Foto nga: Beta

Rama, Vuçiq dhe Hordhia e Intelektualëve Radikalë të Rremë të Kosovës

Vizita e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Beograd ka ngrehur një numër të madh të komentatorëve publikë dhe politikëbërësve të Kosovës, të cilët duket se ishin ofenduar nga fakti se Rama bisedoi për Kosovën me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq. Rama dhe Vuçiq folën për shumë gjëra në Beograd, por dy nga komentet e Ramës nxitën reagime të ashpra në Kosovë: (i) që Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës sa më shpejtë që është e mundur, dhe (ii) që konglomerati minerar i “Trepçës” i takon Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sado që këto komente janë ta paprecedent, reagimet e tilla të ashpra prej disa qarqeve të Kosovës ndaj një shtetari të Shqipërisë janë pjesë e dy kontradiktave të pavarura.

Njëra nga këto kontradikta përbën faktorin thelbësor të reagimeve në Kosovës, dhe që të kuptohet kjo kontradiktë, duhet të adresohet bërthama e çështjes – ajo e paternalizmit. Shumë njerëz në Kosovë ndjenë se Rama patronizoi Kosovën duke i kërkuar Serbisë ta njohë atë. Në fakt, ata që reaguan morën një pozicion radikal shumë interesant për ta mbrojtur pavarësinë e Kosovës nga Shqipëria. Këto reagime mund të kishin qenë njëherësh autentike dhe të justifikuara, por nuk ishin fare.

Papritmas, shtetistët anti-radikalë u bënë shtetistë radikalë. Kjo është interesante sepse, së paku bazuar në një vrojtim të përgjithshëm, e gjithë brigada anti-Vetëvendosje ndër komentatorët publikë dhe politikëbërësit e Kosovës, befas filluan të dukeshin si një version i tyre i Vetëvedosjes. Por, ata u shndërruan në Vetëvendosje në një mënyrë interesante, me fjalë tjera, u bënë faqja e kundërt e monedhës së Vetëvendosjes. Përderisa radikalizmi i Vetëvendosjes kundër ndërveprimeve apo patronizimi i Kosovës nga ana e Serbisë janë kritikuar vazhdimisht nga rryma qendrore (Evropianistët, mbështetësit e Perëndimit, liberalët, e të tjerë), këta të fundit papritur përvetësuan modelin radikal të Vetëvendosjes kundër patronizimit nga ana e Shqipërisë. Kur Vuçiq (në mënyrë më të implikuar) dhe Kisha Ortodokse Serbe (më shpesh dhe më hapur) u rikujtojnë kosovarëve se Serbia jo vetëm do ta kundërshtojë njohjen e Kosovës, por në rrethanat “e duhura” do e rimarrë me forcë – ata që gjenden në rrjedhën qendrore mbështesin, sipas tyre, një qëndrim Evropianist, Perëndimor dhe liberal duke mos u ndier të turpëruar nga patronizimi i Serbisë – përfshirë rastet kur ajo kanoset me përdorimin e forcës. Sepse një gjë e tillë përfaqëson një evropian të vërtetë, bazuar në një kuptimësi të çuditshme të të qenit evropian. Sidoqoftë, kur Rama i flet Serbisë për Kosovën, sado që ajo mbetet brenda kufijve të retorikës së thjeshtë, Evropianistët e rrymës qendrore në Kosovë bëhen shtetistë radikalë, dhe valvojnë bajrakun radikal të mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës.

Një mënyrë për të përmbledhur mungesën e origjinalitetit nga mbrojtësit radikalë të pavarësisë së Kosovës, është ta kontekstualizojmë atë shkurtimisht. Rama kërkon nga Serbia ta njohë Kosovën, pra Kosova patronizohet nga Rama. Merkel i kërkon Serbisë ta njohë Kosovën, pra Gjermania e do Kosovën. Serbia i kërkon botës mos ta njohë Kosovën, dhe kërcënon ta rrëmbejë me forcë, pra Serbia është një partner me të cilin duhet zhvilluar bisedime. Përse ndodh kështu?

Edhe pse përgjigja ndaj kësaj do i përbënte disa tema të mira doktorature, do të përmbahem në dy përgjigje të shkurta, duke rrezikuar të gjitha gabimet potenciale që mund t’i sjellë thënia e gjërave shkurt. Gjerësisht, e gjitha ka të bëjë me marrëdhënie pushteti në domenet vendore dhe ndërkombëtare. Duke u marrë për bazë marrëdhëniet e pushtetit në domenin ndërkombëtar, të kesh qëndrim radikal sa i përket pavarësisë së Kosovës nga Shqipëria (por jo edhe aq shumë nga Serbia) është një pozicion mjaft i mbështetur nga fuqitë Perëndimore (për momentin), pra (për momentin) njerëzit duhet të kenë qëndrime radikale në përputhje me rregullat përgjithësisht të pranuara të të fuqishmëve.

