Përshkallëzimi i COVID-19 në Kosovë: Çfarë ndodhi?

Kosovarët tani po e paguajnë çmimin për qasjen krejt indiferente ndaj masave të qeverisë të cilat kanë si qëllim frenimin e virusit.

Me 29 gusht, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës raportoi për vdekjen e 36 personave nga COVID-19, dyfishi i vdekjeve krahasuar me një ditë më parë kur kishte 18 vdekje – duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 2,477 si dhe numrin e të infektuarve në 143,603 qysh nga shpërthimi i pandemisë në fillim të vitit 2020.

Si rezultat i kësaj, kryeministri Albin Kurti, bashkërisht me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, kanë marrë vendim për një seri masash të reja, përfshirë edhe mbajtjen obligative të maskave, orën policore prej orës 22 në mbrëmje deri në 5 të mëngjesit si dhe ndalimin e grumbullimeve të mëdha dhe dasmave. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse këto kufizime do të jenë të mjaftueshme për ta ndaluar përhapjen e mëtejmë të COVID-19?

Me gjasë jo. Ndërkohë që shumë shtete tjera filluan t’i vaksinojnë qytetarët e tyre në fillim të janarit të vitit 2021, Kosova i pranoi dozat e para të saj vetëm në fund të muajit mars. Një mungesë globale e vaksinave doli të jetë një pengesë e madhe për Ballkanin Perëndimor që të sigurojë vaksinat më herët, duke e bërë Serbinë iniciatore në blerjen e vaksinave kineze dhe ruse dhe t’i ndajë ato për pak kohë me disa nga fqinjët e saj. Kurti, megjithatë, ishte i vendosur ta presë ndihmën nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Më në fund, në fund të muajit mars, Kosova pranoi ngarkesat e para me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca nëpërmjet koalicionit ndërkombëtar COVAX. Pastaj, në fund të muajit maj, Qeveria e bëri publik marrëveshjen për blerjen e 1.2 milionë dozave Pfizer, të mjaftueshme për ta vaksinuar 60% të popullatës deri në fund të vitit. SHBA i dhuroi Kosovës 500,000 doza, me ngarkesat e para të cilat arritën me 19 gusht.

Megjithatë, sasia e mjaftueshme e furnizimit me vaksina nuk nënkupton që edhe qytetarët janë vaksinuar mjaftueshëm. Ndërkohë që varianti shumë ngjitës Delta nxiti një shpërthim në raste të reja, qeveria e Kosovës ndërmori një sërë masash gjatë secilit muaj, duke i lehtësuar ato masa në mënyrë graduale për shkak se numri i qytetarëve të vaksinuar rritej çdo ditë.

6 Prill: Ministria e Shëndetësisë njoftoi për masa të reja valide deri më 18 prill të cilat rezultuan me ndalimin e konsumimit të ushqimit nëpër restorante të mbyllura dhe po ashtu mbylli të gjitha dyqanet me pakicë përveç supermarketeve dhe barnatoreve. Ajo vendosi masat e orës policore nga ora 10 pasdite deri në 5 të mëngjesit, duke ndaluar lëvizjen në hapësirë përveç në raste urgjente, ndërsa shkollat do të vazhdonin mësimin online (në internet). Disa qytetarë të Kosovës i mirëpritën këto kufizime, megjithëse të tjerët – veçanërisht ata që ishin pjesë e industrisë së shërbimeve ushqimore – i kundërshtuan ato.

28 Maj: Mbajtja e maskave nuk është e obligueshme edhe më tutje për personat gjatë ecjes vetëm në ambient të jashtëm. Pronarët e dyqaneve duhet ta mbajnë të paktën një metër distancë ndërmjet klientëve.

23 Qershor: Grumbullimet në ambiente të jashtme tani janë të kufizuara deri në 30 për qind të kapacitetit të hapësirës me numër maksimal të personave deri ne 250, dhe grumbullimet në ambiente të mbyllura me numër maksimal të personave deri në 200. Për më tepër, 5 për qind e ambienteve të mbyllura mund të përdoren për aktivitete garuese dhe sport.

14 Korrik: Kapaciteti i hapësirës tani është rritur në 50 për qind për ambiente të mbyllura dhe në 70 për qind për ambiente të jashtme, dhe me numër të personave deri në 300 të cilët mund të marrin pjesë në dasma dhe manifestime tjera. Restaurantet mund të operojnë me 50 për qind kapacitet të ambienteve të brendshme, ndërsa tribinat sportive mund të përdorin deri në 15 për qind të hapësirës së brendshme dhe 30 për qind të hapësirës së jashtme.

