Avdullah Hoti - LDK

Qeveri me “nashta”

Dy shokë, merakli të vozitjes së shpejtë, po flisnin për një garë të mundshme me vetura. Mirëpo, i pari e refuzoi të dytin duke thënë: “Nuk garoj me të, se ky e ka me ‘nashta’. Ky hyn në tejkalim, se nashta s’ka kerr tjetër”.

Me të njëjtën qasje u formua qeveria e re. Qysh nga mandatimi e nisi “me nashta”.

“Nashta” është kushtetuese të mandatohet një person nga partia jo-fituese, “nashta” i kemi numrat, “nashta” na votojnë të gjithë deputetët e LDK-së, “nashta” e udhëheqë qeveria dialogun, “nashta” vjen AKR-ja në koalicion.

Nëse koalicioni PAN (PDK, AAK e Nisma), u quajtën “koalicion i natës”, për shkak se ishin dakorduar për bashkëqeverisje pak minuta para se të përfundonte afati për aplikimin e koalicioneve parazgjedhore në KQZ në 2017, jemi krejtësisht korrekt, nëse rastin e Qeverisë Hoti vendosim ta quajmë “Qeveria e natës”.

Tashmë është konfirmuar nga palët se ka qenë presidenti i vendit, Hashim Thaçi bashkë me ish kryeministrin Ramush Haradinaj, ata që shtrinë dorën e tyre të ‘hekurt’ mbi deputetin e Nismës Social Demokrate, Haxhi Shala.

Ky i fundit, pa asnjë hezitim, e fort i sinqertë, publikisht në televizion konfirmoi se ishte habitur kur në derën e shtëpisë së tij, në ora 1 pas mesnatës kishte parë presidentin e Republikës bashkë me kryetarin e një partie politike.

Është e paprecedentë deri më tani që një president, mandati i të cilit, sipas Kushtetutës është roli i një unifikuesi dhe vrojtuesi të politikave partiake, të jetë katalizatori kryesor i formimit të një qeverie.

I çuditshëm është fakti i vizitës pasmesnate, ndërsa komedi fakti tjetër që dy personat që akuzoheshin për tradhti e ndërrim të territoreve, u bënë bashkë në ora 1 të natës për të takuar një deputet të Kuvendit të Kosovës për t’i kërkuar favore.

Megjithatë, vizita e presidentit në ora 1 të natës dha fryt. 12 orë më vonë, Avdullah Hoti u bë kryeministër.

Para këtij akti mesjetar, po vazhdon të rrijë i heshtur kryeministri që i pëlqen të quhet politikan teknokrat.

Në konferencën e parë për media, prej që është votuar për kryeministër, Hoti nuk ka pranuar të komentojë votën e artë.

Ai po luan rol, sepse ndikimi direkt i presidentit në zgjedhjen e tij është njolla që ai nuk do të mund ta fshijë asnjëherë, jo veç gjatë kohës sa do të shërbejë si kryeministër, por në krejt karrierën e tij politike.

Ai do të ballafaqohet me rezultatet e asaj vote, në momentin e parë që do të tentoj t’i kundërvihet tutorit të tij, Hashim Thaçit.

Atëherë do ta kuptojë së nuk ka qenë kryeministri që ka menduar se është.

Avdullah Hoti që po deklarohet guximshëm se ai do të jetë shefi i ekipit të dialogut me Serbinë, s’po ka guxim ta komentojë mënyrën e zgjedhjes së tij.

Hoti po harron që para tij kanë qenë dy kryeministra, shumë herë më të votuar se ai që nuk kishin arritur ta udhëhiqnin dialogun para Hashim Thaçit. As Ramush Haradinaj e as Albin Kurti nuk patën mundësi të depërtonin aty ku presidenti kishte trasuar rrugët tashmë.

Hoti e di se e ka të pamundur ta dominojë Hashim Thaçin në këtë rrugëtim. E para sepse Thaçi tashmë ka filluar negociatat me Serbinë, herë me ndërmjetësim të BE-së e së fundi me ndërmjetës të ShBA-së, e kush e di, ndoshta me raste edhe pa ndërmjetësim të palëve të lartpërmendura.

“Atë që nuk do të hezitoj është të marrë përgjegjësi për vendin dhe për dialogun”, ishte shprehë Hoti një ditë para se të zgjidhej kryeministër.

Ndoshta edhe nuk do të hezitojë, ndoshta nuk do ta bëjë gabimin që dikur e kishte bërë Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit kur deklaronte me krenari se “Me dialog le të merret presidenti, unë po merrem me punët e shtëpisë”.

Mirëpo, në rastin konkret, të mos hezitosh nuk mjafton. Ku do t’i marrë këto përgjegjësi Hoti, nga kush? Një teknokrat si Hoti, do të thoshte, përgjegjësitë m’i jep Kushtetua.

Mirëpo Hoti duhet ta dijë se këto përgjegjësi nuk arriti t’i marrë asnjëherë Ramush Haradinaj e Albin Kurti, ndonëse i dëshiruan. I pari që nga gjysma e mandatit, e i dyti që nga fillimi.

Hoti e mori me komoditet, një pyetje që ia shtrova një ditë para se të bëhej kryeministër.

Ish kryeministri Kurti kishte deklaruar se presidenti Thaçi e kishte ftuar që së bashku të shkonin në Uashington, ku Kurti do duhej të pajisej me 3-4 këmisha e ta nënshkruanin marrëveshjen. Këtë bisedë më pas e kishte konfirmuar edhe vet Thaçi.

E pyeta: “A jeni i gatshëm t’i merrni 3-4 këmisha dhe të shkoni bashkë me Thaçin në Uashington për të nënshkruar marrëveshje?”.

Atë ditë Hoti nuk dha përgjigje.

Mirëpo, ta mendojmë këtë situatë në realitet. A mundet një politikan si Hoti, ta refuzoj ftesën e njeriut që e bëri kryeministër?

Kryeministri Hoti është i vetëdijshëm se “nashta” presidenti Thaçi do ta thërrasë për të shkuar në Uashington për të nënshkruar marrëveshje.

Kryeministri Hoti beson se “nashta” nuk do të diskutohet për ndryshim të kufijve.

Hoti edhe në ekspozenë e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës por edhe në mbledhje të Qeverisë u deklarua se nuk do të lejojë arritjen e një marrëveshje për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Mirëpo, Hoti e ka dëshmuar se është një politikan që me raste nuk e mban fjalën dhe se ka fare problem.

Më i freskëti rast, ai nuk e publikoi asnjëherë marrëveshjen politike me Listën Serbe, ndonëse në prill thoshte se brenda ditës do ta publikonte.

Si politikan, Hoti nuk është i panjohur për grepin e Krypometrit, platformës së KALLXO.com që i kap në rrenë personat me përgjegjësi publike në Kosovë.

Hoti beson se ‘nashta’ nuk vjen puna deri të një kërkesë e mundshme në Uashington për nënshkrimin e një marrëveshje me Serbinë ku mund të përfshihej shkëmbimi i territoreve.

Në atë rast, Hoti edhe nëse nuk do të donte ta nënshkruante, do ta kishte të vështirë të dilte nga Shtëpia e Bardhë duke refuzuar letrat në tavolinë.

Si kryeministër, Hoti sigurisht se i ka 3-4 këmisha, por nuk do duhej t’i paloste për një rrugë të gjatë në Uashington, nëse nuk di se me çka do të ballafaqohej.