Richard Grenell - Emisar amerikan për dialogun Kosovë - Serbi

Raportet Kosovë-Serbi nuk janë çështje ekonomike, z. Ambasador!

Për sa kohë që Serbia nuk arrin të shlyej fajin e saj për krimet e dhunshme të së kaluarës së saj, ekonomitë e dy vendeve nuk do të jenë të mjaftueshme që ta shërojnë përçarjen midis shoqërisë kosovare dhe asaj serbe.

Duke i parë vizitat, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, gjatë 10 ditëve të kaluara nga zyrtarë të BE-së dhe SHBA-së, duket se fuqitë perëndimore po zgjohen nga diçka që ka ndjesinë e një gjumi të gjatë dimri sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Interesi i përtërirë nga BE dhe SHBA në lidhje me marrëdhëniet midis dy shteteve, pra Serbisë dhe Kosovës, është natyrshëm mëse i mirëpritur. Sidoqoftë, ndërkohë që vizita e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u karakterizua me një porosi për të rindërtuar “besimin” në rajon, duket se zyrtarët e lartë amerikanë ende e mbajnë një lloj injorance të rrezikshme kur bëhet fjalë për gjërat e një rëndësie më të madhe.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Serbi dhe Kosovë, Ambasadori amerikan në Gjermani si dhe tash së fundmi i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u tha Presidentëve Vuçiq dhe Thaçi se secili prej tyre duhet ta bëjë një kompromis të madh: të hiqet taska 100 përqindëshe nga Kosova dhe të ndalohet fushata e Serbisë për ç’njohjet e Kosovës.

Duke vepruar kështu, arsyetoi Grenell, do të bëhej e mundur që të dy vendet “të punojnë së bashku” dhe “të përqëndrohen në ekonomi”.

Vizita e tij u bë vetëm disa ditë pas njoftimit për mundësinë e fillimit të një linje të drejtpërdrejt fluturimi midis Beogradit dhe Prishtinës, lajm ky që u përshëndet nga të gjitha palët, ashtu siç do të duhej të ishte.

Por, le ta diskutojmë krejt këtë brenda kontekstit.

Njoftimi për një linjë të mundshme fluturimi mes Kosovës dhe Serbisë vjen pas viteve të tëra me premtime boshe nga të dy palët mbi “ndërtimin e rrugëve dhe autostradave të reja” që do të “rilidhte të dy shoqëritë”. Kanë qenë këto fjalë që, deri më tani, kurrë nuk kanë rezultuar në diçka faktike. Me këtë ide, Sh.B.A. vetëm se po miraton një dërdëllisje të politikave lokale që kanë të bëjnë me “projektet e së ardhmes” e që, në realitet, rrallë i mbijetojnë një cikli të vetëm lajmesh.

Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, Grenell gjithashtu vuri theksin tek fokusi i SHBA-së dhe Presidentit Trump në nxitjen e ekonomive të të dy vendeve, ndërkohë që ishte këmbëngulës ta “linte politikën mënjanë”.

Më vjen keq Z. Ambasador, por duke e parafrazuar vetëm pak ish-Presidentin e SHBA-së Bill Klinton do t’iu thoja: Nuk ka të bëjë me ekonominë.

Kanë kaluar vetëm 20 vjet që kur policia, ushtria dhe grupet paramilitare serbe u ndaluan që të mos i shfarosnin shqiptarët e Kosovës pas një dekade shtypjeje nën shtetin e policisë së Sllobodan Millosheviqit. Më shumë se 8,700 viktima civilë u vranë nga forcat serbe vetëm në vitet 1998 dhe 1999.

Kanë kaluar vetëm 20 vjet që kur, pothuajse një milion kosovarë, u dëbuan nga shtëpitë e tyre, të cilët u detyruan të kërkojnë strehim në vendet e tjera. Mijëra u vranë nga forcat serbe gjatë ikjes së tyre, duke lënë pas familjet e asgjësuara dhe akoma të trishtuara.

Shumë nga të mbijetuarit ende nuk i dinë vendvarrimet e më të dashurve të tyre. Falë punës heroike të Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi dhe Kosovë, tani ne jemi në dijeni për rreth 1,600 njerëz të humbur ende nga lufta e Kosovës, përfshirë të paktën 1,000 shqiptarë të Kosovës, vendndodhjen e të cilëve Serbia e mban si sekret shtetëror.

“S’ka trupa, s’ka krim”, ka shkruar një nga shefat e policisë së Serbisë, gjenerali Obrad Stevanoviç, në ditarin e tij pas takimit me Millosheviqin në maj të vitit 1999, kur seria e vrasjeve kundër popullatës civile në Kosovë ishte në nivelin më të lartë. Pothuajse, ka shumë mundësi se ka ende kufoma në varreza masive në vende të panjohura nëpër të gjithë Serbinë, apo edhe kufoma të djegura në hirin e ndonjë miniere.

 

Ekonomitë e shëndetshme nuk mund ta bllokojnë ndarjen

Përderisa eshtrat e civilëve shqiptarë mbeten ende të shpërndarë, të harruar dhe të paidentifikuar, është diçka e tmerrshme të flasim për ndonjë gjë tjetër.

Këto krime të papërshkrueshme serbe u mbështetën politikisht, financiarisht dhe logjistikisht nga regjimi i Millosheviqit. Njëzet vjet më vonë, mohimi i sponsorizuar nga vetë shteti serb për këtë krim, por dhe për krime të tjera të luftës të kryera nga forcat serbe, e dominon sferën publike në Serbi.

