikut apo ‘bosit’ të Skënderajt.  

Në këtë realitet ikonat e korrupsionit janë zëvendësministra, ndërsa Ministria e Brendshme – mbi supet e së cilës rëndon barra kryesore e rendit të përgjithshëm ka vendosur të thyej çdo rekord të skandaleve epike. Në këtë realitet policia e shtetit arreston zyrtarë të misionit të BE-së duke i ngatërruar me aktivistë të Vetëvendosjes. 

Në këtë realitet shefi i Agjencisë për Privatizim (e cila nuk e di të jetë mbajtur mend për ndonjë punë të hajrit) ndrron jetë dhe brenda 24 ore institucionet kompetente nxjerrin autopsi dhe konkludime të ndryshme sikur po flasin për patatet e Pestovës. Shefi i Agjencisë për privatizim vritet e vetëvritet në të njejtën kohë, brenda portave të fshatit idilik  të bukur, të zhvilluar dhe të suksesshëm që ne vdektarët e tjerë nuk e jetojmë. Vritet e vetëvritet në absurditetin e shoqërisë e cila prodhon vetëm varfëri, urrejtje dhe analistë të “ministrisë së propagandës”.

Në këtë realitet për kulturë dhe libër flasin injorantë të turbo-folk politikës dhe nacionalizmit. Ndërsa katrahurë e përmasave bizarre është universiteti që prodhon të diplomuar me ambicie për t’u bërë ‘Sami Lushtak-a’. 

Por njëmend ‘realiteti’ nuk është koncept kategorik. Makineria propaganduese i sheh relative statistikat, varfërinë, rrënimin e sistemit arsimor dhe katarzën në shëndetsi. Është çështje përceptimi thonë. Pra ju vendosni në cilin realitet doni të jetoni. Për dallim prej realitetit të parë, ky i dyti është empirikisht i zbrazët.

Duke mos pasur pothuajse asgjë të prekshme prej ‘suksesit’ ky realitet e mban logjikën kolektive në llogoren e herozmit të luftës, në shënimin e përvjetoreve të fitores dhe paqes, dhe në shpresat për njohje nga ‘Swazziland-at’.Trashëgiminë e luftës ky realitet e ka të vetmin sukses dhe të vetmin mburojë për të mbuluar kontaminimin e jetës së vdektarëve të Republikës së Nëntokës. Duke u mbajtur të ngujuar në herozimat e luftës dhe mirënjohjes së çlirimit e largojnë qyetatrin prej probleme reale dhe të prekshme. Sfidat e këtij realiteti janë vetëm Mitrovica dhe kthimi i veriut në problem të ngrirë për të mbajtur gjallë konlifktin konceptual. Sukses i këtij realiteti janë fotografitë me Ashton dhe Biden. Sukses janë përmendoret e çliruesve dhe paradat me Tony Blerat. 

E ju zgjedhni të jetoni ku të doni. Duke pritur paret e diasporës, duke u sorollatur për të gjetur një punë, duke paguar për regjistrim në fakultet apo për shërbim në spital. Apo duke vendosur të shihni vetëm bardh. Në fund të fundit është vetëm përceptim.