Zgjidhje për Zgjedhje

Pse po shkojmë edhe në një palë zgjedhje, veç ta dimë!

Anëtarët e koalicionit e rrëzunë vetveten në Qeverinë PDK-LDK (2014-2017) sepse ndryshe nuk kalonte demarkacioni. Neve, qytetarëve, na u premtua që nëse kalon demarkacioni hapet rruga jonë europiane. U bënë zgjedhjet. Kaloi demarkacioni.  S’u hap rruga! Përkundrazi, veç u bo me ma shumë gropa.

Qeveria pas saj, PAN (2017-2019), e rrëzoi vetveten për shkak të taksës, jo për gjanat tjera. Po na premtohet që nëse hiqet taksa, hapet rruga e Kosovës për ‘prosperitet’. S’ka me na u hapë as kjo, edhe nëse hiqet taksa.

Në cilindo rast, rrugët dhe prosperiteti kanë me na u hapë nëse na kemi m’i çelë kanalet e qatyne rrugëve njëherë e mirë. Rrugët na çelen atëherë kur t’ja nisim me gropu, t’i çelim kanalet e atyne rrugëve e të fillojmë madje prej gjanave të vogla, ato tela të rrymës që i kemi momentalisht mbi kokë kur ecim anembanë Kosovës, me i shti nën rrugë. E qe Besa, në qato kanale me i shti gypat që e furnizojnë krejt Kosovën me ujë e kanalizim PARA se me e shtru asfalltin. Në shekullin 21, ne jemi prej vendeve të rralla në Europë, ku rreth 25% e popullsisë nuk është e përfshirë në rrjet të ujësjellësit dhe rreth 45% e popullatës nuk kanë kanalizim (por gjasat janë që gjithë këtyre që u mungon uji e kanalizimi jetojnë jo larg një asfallti të shtrenjtë ku shohin të frekuentojnë makina të shtrenjta BMW X6 me targa të Qeverisë).

Prandaj, kësaj radhe, ne si qytetarë të Kosovës, është ma së miri me këqyrë, kush është ma punëtori m’e çelë kanal?

Kush o ma pak dembel prej këtyre që po na e kërkon votën? Kush punon ma shumë e fryhet ma pak? Kush di ma shumë? Kush ka njerëz që kanë arritë diçka në jetën e tyne, që e kanë mbajtë ndonjë punë me ndonjë profesion? Kush është konsistent e nuk i ka ndërru mendimet si era? Kush ka më shumë njerëz që dinë me mendu, që dinë me menaxhu. Thjesht, duhet me zgjedh njerëz që i kemi pa tu kalu ma shumë kohë tu punu sesa tu u ly e tu u ngjy dhe duke ngjy?

Një gjë e mirë momentalisht është që kurrkush prej atyre që po e synojnë pushtetin s’po fryhen që punët në Kosovë janë mirë, as ata që e kanë pasë pushtetin ma së gjati. Analizën për problemet e Kosovës, që vuajmë prej korrupcionit, shëndetësisë së varfër, shkollave të dobëta etj – e kemi të ngjashme, si ne kritikuesit, si ata që po i kritikojmë si përgjegjës për këtë gjendje!

Kjo sa është absurde është më mirë sesa të ishim ballafaquar me politikanë që e mohojnë realitetin. Domethanë kemi konsensus për atë se çka janë prioritetet e Kosovës. (Kurrkush deri tash s’na tha që ‘integrimi në NATO’ dhe ‘Serbia’ është prej problemeve kryesore të Kosovës.)

Duke marrë parasysh që këto ishin zgjedhje të shpejta, partitë ka gjasa të mos kenë pasur kohë për të zhvilluar program të mirë. Për ta mbushur këtë zbrazëti idesh, ne i kemi mbledhë e angazhu disa njerëzit që janë jashtë partive e që kanë punuar në një sektor në kohë të gjatë, për të listuar zgjidhje për problemet kryesore në atë sektor. Këto ide po fillojmë t’i botojmë sot.

