Pse qytetarët e Kosovës edhe më tutje e shohin Serbinë si kërcënimin më të madh për ta?

Megjithëse një konfrontim ushtarak duket i pamundur të ndodhë, një sondazh i fundit në Kosovë tregoi se shumica e të anketuarve ende e konsiderojnë Serbinë si rrezikun kryesor të Kosovës për sigurinë kombëtare – dhe shqetësimet e tyre janë larg nga ato iracionale.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta konsiderojnë Serbinë si kërcënimin kryesor të jashtëm për sigurinë kombëtare të vendit, një fakt i konfirmuar edhe një herë nga publikimi i fundit i sondazhit të Barometrit të Sigurisë të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.

Përmes një pyetjeje të hapur, më shumë se 44 përqind e të anketuarve e selektuan Serbinë si kërcënimin kryesor të sigurisë kombëtare, pasuar në vendin e dytë nga ndikime tjera malinje nga jashtë.

Rezultate të ngjashme u shfaqen kur të anketuarit u pyetën në mënyrë specifike se si e konsiderojnë ndikimin e Serbisë mbi Kosovën, me 89 përqind prej tyre duke e përshkruar atë si ‘shumë negative.’ Vetëm tre përqind e të anketuarve kishin mendimin se ndikimi i Serbisë ishte pozitiv.

Megjithëse analizat cilësore zbulojnë se Serbia nuk është një kërcënim aktual i sigurisë për Kosovën ushtarakisht, duke marrë parasysh praninë e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), shqetësimet ekzistuese të publikut ndaj Serbisë nuk janë të pabaza.

Shumë qytetarë të Kosovës ende e mbajnë mend shumë qartë rolin e Serbisë gjatë viteve 1990, përfshirë ngjarjet që çuan deri në luftën e Kosovës dhe vetë luftën. Sidoqoftë, është po ashtu edhe sjellja në vazhdimësi e Serbisë në frontin diplomatik dhe politik që vazhdon të krijojë një shkallë të konsiderueshme të pasigurisë midis kosovarëve.

Deri më sot, autoritetet serbe vazhdojnë ti mohojnë mizoritë e dëshmuara ndërkombëtarisht të kryera nga formacionet e saja policore, ushtarake dhe paraushtarake në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Më shumë se 13,000 civilë u vranë gjatë kësaj periudhe dhe përdorimi i dhunës seksuale si një armë lufte ishte e përhapur gjerësisht. Përafërsisht një milionë refugjatë u larguan nga Kosova, ndërsa rreth 25,000 prona private dhe ndërtesa në pronësi publike, përfshirë shkollat dhe objektet e kultit u shkatërruan.

Në një deklaratë të bërë me 24 Mars të këtij viti, e ashtuquajtura Zyra e qeverisë Serbe për Kosovën dhe Metohinë i referohet “krimeve të pretenduara” në Kosovë, në një deklaratë që i adresohet parimit të Kryeministrit, Albin Kurti, se Serbia duhet ta pranojë të vërtetën për luftën e Kosovës për të arritur tek një dialog i suksesshëm.

Deklarata përsëri dëshmon se regjimet e njëpasnjëshme serbe që e pasuan atë të Millosheviqit vetëm kanë vazhduar të shfaqin mungesë keqardhjeje dhe vetëviktimizim në lidhje me Kosovën, një vazhdimësi kjo e cila gjithashtu ndihmon në nxitjen e pasigurisë në ish-krahinën e saj.

Një arsye tjetër shqetësimi në mesin e publikut kosovar janë dështimet e vazhdueshme të dialogut të lehtësuar nga BE që synon normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Kosova, e cila e ndan 44 përqind të kufirit të saj tokësor me Serbinë, ka qenë e përkushtuar në tavolinën e dialogut në Bruksel për 10 vitet e fundit, gjatë së cilës kohë është raportuar se janë nënshkruar më shumë se 40 marrëveshje të përbashkëta. Sidoqoftë, shumë nga këto marrëveshje kanë adresuar vetëm çështje teknike duke mos e trajtuar esencën e problemit.

