Pse tërheqja e 10% e kursimeve pensionale nuk është vaksina e duhur për ekonominë

Mundësia e tërheqjes së 10 përqind të kursimeve pensionale e paralajmëruar nga qeveria e Kosovës do të jetë e padobishme për grupet sociale të goditura më së shumti nga pandemia dhe rrezikon sigurinë e ardhshme financiare të atyre që tërheqin 10 përqindshin.

Deri në fund të këtij viti, qytetarët e Kosovës që kanë kursime pensionale do të mund të kenë qasje të pjesërishme në kursimet e tyre ende pa e arritur moshën e pensionit. Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 ka bërë që shumë familje të kenë vështirësi financiare. Me qëllim të stimulimit të konsumit dhe futjes së parasë në qarkullim, Qeveria e Kosovës ka paraparë mundësinë që qytetarët të tërheqin 10% të kursimeve të tyre pensionale.

Me të kuptuar se mund të tërheqin një pjesë të kursimeve pensionale, në muajin qershor, qytetarët vërshuan faqen elektronike në internet të Fondit të Kursimeve Pensionale (Trustit) për të llogaritur hisen e tyre. Kjo bëri që faqja e Trustit të bjerë nga funksioni ngase nuk mund të përballonte një numër aq të madh të vizitave. Po ashtu, përmes faqes zyrtare në Facebook, Trusti disa herë bëri sqarime se kursimet nuk mund të tërhiqen pa hyrë në fuqi ndryshimet ligjore.

Me Programin Qeverisës 2020-2023, Qeveria Hoti parasheh që në kuadër të Pakos së rimëkëmbjes ekonomike prej 1.2 miliard eurosh, 170 milionë të merren nga Trusti në formë të kthimeve të kursimeve pensionale për kontributpaguesit. Sipas planit fillestar, këto mjete të tërhequra do të mbuloheshin nga Qeveria brenda pesë viteve. Por, më vonë, Qeveria ndryshoi qëndrim, duke deklaruar se nuk do të mbulojë kursimet e tërhequra, ngase kjo nuk do të ishte e drejtë ndaj atyre qytetarëve që nuk kanë kursime pensionale ose kanë kursime minimale.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike u dërgua në Kuvend në fund të muajit korrik dhe pritet të aprovohet në lexim të dytë gjatë muajit gusht. Qytetarët do të mund të bëjnë kërkesë për tërheqjen e kursimeve në formë elektronike nga muaji shtator, me kusht që Trusti arrin që të bëjë përgatitjet e nevojshme për të menaxhuar në mënyrë elektronike kërkesat dhe pagesat.

Por, si do të ndikojë kjo masë në përgjithësi në ekonomi dhe te qytetarët? Për shkak të papunësisë së lartë dhe informalitetit, gjysma e popullsisë në moshë pune apo rreth 577 mijë persona nuk kanë asnjë cent të kursyer në Trustin e Kursimeve Pensionale. Kurse, 629,096 qytetarë të cilët kanë qenë me fat që të kenë një punë në ekonominë formale, kanë shumë pak mjete të kursyera pensionale.

Kosovarët kanë të kursyera kontribute pensionale në vlerën e përgjithshme prej 2 miliardë eurosh. Maksimumi që do të mund të tërhiqen, nëse të gjithë kontribuesit aktivë vendosin që të tërheqin 10% të kursimeve, do të jetë 200 milionë euro, e barasvlershme me 2.7% të Bruto Produktit Vendor.

Por, pak e besueshme se të gjithë do të tërheqin kursimet pensionale. Gjysma e kontributpaguesve apo mbi 312 mijë persona kanë më pak se një mijë euro të kursyera. Rreth 27% e kontributpaguesve apo afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro. Kurse 10% e kontributpaguesve (65,756 persona) mund të tërheqin mesatarisht 37 euro. Nëse kjo kategori e kontributpaguesve vendos të tërheq 10% të kursimeve, ekziston mundësia që e tërë shuma e tërhequr të shkrihet në tarifat e mirëmbajtjes vjetore të xhirollogarive në bankat komerciale.

Në anën tjetër, 7% e kontributpaguesve (afër 51 mijë persona) mund të tërheqin mesatarisht mbi një mijë euro kursime pensionale. Ky 7% i kontributpaguesve merr pjesë me 44,7% të shumës totale të kursimeve që mund të tërhiqen nga Trusti, apo me 89,5 milionë euro. Por, është pak e pritshme që kjo kategori e qytetarëve, të cilët edhe ashtu janë personat me pagat më të larta në Kosovë, se do të kenë nevojë për këto mjete.

Andaj, kjo kategori e qytetarëve ose nuk do i tërheqin fare 10% e kursimeve pensionale, ose do i tërheqin nga frika se kursimet pensionale mund të humbin vlerën dhe të njejtat do t’i depozitojnë në xhirollogaritë e tyre personale. Këtë e mbështesin edhe të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilave depozitat kanë arritur nivele rekorde. Kjo ndodhë për shkak se qytetarët me të ardhura më të larta dhe bizneset vendosin të mos investojnë dhe blejnë për shkak të krizës ekonomike.

Nëse 37% i kontributpaguesve që kanë shumë pak mjete të kursyera dhe 7% i atyre që përbëjnë pjesën e popullsisë me kursimet më të larta, vendosin të mos i tërheqin mjetet (ose t’i depozitojnë ato në banka), atëherë nuk mund të pritet që përafërsisht vetëm 107 milionë euro të tërhiqen dhe të futen në qarkullim në ekonominë e vendit.

Tërheqja e kursimeve pensionale para moshës 65 vjeçare është parë edhe si rrezik i vendosjes së një praktike edhe për krizat e ardhshme, ku qeveritë në të ardhmen në emër të krizës mund të vendosin që sërish të lejojnë tërheqjen e kursimeve. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve që do të mund të tërhiqen nga Trusti do të dalin jashtë vendit për shkak të deficitit të lartë tregtar.

Sipas një analize të Institutit GAP, tërheqja e parakohshme e të hollave nga Trusti do të reduktonte kursimet e qytetarëve kontributpagues të dedikuara për moshën e pensionimit. Marrë parasysh kthimin mesatar të Trustit në investim, tërheqja e 1 mijë eurove në moshën 40 vjeçare redukton rreth dy mijë euro kthim në interes apo rreth 3 mijë euro në total më pak për periudhën e pensionit. Kurse personat që tërheqin 2 mijë euro humbasin rreth 4 mijë euro interes për 25 vitet e ardhshme.

Po sipas Institutit GAP, me bilancin mesatar prej 3,284 eurove të kursyera në Trust, qytetarët mund të marrin nga 200 euro në muaj për vetëm 16 muajt e parë të pensionimit, ndërkaq sipas një raporti të vitit 2019 nga Banka Botërore, jetëgjatësia në Kosovë është mesatarisht 70 vjeç për burra dhe 74 për gra. Prandaj tërheqja e fondeve në këtë periudhë redukton fuqinë blerëse të qytetarëve në të ardhmen. 

Andaj, mundësia e tërheqjes së 10% të kursimeve pensionale duket të jetë shumë zhurmë për asgjë. Ekonomia e vendit nuk pritet të përfitojë ndjeshëm nga kjo masë. E në anën tjetër, një kategori shumë e vogël e popullsisë, apo rreth 29% e popullsisë në moshë pune, do të përfitojnë për një periudhë afatshkurtër, por do të rëndojnë barrën financiare për vitet e ardhshme.

(Qëndrimet e autorit nuk reflektojnë domosdo qëndrimin e BIRN)