Po i ofrojmë këto ide për të ushqyer programe të partive sepse vlerësimi i ekipit tonë të ekspertëve të jashtëm e të brendshëm është që Kosova nuk është duke vuajtë për parti që përcaktohen a janë të djathtë, të majtë apo të qendrës. Qytetarët kanë nevoja emergjente, kanë nevojë për një qeveri që e mbush barkun e atyre që kanë rrogë minimale, që i ofron kushte pacientit me u trajtu si duhet, për klasa në shkolla publike që nuk i kanë nga 40 veta, për ujë e kanalizim, për kushte ekonomike të njëjta si për të njofshmit si të panjofshmit, për sistem të drejtësisë që reagon kur raportohet dhuna, kur raportohet ushqimi i kualitetit të dyshimtë, kur raportohet punëdhënës që rrezikon punëtorin etj. Krejt këto nuk varen prej asaj a je parti e majtë, e qendrës a e djathtë por varen prej asaj a di me punu edhe a po do me punu drejt.

Këtyre ekspertëve e monitoruesve të sektorëve të ndryshëm (që janë marrë me atë sektor më së paku 10 vjet) u kemi kërku mos me na përshkru vetëm cili o problemi që e ka Kosova në fusha të caktuara por edhe çka është zgjidhja për ato probleme.

Për shembull Lulzim Emini, ish-drejtor i QKUK-së më 2010, pasi e ka provu vetë si është me menaxhu me një organizatë të tillë siç është QKUK, ku frekuentojnë rreth 15.000 njerëz në ditë, po propozon në reformën e vet që derisa nuk vimë në një fazë të pjekurisë, ministri i Shëndetësisë me e zgjedh PA KONKURS krejt ekipin që ka me i menaxhu edhe QKUK-në, e ai drejtor me i zgjedh pa konkurs drejtorët e klinkave dhe drejtorat e spitaleve rajonale dhe në këtë mënyrë mos me u shtir që kinse po zgjidhet profesionisti “me konkurs”. Në këtë mënyrë, përgjegjësia politike bie direkt mbi ministrin nëse dështon një klinikë me u menaxhu si duhet. Nëse dështon një drejtor, le të shkojë krejt garnitura e ministrit sepse ai/ajo i ka zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejt udhëheqësat. Ide kontraverse, por e re.

Në analizën e tij dhe të Armend Agollit, mjek që punon në Suedi e Kosovë, mund t’i lexoni reformat tjera që ata sugjerojnë që duhet të ndërmerren për me e ndreq sistemin shëndetësor. Në mënyrë të pavarur secili nga ta konstatoi që për me iu kthy besimi i pacientit në mjekun e Kosovës, duhet të nisemi prej gjanave të vogla si për shembull, me ia komuniku pacientit informatën jo në institucionin ma të lashtë ku mjekët komunikojnë me pacientë në Kosovë, në korridor, por në zyre normale të informimit ku jemi të barabartë me mjekun, e jo aty ku na bëjnë të ndihemi si nevojtarë e jo taksapagues që e meritojmë atë shërbim.

Kreshnik Gashi, jurist dhe autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” dhe redaktori menaxhues i KALLXO.com tregon se për luftim të korrupsionit me të cilin gjithë e kemi gojën plot, duhet të reformohet Departamenti i Krimeve Ekonomike në Polici të Kosovës.

“Hetime të porositura, kallxime penale të cilat në nisje hidhen poshtë nga prokuroria e deri tek informacionet që na vinë neve se biznese të mëdha janë të vendosura nën protektoratin e të mëdhenjve të Policisë, janë vetëm disa nga problemet që Krimet Ekonomike duhet t’i zgjidhin e jo të bëhen pjesë e problemit”, thuhet në këtë shkrim ku listohen rekomandimet konkrete si të ndreqet ky problem.

Sugjerime për adresim të problemeve të sigurisë mund të gjinden edhe në tekstin e shkruar nga Besa Kabashi-Ramaj, ish-këshilltare në dy qeveritë e kaluara të Kosovës që ka provu nga brenda t’i adresojë këto probleme.