Fokusi në “të ardhmen”, “ekonominë” dhe “në një ribashkim midis të rinjve tanë” janë që të gjitha pika fjalimesh të njohura nga fjalimet e Presidentit Vuçiq. Vuçiq, natyrisht, nuk dëshiron të shikojë nga e kaluara. E kaluara e tij është e turpshme, ai mbetet përgjithmonë nën hijen e viteve të ’90-ta dhe kontributin që ai personalisht e ka dhënë në zbatimin e politikave gjenocidale të Millosheviçit si Ministër i tij i Informacionit.

Ajo që është më interesante ka të bëjë me atë se pse zyrtarët amerikanë tani e ndihmojnë Vuçiqin në përpjekjet e tij për të lënë mënjanë historinë e dhunshme të Serbisë, veçanërisht, marrë parasysh faktin se ambasada amerikane në Kosovë e qortoi presidentin serb muajin e kaluar vetëm atëherë kur ky e përshkroi masakrën e Reçakut si “të fabrikuar”. Kosovarët meritojnë më shumë se kaq nga përkrahësit e tyre të shpallur.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur”.

– Pse është kjo diçka e rrallë që del nga goja e politikanëve kryesorë perëndimorë?

Ata janë në dijeni, ashtu siç janë të gjithë të tjerët, për krimet që Serbia ka kryer në Kosovë. Mbi të gjitha, ishte NATO, e udhëhequr nga SHBA që me të drejtë u fut në luftë për të ndaluar vazhdimin e këtyre krimeve.

Duke i dhënë kaq shumë peshë qëndrimit të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, BE dhe SHBA po poshtërojnë miliona njerëz të prekur nga pasojat e drejtpërdrejta të luftës të cilën Serbia e drejtoi kundër shqiptarëve të Kosovës përgjatë viteve 1990. Nevoja që Serbia të refuzojë politikën e saj për të varrosur përgjegjësinë e saj për mizoritë që e hodhën tërë këtë regjion në një varfëri, pashpresë dhe urrejtje është po aq e rëndësishme tani sikurse ka qenë edhe më parë.

Asnjë “masë ekonomike” nuk mund t’i shërojë këto plagë. E hiq se hiq mbështetja e sugjeruar ekonomike neoliberale, e cila do t’i gjejë punëtorët tashmë të poshtëruar në Kosovë dhe Serbi të kyçur edhe më thellë në luftimet për përfitime të kapitalit të madh, ndërkohë që marrin paga sa për mbijetesë dhe privohen nga të drejtat themelore të punëtorëve.

Edhe nëse linjat e përmirësuara të transportit mund t`i japin mbështetje ekonomisë, duket se ka një arsye të pasinqertë mbi të cilën do të rindërtohen marrëdhëniet e prishura midis popullsive të dy vendeve. Një studim i kohëve të fundit tregoi se rreth 50 përqind e të anketuarve nga të dy popujt, serbë dhe shqiptarë, janë të mendimit se nuk ka “asnjë ngjashmëri midis shqiptarëve dhe serbëve”.

Megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj armiqësie midis dy vendeve, lidhjet ekonomike shpesh kanë qenë aty. Pretendimet e Vuçiqit se taksa 100 përqindëshe ndaj mallrave serbe e vendosur nga qeveria e Kosovës në nëntorin e vitit 2018 i kushton me humbje shtetit serb me mbi 435 milionë euro e tregon nivelin e madh tregtar ndërmjet këtyre dy vendeve.

Të parandalosh përsëritjen e historisë

Në muajin shkurt do të festohet 12 vjetori i pavarësisë së Kosovës. Ky përvjetor mund të shërbejë si një mundësi për Serbinë të respektojë viktimat, të ofrojë të paktën një kërkimfalje verbale për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave dhe të pranojë krimet e saja.

Kjo tingëllon si një propozim radikal, madje edhe utopik, por vetëm për shkak se tash e dy dekada, Serbia vazhdon të bëjë pikërisht të kundërtën, dhe për këtë ajo gëzon mbështetjen e BE dhe SHBA.

Në shkrimet e tij për holokaustin, Primo Levi ka thëne thjesht: “Ndodhi, prandaj mund të ndodhë përsëri: kjo është thelbi i asaj që duhet të themi”.

E kaluara kriminale e Serbisë duhet të njihet dhe të mos harrohet kurrë. Secili shtet agresor në histori, në një mënyrë apo tjetrën, duhet të përballet me këtë, dhe ky “fat” nuk do ta anashkalojë Serbinë, pavarësisht sa mundohemi t’i rezistojmë.

Për sa kohë nuk përballemi me fajin tonë për politikat gjenocidale dhe krimet masive të kryera kundër popullit të Kosovës, makthi do të vazhdojë ta mbajë gjallë një gjendje mohuese kolektive, një gjendje të pavërtetë, nga e cila nuk do të zgjohemi, një shtet ku koha ndalon akoma ndërkohë që individë të dyshuar politik dhe publik mbeten në pushtet.

Ajo që i mban sot Serbinë dhe Kosovën nuk është vetëm një ekonomi e dobët ose nivele të larta papunësie. Këto janë trashëgimi të luftës. Është urrejtja, frika dhe përçarja e vjetër që mbeten një pjesë e psikikës sonë kolektive.

Njëzet vjet pas Millosheviçit, është koha që shoqëria serbe të pendohet dhe përfundimisht t`i pranojë krimet e bëra nga Serbia. Pa një pranim të tillë, një Serbi vërtet demokratike dhe një rajon paqësor i Ballkanit Perëndimor do të mbetet vetëm një ëndërr e humbur. Kjo pikëpamje duhet të ndahet dhe përforcohet fuqimisht nga Perëndimi i Plotfuqishëm, përndryshe ne do të jemi të dënuar të sillemi në një lloj cikli.

Milos Ciric është shkrimtar dhe aktivist serb i të Drejtave të Njeriut.