Pse beteja e fituar në Kushtetuese, e bëri pishman Lëvizjen Vetëvendosje – Pasojat dhe efektet juridike - (III)

Jo rastësisht, Gjykata në vendimet e saj na rikujton shpesh se, normat e parapara me Kushtetutë duhet të lexohen në ndërlidhje me njëra tjetrën ngase vetëm në atë mënyrë nxirret kuptimi i saktë i tyre. Normat kushtetuese nuk mund të nxirren jashtë kontekstit dhe të interpretohen në mënyrë mekanike dhe të pavarur nga pjesa tjetër e Kushtetutës.

Ky lexim vlen edhe për nenin 45 “Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes”, nenin 71 “Kualifikimet dhe Barazia Gjinore” dhe nenin 73 “Pamundësia e Kandidimit”, kur Gjykata vlerësoi kushtetutshmërinë e një vendimi të Kuvendit, në votimin e të cilit kishte marrë pjesë z. Etem Arifi, mandati funksional i të cilit u kontestua, ndërkohë që parashtruesit e kërkesës në Gjykatë, kërkonin interpretimin e një neni të vetëm, siç ishte rasti me nenin 73, të ndarë nga nenet e tjera të Kushtetutës.

Meqë natyra e kërkesës së parashtruar implikoi çështje të ndryshme njëkohësisht, kjo u konfirmua me efektet e shumëfishta juridike që prodhoi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese KO95/20, për të cilat kam shkruar në dy numrat paraprak të kësaj analize.

Lexo: PSE BETEJA E FITUAR NË KUSHTETUESE, E BËRI PISHMAN LËVIZJEN VETËVENDOSJE – PASOJAT DHE EFEKTET JURIDIKE (I)

Lexo: PSE BETEJA E FITUAR NË KUSHTETUESE, E BËRI PISHMAN LËVIZJEN VETËVENDOSJE – PASOJAT DHE EFEKTET JURIDIKE (II)

Por, po ashtu, nuk janë ta pakta as “defektet” e tij, sigurisht, sipas vlerësimeve të mia.

Për qëllime të shtrimit të kësaj analize, po i quaj kushtimisht “defekte”, jo pse të njëjtat lidhen me ndonjë paqartësi logjike, strukturore apo formale, por se kanë të bëjnë ekskluzivisht me disa segmente përmbajtësore të këtij akgjykimi, e të cilat, pa paragjykuar qëllimin e tyre, s’do mend se kanë prodhuar pasoja juridike, si në rrafshin institucional, po ashtu edhe në rrafshin e ushtrimit të të drejtave subjektive civile e politike, që lidhen veçanërisht me të drejtën aktive të votës, respektivisht të drejtës për t’u zgjedhur.

Cilat janë këto “defekte” juridike të cilat e karakterizojnë këtë aktgjykim?

Një nga aspektet kyçe të këtij aktgjykimi, është edhe çështja e kandidimit për deputet të personave që kanë kryer vepër penale dhe janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vitet e fundit.

Sado që, pika II e dispozitivit të aktgjykimit është krejtësisht e qartë dhe përtej një interpretimi gjyqësor vë në zbatim normën ligjore të nenit 29, pika q), prapëseprapë, nuk e zbaton në mënyrë të plotë e të drejtë kuadrin ligjor në fuqi, për arsyet si në vijim:

Përkundër që dispozitivi i aktgjykimit i referohet “veprës penale”në kuptim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, megjithatë as në dhjetra faqe të arsyetimit të tij (pjesë kjo e cila ka një qëllim të vetëm – të arsyetojë dispozitivin e aktgjykimit), nuk justifikohet dot, se çka nënkupton kjo “vepër penale”, e as natyra juridike e saj, por as edhe lloji i dënimit që lidhet me të.

Duke mos klasifikuar natyrën e veprave penale dhe llojet e dënimeve për vepra penale, sipas qëllimit të këtij aktgjykimi kur i referohet veprave penale, ai ka dështuar të ofrojë një qartësi së paku minimale e të nevojshme për të ofruar siguri juridike, dhe ka zhvlerësuar edhe vet kuptimin e llojeve të dënimeve, siç përcaktohen në Kodin Penal, si një ligj special i rregullimit dhe përcaktimit të veprave penale dhe dënimeve për këto vepra.

Për më keq, duke mos e bërë ndarjen e domosdoshme të natyrës së veprës penale e dënimeve përkatëse, ky aktgjykim, po ashtu prodhon pasoja juridike me efekt retroaktiv për personat të cilët në kuptim të Kodit Penal edhe pse ishin të dënuar për vepër/ra penale, nëse ndaj të njëjtëve është shqiptuar dënimi me kusht apo dënimi me gjobë, dënime këto që sipas parimit të zbatueshëm gjerësisht të së drejtës penale, nuk prodhojnë pasoja juridike për kryesin e veprës, përfshirë edhe në ushtrimin e të drejtave civile dhe politike, respektivisht edhe në ushtrimin e të drejtës aktive të votës, pra të drejtës për t’u zgjedhur.

Duke mos i kushtuar një arsyetim të bazuar e të qëndrueshëm përsa i përket çështjeve të cekura më sipër të ndërlidhura me Kodin Penal, Gjykata Kushtetuese, me apo pa dashje, ka cënuar njërin prej parimeve themelore të drejtësisë, pra parimin e sigurisë juridike të qytetarëve. Kur, këtu i shtojmë faktin se Kodi Penal paraprak, në paragrafin 2 të nenit 100 të tij, shprehimisht përcaktonte se “Pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba, dënimi me kusht apo vërejtja gjyqësore ose kur kryesi lirohet nga dënimi”, mund të themi që, Kushtetuesja veproi sikurse të mos kishte ekzistuar fare ky akt ligjor, paçka se në dispozitivin e këtij aktgjykimi, shprehimisht ju referua veprës penale, pra objektit kryesor që e rregullon ky Kod.

