Foto: Facebook/HashimThaci

Presidenti Thaçi rikthehet në uniformë

I veshur në rrobat  ushtarake, presidenti i Kosovës e ka thyer heshtjen e tij në prag të votimit të transformimit të FSK-së ditën e nesërme në Kuvendin e Kosovës, duke e përgëzuar FSK-në për zgjerimin e mandatit të tyre.

Në atë që është përshkruar si një “inspektim” i ushtarëve në kazermën ushtarake “Adem Jashari” të enjten në Prishtinë, presidenti i Kosovës i ka zënë në befasi shumë njerëz.

Thaçi përdori mundësinë për t’u drejtuar anëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës,  duke përgëzuar ushtarët mbi mandatin e tyre të ri, edhe pse votimi në Kuvend, i cili do t’i rris kompetencat në përputhje me një ushtri të rregullt do të zhvillohet nesër.

“Të dashur ushtarë të Kosovës, këtë muaj ju gratë dhe burrat më të mirë të kombit, do të keni një mandat të ri, një mision të ri … ju jeni ushtria e Kosovës,” tha ai. “Ju do të shërbeni dhe mbroni me krenari pavarësinë dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Në ditët e fundit, çështja e transformimit të FSK-së në një ushtri të rregullt ka krijuar një atmosferë  gëzimi midis kosovarëve, duke krijuar momentin e përkryer që politikanët të përdorin këtë momentum politik para publikut në mënyrë që të maskojnë dështimet e tjera.

Megjithatë, për politikanët kosovarë si Thaçi nuk ka rëndësi se i gjithë procesi i transformimit do të zgjasë nga shtatë deri në dhjetë vjet dhe do të ketë nevojë për mbështetje nga vendet anëtare të NATO-s, të cilat tani për tani nuk kanë konsensus brenda organizimit të aleancës ushtarake ndërkombëtare. Anëtarë të NATO-s kanë shprehur hezitimin për idenë e transformimit pa pëlqimin edhe nga deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës.

Këto shqetësime janë brengosëse, duke pasur parasysh delegitimimin ndërkombëtar të sovranitetit të Kosovës këtë vit me dështimin për t’u bashkuar me Interpolin, një organizatë e rëndësishme ndërkombëtare.

Masa e së enjtes mund të shihet si një përpjekje egoiste për të korrur shpërblimin e transformimit të FSK-së dhe për të zvogëluar rolin e Qeverisë së Kosovës, trupa që ka marrë frenat në procesin e transformimit.

Megjithatë, Thaçi e di se sa e rëndësishme është që ushtria të përdoret si plumbi i argjendtë i tij. Kjo shkathtësi e e ka bërë të fitojë nofkën e luftës “Gjarpëri” dhe karriera politike e Thaçit filloi me ushtri-si kreu i krahut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe sikur të mos kishim një kujtesë të fortë, dikujt do t’i binte ndër mend se dy muaj më parë, “Komandanti Suprem” i Kosovës kishte thënë se ishte “i painformuar” rreth planeve të Qeverisë për të zgjeruar kompetencat e FSK-së dhe atëbotë e dënoi veprimin e Qeverisë së Kosovës.

“Unë mendoj se vazhdimi i çështjes sot është momenti i gabuar, sepse nuk kemi nevojë të dërgojmë një mesazh të tillë tek aleatët tanë”, kishte paralajmëruar Thaçi në shtator.

Megjithatë, dy muaj më vonë, në përputhje me stilin e juntës ushtarake, presidenti i Kosovës mori skenën në takimin me anëtarët e FSK-së dhe arsyeja është e qartë – ai po e shfrytëzon këtë moment politik dhe madje duke përdorur gëzimin e qytetarëve të Kosovës që vjen nga një bllokadë afatgjate e transformimit të FSK-së në një ushtri të rregullt për fitimet personale të tij.

Pas përgëzimit të FSK-së për sukseset që pati ajo nga themelimi, fjalimi i Thaçit vazhdoi me një thirrje drejtuar ushtarëve të ruajnë me krenari “sovranitetin” dhe integritetin territorial të  Kosovës.

Edhe pa cinizëm, dikush mund të pyes, cilit sovranitet dhe integritet territorial po i referohet Presidenti i vendit?

A nuk ishte ai president, i cili i vetëm me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka promovuar idenë për “korrigjimin e kufijve”, një term që përdoret si eufemizëm për shkëmbimin e territorit midis dy vendeve?

Pa dyshim, ai i cili personalisht dje ka bërë thirrje për shkelje të sovranitetit të Kosovës, sot është duke bërë thirrje për mbrojtjen e kufijve të saj nga ushtarët e Kosovës.

Kujtesa politike në Kosovë është e shkurtër dhe është e tillë pasi politikanët janë në gjendje të bëjnë një kthesë dhe të ndryshojnë pozicionin e tyre disa herë brenda javës.

Duke pasur parasysh historinë politike të Thaçit, nuk duhet të habitemi dhe ne mund ta shohim planin e Thaçit për ta përdorur këtë ushtri në të ardhmen si një alibi për tension në veri dhe për të përmbushur planet e tij për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë.

Spektakli i së enjtes pa gjarprin duke hedhur gjurmët e tij në rërë. Shfaqja e Thaçit ishte një demonstrim i politikanit dinak, i cili gjithmonë do të gjejë një mënyrë për të përfituar nga çdo mundësi për poena politike dhe ta bëjë përpara se pikët të jenë shënuar.

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.