Në domenin vendor, kjo ka të bëjë me marrëdhëniet e pushtetit mes elitës udhëheqëse dhe mbështetësit e tyre të shoqërisë civile në njërën anë, dhe opozitën, veçanërisht Vetëvendosjen, në anën tjetër. Rama mund të mos ketë qenë i vetëdijshëm se çfarë kuptimi kishin qëndrimet e tij për marrëdhëniet vendore të pushtetit në Kosovë. Po të ishin pranuar komentet e tij me lëvdata, atëherë do të sfidohej elita udhëheqëse dhe mbështetësit e saj duke i dhënë fuqi argumentit të Vetëvendosjes se “një komb brenda një shteti është më i fuqishëm se një komb në shumë shtete”. Pra, në të vërtetë nuk ka fare të bëjë me paternalizmin e Ramës. Në thelb, reagimet vijnë nga marrëdhëniet e tanishme të pushtetit. Duke e sfiduar në mënyrë agresive Ramën që të mos kërkojë njohjen e Kosovës nga Serbia, edhe elita udhëheqëse, por edhe intelektualët e rinj radikalë të shoqërisë civile përpiqen ta ruajnë status quo-në, gjë e cila u ndihmon të mbajnë fuqinë materiale dhe konceptuale mbi organizimin politik të Kosovës.

Grupi tjetër i kontradiktave lidhet me zhvillimet më të gjera konceptuale, nacionale dhe shtetërore brenda hapësirës gjeografike në të cilën serbët dhe shqiptarët kanë bredhur gjatë shekullit të fundit – e ndoshta edhe më herët. Pavarësisht disa thirrjeve dhe lëvdatave të bëra në përpjekjet e Vuçiqit dhe Ramës për të “përmirësuar” marrëdhëniet mes dy “kombeve”, problemi qëndron te fakti se Vuçiq dhe Rama përdorin thjerra të ndryshme konceptuale kur shikojnë rajonin. Që të dy duket se janë të pavetëdijshëm ndaj kësaj dhe një ditë do të ndeshen me kompleksitetet e qasjeve të tyre të thjeshtëzuara të tanishme.

Vuçiq e sheh rajonin në suaza kombëtare. Për Vuçiqin, shtetet e tanishme, sidomos shtetet multietnike si Kosova dhe Bosnja, janë shtete false. Janë ashtu në mendjen e tij për shkak të dy arsyeve. E para është se nuk janë shtete kombëtare, dhe e dyta është se janë një imponim i përkohshëm i baraspeshës së tanishme të fuqisë – të cilën do të shpresonte ta ndryshojë një ditë. Prandaj, Vuçiq dhe shumë në tjerë brenda nomenklaturës serbe e kanë të vështirë ta kuptojnë një rajon jashtë perspektivës së shteteve kombëtare. Kjo do të thotë se ata kanë vështirësi me pamjen e rajonit në ditët e sotme.

Në anën tjetër, Rama është më pak konservator. Harta e tanishme e rajonit, kryesisht nuk është kombëtare. Për të, shtetet e tanishme në rajon, qofshin ato kombëtare apo multietnike, janë Evropiane dhe postmoderne. Për dallim nga Vuçiq, Rama nuk e ka të vështirë ta kuptojë rajonin, sikurse edhe pjesa tjetër e nomeklaturës së Shqipërisë. Rama ndihet rehatshëm me rajonin e tanishëm. Vuçiq duket se është i kënaqur me Ramën. Vuçiq mund ta dëshirojë ta bëjë një gjë të cilën shumë kosovarë e dyshojnë apo ia kanë frikën – ta shikojë Ramën si përfaqësuesin e të gjithë shqiptarëve – gjë që do të përputhej me këndvështrimin e tij natyral për rajonin.

Por ata në Kosovë do të gaboheshin nëse besojnë se kjo do ta bëjë Vuçiqin ta tërheqë Ramën në një diskutim për statusin, dhe si rrjedhojë, ndarjen e Kosovës. Ata në Kosovë duhet të kuptojnë se dëshira e Vuçiqit për ta shikuar Ramën si një përfaqësues të të gjithë shqiptarëve në rajon, dhe mbase raporti i mirë që ka me Ramën, ka të bëjë pak me Kosovën e shumë me kënaqësinë e Vuçiqit me gjendjen e tanishme të Shqipërisë. Pra, me madhësinë, dobësinë dhe më tej edhe me rehatinë e tanishme të Shqipërisë me këta parametra.

(Ky artikull është përkthyer nga gjuha angleze, në të cilën është shkruar nga autori)