Ndërkohë, Serbia vazhdon të përdorë të gjitha instrumentet, përjashtimisht përdorimit të forcës ushtarake, në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Instrumentet më të dalluara janë fushatat e mbrapshta diplomatike të Serbisë që inkurajojnë ‘ç’njohjen’ e Kosovës dhe parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në organizatat kryesore ndërkombëtare, bllokimin e saj në të gjitha mallrat e markuara me vulën e Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen e saj në proceset kyçe të brendshme politike të Kosovës duke e instrumentalizuar komunitetin serb të Kosovës.

Kjo sjellje, në shumë mënyra, lidhet me mënyrën sesi Serbia e projekton rolin e saj rajonal dhe gjeostrategjik me ndikim, i cili shpesh perceptohet si një hegjemon i imponuar me pasoja frikësuese strategjike.

Serbia, në vazhdimësi, i ka shfrytëzuar komunitetet etnike serbe që jetojnë jashtë kufijve të saj në mënyrë që të ruajë autoritetin e saj mbi konfliktet dhe tensionet ekzistuese. Megjithëse Serbia shpesh pretendon të jetë një udhëheqëse rajonale, ndikimi i saj shpesh ka prodhuar pasoja negative jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe së fundmi edhe në Malin e Zi.

Në të njëjtën kohë, Serbia vazhdon të pozicionohet si një faktor qendror midis interesave konkurruese Perëndimore dhe Lindore, e cila u ka mundësuar fuqive globale të tilla si Rusia dhe Kina të luajnë një rol me ndikim në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm ekonomikisht por edhe politikisht, kryesisht duke i përdorur faktorët serbë në rajon.

Dhe, megjithatë, përkundër ndikimit negativ që pozicionimi diplomatik i Serbisë ka pasur në lidhje me ndërtimin e paqes dhe përpjekjet e vazhdueshme të integrimit Euro-Atlantik në rajon, paradoksalisht gjithashtu duket se i ka mundësuar Serbisë që ta forcojë edhe më tej fuqinë e saj negociuese në raport me perëndimin.

Për më tepër, edhe pse politika e brendshme e Serbisë ka pësuar një rënie të ndjeshme sa i përket respektimit të parimeve dhe lirive demokratike, një fakt ky i nënvizuar po ashtu edhe në raportin e fundit të progresit të Parlamentit Evropian, ende mbetet përpara shumë fqinjëve të saj në procesin e integrimit evropian.

Në fund, është e rëndësishme po ashtu që të mos harrohet gara e vazhdueshme rajonale në armatim në të cilën Serbia mban vendin e parë. Militarizimi ka vazhduar me shpejtësi në Serbi në vitet e fundit, me blerje të mëdha armësh nga Rusia, duke përfshirë avionë ushtarakë, tankse dhe mjete të tjera për luftë të armatosur.

Ky militarizim, pashmangshëm do të evokojë kujtime të luftërave të viteve 1990 në të cilat Serbia ishte agresori kryesor dhe do të perceptohet si një kërcënim i drejtpërdrejtë hipotetik në Kosovë.

Me fjalë të tjera, edhepse Kosova mund të mos jetë domosdoshmërisht subjekt i kërcënimit të afërt ushtarak, perceptimi i qytetarëve në lidhje me nivelin e pasigurisë që buron nga Serbia është plotësisht i logjikshëm.

Kosova dhe Serbia janë mbyllur në një konflikt të vazhdueshëm e të zvarritur si rezultat i refuzimit të udhëheqjes serbe për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në një proces të paqendërtimit dhe se mundësia e një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës së sigurisë do të reduktohet atëherë kur Serbia të pajtohet me ekzistencën e Kosovës si shtet.

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Mentor Vrajolli është Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë QKSS, OJQ me qendër në Prishtinë për çështje të sigurisë.