Ndërkaq, situata tani ndryshon me Kodin Penal në fuqi, sipas të cilit, dënimi me kusht prodhon pasoja juridike.

Por, çështja esenciale është se Kushtetuesja duke interpretuar dispozitat kushtetuese, e shkëputur nga Kodi Penal, përkundër që krijoi një standard të lartë të pastërtisë së figurës së kandidatëve për deputetë, ajo megjithatë, zhvlerësoi efektin juridik të dispozitave të këtij të fundit, dhe i barazoi të gjithë kryesit e veprave panale. Pra, edhe personin që ka kryer një vepër më të rëndë penale për të cilën i është shqiptuar dënim më i ashpër, e edhe personin që ka kryer një vepër më të lehtë penale, për të cilën është dënuar me kusht apo edhe me gjobë.

Këtë konstatim e argumenton fare lehtë edhe përpjekja e Gjykatës, e cila lidhur me pamundësinë (papërshtatshmërinë) për kandidim në zgjedhje parlamentare dhe humbjen e mandatit të deputetëve si rezultat i dënimit për vepra penale, i është referuar Kodit të Praktikave të Mira në Çështje Zgjedhore i Komisionit të Venecias dhe Raporti i Komisionit të Venecias për Legjislacionin Zgjedhor dhe Administrimin të Zgjedhjeve në Evropë (Shih: Tridhjetë pika të arsyetimit për këto aspekte: paragrafët 135-165).

E sipas analizës krahasimtare të paraqitur në Raportin e lartcekur të Komisionit të Venecias, humbja/pavlefshmëria e mandatit parlamentar rregullohet në mënyra të ndryshme. Por, përgjithësisht ka tri baza normative që e përcaktojnë humbjen/pavlefshmërinë e mandatit të anëtarit të parlamentit: Së pari, natyra e veprës penale; së dyti, natyra e dënimit; së treti, rrethanat që shkaktojnë pamundësinë e kandidimit në zgjedhje parlamentare.

Në grupin e parë bëjnë pjesë shtetet – ku humbja/pavlefshmëria e mandatit parlamentar ndërlidhet me natyrën e veprës penale. Në grupin e dytë bëjnë pjesë shtetet ku humbja/pavlefshmëria e mandatit të deputetit ndërlidhet me natyrën (lartësinë) e dënimit. Grupit të tretë i takojnë vendet ku humbja/pavlefshmëria e mandatit të deputetit ndërlidhet me plotësimin e kushteve për pamundësinë (papërshtatshmërinë) për t’u kandiduar në zgjedhje parlamentare (shih pikat 145, 146 dhe 147 të aktgjykimit).

Megjithë analizat e zgjeruara lidhur me sistemet e ndryshme të ofruara përmes aktgjykimit, është për t’u habitur fakti se si Gjykata Kushtetuese, vjen në përfundimin se Republika e Kosovës, i përket këtij e nuk i përket atij sistemi. Të paktën kjo nuk argumentohet fare në arsyetim, sikurse as nuk provohet të analizohen e krahasohen mekanizmat dhe indiaktorët institucional dhe ligjor në mënyrë që të arrihet lehtësisht në një konstatim të tillë, i cili në përmbajtje është më shumë se kompleks.

Ky përcaktim arbitrar nga ana e Gjykatës, vetëm se forcon bindjen se në mungesë të argumentimeve për të bërë dallimin e duhur për natyrën e veprës penale dhe llojin e dënimit, vetëvendosi për sistemin juridik në të cilin bën pjesë Republika e Kosovës. Ky konstatim konsideroj se është i pa bazuar dhe i paqëndrueshëm, për arsye se në rast të zbatimit të plotë të frymës së dispozitave kushtetuese dhe kritereve ligjore shtesë të kërkuara përmes tyre, lehtësisht do të arrihej në përfundimin se kualifikimet ligjore për kandidatët për deputet lidhën ngushtë me Kodin Penal, respektivisht me raportin e tyre me veprat penale dhe me dënimet e tyre.

Po ashtu, janë të pajustifikueshme juridikisht edhe konstatimet e akgjykimit se çështjen e ngritur pranë Gjykatës, kjo e fundit e ka bërë në dritën e kuadrit kushtetues në fuqi dhe Ligjit nr. 03/l-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (i ndryshuar dhe plotësuar), por jo sipas Kodit Penal. Pyetja e thjeshtë që shtrohet është, se mbi bazën e cilit kriter, Gjykata vendos të zbatoj dispozitat e vetëm njërit ligj, dhe jo të dyve së bashku, për arsye se asnjëri nuk e përjashton tjetrin në rrethanat e rastit konkret. Përkundrazi, janë lex specialis për fushën që rregullojnë, por e komplementojnë njëri-tjetrin, e asesi nuk prevalojnë njëri mbi tjetrin, sespe bashkëveprimi i efektit juridik të tyre, vetëm se e mbron parimin e sigurisë juridike.

Zbatimin e plotë të këtij aktgjykimi, e kemi parë ta bëjnë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, dhe me gjasë do ta konfirmoj përfundimisht edhe Gjykata Supreme. Dhe me të drejtë, sepse vendimin e Kushtetueses, nuk mund ta ndryshojnë këto institucione. Ato janë të obliguara vetëm ta zbatojnë. Mirëpo, barazimi i çdo kryesi të veprës penale pavarësisht nga natyra e saj dhe pavarësisht nga dënimi i shqiptuar, është një gabim i cili tashmë mund të korrigjohet vetëm me rishikimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Faton Fetahu

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike