BURIMI - static.vecteezy.com
Përgjegjësia e institucioneve lokale për shëndet mendor
Termi “Shëndet Mendor” deri më tani ka hyrë në vetëdijen e qytetarëve të Kosovës, fatkeqësisht si pasojë e sfidave të ndryshme me të cilët jemi ballafaqu përgjatë pandemisë COVID-19.
Përgjatë mbylljes shumë individ, e sidomos prindërit dhe fëmijët e tyre, për herë të parë kanë dalë ballë për ballë me ndjenja depresive, të ankthit dhe në raste ekstreme, mendime për vetëlëndim.
Persona të cilët veç se kanë pasë sfida të tilla edhe para pandemisë e kanë gjetë vetë në një situatë ku edhe resurset e tyre minimale për vetëkujdesje janë zhdukur.
Përgjatë kësaj mbyllje gjysmë të plotë, diskutimet rreth shëndetit tonë mendor kanë ngjallë vetëdijesim në popullatë dhe kanë hapë rrugën për krijimin e shërbimeve emergjente nga organet qendrore dhe lokale. Shumë shpejtë janë hapur disa linja telefonike ku qytetar të brengosur për shëndetin e tyre mendor apo të të afërmve kanë pasë mundësinë që të telefonojnë dhe të marrin këshilla për kujdesin e tyre.
Mobilizimi i shpejtë i shoqërisë së psikologëve dhe bashkëpunimi me liderët tonë është konsideruar sukses dhe shërbimet e ofruara si jetike. Sot, të njëjtat shërbime janë lënë anash, të harruar dhe të pa përkrahur nga vetë institucionet të cilat u krenojshin me suksesin e tyre.
Histori të ngjashme kanë ndodhë edhe më herët në tema të ndryshme në Kosovë, mirëpo çka e dallon Shëndetin Mendor prej situatave të kaluara është mungesa totale e vullnetit politik për të marrë përgjegjësi për rritjen e shërbimeve. Duke u zhdukur në histori shërbimet e krijuara në momente të krizës, mbetim me një sistem të pa-koordinuar dhe të pa-financuar, i cili pritet që të jep mjaftueshëm kujdesje për të gjithë Kosovën.
Në moment ekzistojnë vetëm 7 qendra të shëndetit mendor në të gjithë Kosovën – këto qendra janë të mbingarkuara, me pak staf dhe shumë përgjegjësi.
Vetëm në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, një infermiere është përgjegjëse për së paku 100 raste aktive, ndërsa në të gjithë qendrën janë vetëm dy psikiatra aktiv.
Është e pa mundur që të përkrahen qytetarët me nevojë nga ky numër i profesionistëve, prandaj edhe numri i psikologëve privat (të paktën në Prishtinë) është i lartë dhe në rritje.
Çmimet për një seancë shpesh tejkalojnë atë që është e mundur të financohet nga një qytetar, prandaj kujdesja ndaj shëndetit mendor konsiderohet si luks.
Unë për veti marr trajtim privat, dhe ndonëse jam shumë i kënaqur me shërbimin dhe e konsideroj jetik për mua, një seancë më kushton 25 euro. Një person që ka nevojë për seanca një herë në javë i shpenzon 100 euro në muaj vetëm për kujdesin e tyre.
Në një shtet ku rroga mesatare është rreth 400 euro, kjo për shumë individ është e papërballueshme, dhe si të tillë duhet të vendosin ndërmjet një kualiteti të ultë të jetës apo shkatërrimit financiar – në raste ekstreme këta individ përfundojnë në vetëvrasje.
Një ndër arsyet kryesore për këtë sistem të mbingarkuar është mos-përgjegjësia e pushteteve lokale ndaj shëndetit mendor të qytetarëve të tyre.
Qendrat e Mjekësisë Familjare kryejnë shërbime të ndryshme shëndetësore për qytetarët e komunës. Për shumë prej tyre, ato gjithashtu janë pikat e para referente për marrjen e shërbimeve shëndetësore në Komunë.
QMF-t janë të shpërndara në lokacione dhe dallojnë në kapacitete, por sidoqoftë ekziston mundësia për qytetarët që të marrin konsultimin e duhur për shëndetin e tyre. Kjo nuk vlenë për probleme të shëndetit mendor.
Deri më tani, kemi marrë konfirmim vetëm nga një QKMF në Kosovë (QKMF në Ferizaj) për punësimin e psikologëve. Rrjedhimisht, qytetarët të cilët kërkojnë ndihmë në QMF të tyre drejtohen vetëm në Qendra të Shëndetit Mendor, prandaj vjen deri në mbingarkesë.
Ky (mos)menaxhim i shërbimeve të shëndetit mendor në pushtete lokale rrjedhë nga një mendësi se e gjithë përgjegjësia duhet të mbetët në nivelin qendror dhe arrinë nivele absurde të joprofesionalizmit. Kur kemi kërkuar nga komunat e ndryshme që të na informojnë rreth numrit të Psikologëve të punësuar, investimet në shëndet mendor dhe buxhetin e dedikuar për shëndet mendor, automatikisht përgjigja ka qenë që të drejtohemi tek Qendrat e Shëndetit Mendor.
Kjo përgjigje ka qenë paradoksale, duke e konsideruar se disa prej investimeve vetëm se janë publike, siç është në Prishtinë përkrahja e Linjës së Jetës, në Prizren shërbimi emergjent telefonik, etj. Shumë prej tyre nuk ishin në gjendje as të na informojnë rreth numrit të psikologëve në shkolla, apo buxhetit të ndarë për shëndet mendor.
Disa prej tyre (me të drejtë) na kanë informuar se numri i profesionistëve varet nga niveli qendror, mirëpo të njëjtit nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për rritje të kapaciteteve, e cila është e drejtë e tyre si komunë.
Duke e ndjekë këtë logjikë, Komunat portretizohen vetëm si instrument i shtetit për të ekzekutuar vendimet e tyre, rrjedhimisht mund të pyesim vetën se pse ekzistojnë Drejtoritë e Shëndetësisë nëse nuk kanë kapacitete të marrin vendime të veta.
Kjo gjendje nuk mund të vazhdoj si e tillë. Kosova, si shtet i pasluftës, ende ballafaqohet me probleme serioze të shëndetit mendor, të cilat veç se kanë dalë në pah dhe vazhdojnë të zbulohen më shumë gjatë periudhës së pandemisë.
Brenda 20 viteve të fundit më shumë se 1000 persona kanë përfunduar në vetëvrasje dhe janë zhvilluar mbi 2000 tentime, ndërsa vetëm në vitin 2020, 36 persona kanë përfunduar në vetëvrasje.
Është koha që të kërkohet nga udhëheqësit tonë lokal që të marrin përgjegjësi për shëndetin mendor të qytetarëve të tyre.
Në pika të shkurta, çka mund të bëjnë komunat krahas shëndetit mendor:
- Të kërkohet nga Ministria e Financave që të rritet numri i psikologëve në QMF dhe shkolla.
- Të trajnohet stafi shëndetësor dhe arsimor në parime bazike të kujdesit ndaj shëndetit mendor.
- Rritja e investimeve në promovimin e shërbimeve të shëndetit mendor.
- Transparencë në shërbimet dhe investimet në shëndet mendor.
- Sigurimi i zbatimit të kodit të etikës në shërbimet e shëndetit mendor.
Në këto zgjedhje lokale e kemi mundësinë që të kërkojmë nga kandidatët plane konkrete për pikat më lartë. Është e domosdoshme që të kuptojnë se këto kërkesa nuk janë luks, por të domosdoshme në Kosovën të cilën jetojmë.