Labinot Leposhtica, udhëheqësi i ekipit të monitoruesve në BIRN, ka nxjerrë të dhënat e nevojshme që kalkulojnë buxhetin jo shumë të madh që do të mund ta aprovonte një qeveri e ardhshme për gjykatës, prokurorë e bashkëpunëtorë profesionalë të rinj në sistemin e drejtësisë për t’u arritë përgjysmimi i mbi 200.000 lëndëve që momentalisht presin me vite ose një dekadë për t’u zgjidhur.

Visar Prebreza, redaktor dhe ekonomist, ka listuar zgjidhjet për problemet më të mëdha që kanë dalë nga hulumtimet tona të ekonomisë, duke filluar nga një ATK që qëllimisht lë biznese të caktuara pa i tatimuar, rekrutime të korruptuara nëpër borde publike e përkrahje të projekteve të padobishme dhe të dëmshme për shëndetin e Kosovës, siç është Termocentrali i ri i qymyrit që qeveritë e kaluara kanë tentuar ta ndërtojnë.

Nezir Kraki, profesor i shkencave politike në Universitetin Paris-Est, e bën një listë prioritetesh për një ministër të Punëve të Jashtme të ardhshëm.

Për autorë të tjerë që kanë ide për me ofru se si m’i zgjidh probleme të Kosovës, gjë që do i ndihmonte debatit të tanishëm me parti për programe, i ftojmë të na dërgojnë propozimet e ardhshme sepse ka gjasa që partitë edhe do i lexojnë, ky është moment i rrallë kur politikanët janë të uritur për ide.

Gjithashtu, për ata që kanë pyetje për kandidatë për kryeministra, dhe deputetë të ardhshëm, i ftojmë të na dërgojnë pyetjet në [email protected] ku do të kenë mundësi të ftohen për t’u shtruar pyetje direkt këtyre kandidatëve nga qytetarë të thjeshtë.

E për gjithë ato parti që mendojnë që “në Suedi fitohen votat me program, jo në Kosovë”, do u thosha që jemi një grup i qytetarëve (ndoshta veç 10.000, ndoshta më shumë) të cilët nuk votojmë çka na thotë baba, nuk votojmë pse e njofim dikënd nëpër lista apo që e kemi kojshi e familjar, por kemi me analizu çka po na ofroni. Dhe duke marrë parasysh që 3-4 partitë që synojnë të arrijnë e para nuk janë shumë larg me vota nga njëra-tjetra, nuk do ta nënvlerësoja nevojën e një ‘pakice’ që kërkon program e ide. Në fakt të gjithë ata që kemi me i ndëgju nëpër debate duke “e shitë” veten vetëm duke e sulmu kundërshtarin politik e duke mos ofru kurrgjë tjetër, gjasat i kanë që kanë m’e humb edhe votën e familjes së gjanë dhe fqinjit që kanë menduar që e kanë të garantuar.

Prej përvojës sime të organizimit të debateve politike me parti e me qytetarë qe 15 vjet, në Kosovë kemi të bëjmë me një votues goxha të pjekur dhe të interesuar për ndërrim. Pikërisht ky votues po na tregon që është i ngopur me debate ku nuk prezantohen asnjë ide e program për të zgjidhur probleme të Kosovës. Andaj, mos e nënvlerësoni mungesën e ideve.

Si dhe, mos e mbivlerësoni të qenit në pushtet.

Duke marrë parasysh që rreth 100 ministra e zv. ministra ishin pjesë e pushtetit herën e fundit (edhe atë ndejtën shkurt në atë karrige), nuk është edhe aq interesant të arrish të vish në pushtet në Kosovë, në krahasim me atë se çka do bësh me atë pushtet.

Pra, na pula (vota) kemi për m’e dhanë (se dikujt duhet me ia dhanë), por tash jemi t’u këqyrë me ia dhanë atyne që kanë ide, jo atyne që shesin pallavra!