Përkundër të gjitha këtyre rregulloreve të ndryshuara, realiteti nëpër rrugët e Kosovës ishte krejt më ndryshe. Shumica e qytetarëve nuk mbanin maska fare. Ceremonitë e dasmave shkelën në mënyrë flagrante kufizimet mbi hapësirën e lejueshme dhe në një rrethanë të paparashikuar, fillimi i orës policore nga ora 10 e mbrëmjes i detyroi qytetarët të grumbulloheshin teksa nxitonin drejt shtëpive të tyre. Vera në Kosovë është gjithmonë e gjallë dhe dinamike, me shumë qytetarë që shëtisin jashtë. Përveç kësaj, në verë kosovarët që jetojnë në diasporë vijnë në shtëpitë e tyre në Kosovë, duke i rritur shanset për përhapjen e virusit.

“Kosova po sillet si një vend i lirë nga COVID-19,” thotë një kabllogram i nënshkruar nga Ambasadori Philip Kosnett dhe i marrë nga korrespondenti për marrëdhënie me jashtë i Politico, Nahal Toosi. “Mirëpo, Kosova është një vend i shkatërruar nga pandemia. Në SHBA, nëse nuk mbani maskë në publik, mund të përfundoni në ndonjë video virale; në Kosovë, ka më shumë të ngjarë të bëheni trend nëpër mediat sociale për shkak se mbani një maskë. ”

Raporti në fjalë po ashtu tha se ambasada në Prishtinë ishte në limitet e saja, me afërsisht 20 për qind të punonjësve të saj, kryesisht punonjës lokal, të infektuar me COVID-19.

Përderisa mediat botërore po e paralajmërojnë një rritje të re të rasteve të koronavirusit, shumë pak kosovarë duken të shqetësuar për një gjë të tillë. Shumë prej tyre besojnë se sapo të infektohen, shanset për t’u infektuar përsëri me COVID-19 janë të pakta. Disa persona të dezinformuar ende mendojnë se vaksinat janë të pasigurta. Me gjithë faktin pse njerëzit vaksinohen çdo ditë, Kosova është futur në një garë me kohën për ta mposhtur variantin Delta – dhe është duke e humbur këtë garë.

Të dielën e kaluar, me një pamje mërzie në fytyrën e tij, Kryeministri Kurti deklaroi se qeveria e tij do të imponojë gjoba për të siguruar respektimin e rregullave, duke shtuar se nuk do të ketë “asnjë kompromis” dhe duke u bërë thirrje bashkëqytetarëve të tij që të mbajnë maska dhe ta praktikojnë distancën shoqërore.

Mes tjerash, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë do ta rrisë numrin e policëve dhe inspektorëve në mënyrë që të aplikohen rregullat në restorante, bare dhe qendra tregtare. Policia do të punojë me ndërrime 12-orëshe në vend të tetë orëve siç punojnë rregullisht, dhe do të ketë një komision i cili do ta bëjë vlerësimin e reagimit ndaj pandemisë në Kosovë. Kurti tha gjithashtu se kapaciteti i shtretërve nëpër spitalet e Kosovës është rritur në 1,600 sosh dhe se oksigjeni është i disponueshëm në pothuajse të gjitha spitalet. Deri më sot, 540,000 qytetarë e kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Mirëpo, qeveria po përballet me kritika lidhur me menaxhimin e saj në raport me reagimin ndaj pandemisë. Përderisa rregulloret e qeverisë janë të nevojshme, ajo që duhet të jetë temë debati është fakti se deri në ç’masë kosovarët duan që shteti të përfshihet në jetën e tyre të përditshme. A duam vërtet të na kontrollojnë kudo që shkojmë? Kjo është arsyeja pse ne, po ashtu, duhet të marrim mbi vete disa –  edhe pse urrej ta them – “përgjegjësi personale”.

Padyshim,  Kosova nuk do të arrinte në këtë pikë nëse do t’i kishim ndjekur udhëzimet me më shumë kujdes. Nuk do të duhej të prisnim që rregulloret të na mbrojnë ne dhe të tjerët. Vaksinat janë të sigurta, dhe maskat funksionojnë. Jo gjithmonë ato janë të rehatshme, por prapë ia vlejnë – dhe ato shpëtojnë jetë.

Rinora Jelliqi mban titullin B.A. në Shkenca Politike nga Kolegji Qendror në Iowa. Për 4 vitet e fundit Rinora punoi në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Iowa. Ajo tani është një kandidate MPA në Universitetin Drake. Ajo ka botuar artikuj në Washington Diplomat dhe Kosovo 2.0.

Opinionet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.