Përfitimet nga Kujdesi në Një Kohë Pasigurie

Ballina e raportit “Mundësitë ekonomike globale” të publikuar para pak kohe nga Banka Botërore tregon një anije që lundron pa drejtim në mjegullën e padepërtueshme, pa një pamje të qartë për rreziqet përpara. Marinarët kanë më shumë drojë nga mjegulla dezorientuese se sa nga stuhitë dhe deti i trazuar, për shkak se ajo ua heq sigurinë, aftësinë e tyre për të vlerësuar (dhe për të reaguar) rreziqet përpara. Në këto situata, ata duhet të bazohen në ndjeshmëritë e tyre, të fokusohen në rreziqet e menjëhershme dhe të zvogëlojnë shpejtësinë e udhëtimit të tyre duke ruajtur aftësinë për manovra të shpejta. Esencialisht, e njëjta sfidë vlen edhe për politikë-bërësit, zyrtarët e Bankës Qendrore, firmat dhe amvisëritë, e zëna në Mjegullën e Madhe të Pasigurisë që paraqet viti 2012. Aftësia për të parashikuar zhvillimet ekonomike pengohet nga niveli i lartë i pasigurisë për atë se a do të mund të menaxhohen politikisht apo do të rezultojnë në fatkeqësi dhe thyerje a) kriza e borxhit sovran dhe konkurrueshmërisë në zonën jugore të euros; b) pozita fiskale në përkeqësim në SHBA dhe/apo c) lëndueshmëria e shtuar ndaj turbo-ekonomisë së Kinës. Për shkak të kësaj, bankat dhe investitorët në gjithë botën – të ballafaquar me vështirësi të mëdha në hartimin e kursit të tyre – janë bërë shumë të kujdesshëm (të shqetësuar) në vendim-marrjen e tyre. Përderisa instrumenti i Bankës Qendrore Evropiane prej 500 milionë eurove për kredidhënie bankave me seli në eurozonë dhe marrëveshja e paradokohshme politike për pakon e dytë shpëtimtare për Greqinë duket se po shënojnë një rimëkëmbje graduale nga brengat e vazhdueshme të eurozonës, afërsia gjeografike ndaj epiqendrës së krizës ka ekspozuar vendet e Evropës Juglindore – më shumë se sa rajonet tjera të botës – ndaj rreziqeve që dalin nga thellimi potencial i krizës financiare dhe ekonomike. Eurozona 17-anëtarëshe (partneri më i rëndësishëm tregtar i Ballkanit, burim i punësimit të diasporës, dhe rajon i origjinës për rrjedhën e kapitalit që rrit produktivitetin) parashikohet të rrëshqasë në një recesion të butë në vitin 2012, me efekte negative në investimet e huaja direkte dhe në të ardhurat e përgjithshme nga remitencat. 

Në kontekstin e tashëm ekonomik, dy faktorë kanë kontribuar në mënyrë më direkte në (perceptimin për) lëndueshmërinë ekonomike, në radhë të parë pozita e paqëndrueshme fiskale dhe fragjiliteti i sektorit bankar. Dhe mu për shkak të këtyre dy faktorëve të rrezikut ekonomia relativisht e zellshme kosovare, me një shkallë rritjeje të parashikuar prej 5 për qind në vitin 2011, është dalluar si një shembull i menaxhimit të kujdesshëm ekonomik. Me një deficit fiskal prej më pak se 2 për qind të BPV-së vitin e kaluar dhe me një madhësi të borxhit publik prej rreth 6 për qind të BPV-së, Kosova e gjen veten brenda kritereve fiskale të Mastrihtit dhe afër performuesve më të mirë të Evropës si Estonia, Finlanda dhe Luksemburgu. Sektori bankar po ashtu është treguar shumë i qëndrueshëm ndaj keqësimit të ambientit të jashtëm – në masë të madhe si pasojë e pasqyrës së vet konzervative dhe vendimeve për huadhënie pa rrezik të bëra para, gjatë dhe pas krizës së fundit. Sistemi bankar kryesisht në pronësi të huaj ka mbetur mirë me kapital, është likuid, dhe profitabil gjatë gjithë kësaj kohe. 

Në vitin 2011, kosovarët u kanë besuar bankave rreth 2.1 miliardë euro në depozita (45 për qind e BPV-së), përderisa kanë marrë hua nga bankat rreth 1.7 miliardë euro (36 për qind e BPV-së). Shkalla e rritjes për depozitat (8.5 për qind) dhe për kreditë (16.4 për qind) ka qenë e qëndrueshme dhe përgjithësisht e shëndoshë. Ndryshe nga situata në vendet fqinje, proporcioni kredi-depozitë, një faktor rreziku në një ambient të likuiditetit të shtrënguar, ka mbetur konstant në afër 80 për qind, duke rezultuar në pasqyra bankare shumë të mira. 

Ngjashëm, përqindja e ulët e kredive të këqija, që ka përfaqësuar 5.7 për qind të kredive të përgjithshme në dhjetor të vitit 2011 (rënie nga 5.9 për qind një vit më herët), është marrë parasysh në shkallën prej 117 për qind dhe si e tillë është absorbuar plotësisht nga vet sistemi bankar. Si rezultat, sipas informacionit të ofruar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, bankat kanë qenë në gjendje të rrisin profitin e tyre për 12.8 për qind, në 37 milionë euro në vitin 2011.

Qysh në vitin 2009, nga sektori bankar është kërkuar që të “dëshmojë” fuqinë e vet. Përderisa në vendet tjera në rajon, depozitet bankare kanë rënë si përgjigje ndaj krizës globale financiare dhe ekonomike të inicuar nga kolapsi i “Lehman Brothers” në fund të vitit 2008 (në mënyrën më dramatike në Mal të Zi), bankat në Kosovë kanë përjetuar vetëm një zvogëlim të butë të rritjes së depozitave. Ngjashëm, edhe thyerja e kreditimit që pasoi krizën në vendet fqinje (sërish, në mënyrën më të ashpër në Mal të Zi) nuk u materializua në Kosovë, ku ndikimi ishte i vogël dhe i përkohshëm. Përderisa efektet afat-gjate të krizës, siç janë ato të shkaktuara nga shkalla e lartë dhe në rritje e kredive të këqija kanë penguar rimëkëmbjen ekonomike në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri, përqindja e thyerjeve kreditore në Kosovë ka mbetur e menaxhueshme dhe kryesisht stabile gjatë ciklit të biznesit. Edhe indikatorët e tjerë të sektorit bankar, përfshirë këtu ata të likuiditetit, kapitalit adekuat, dhe profitabilitetit, kanë reaguar ndaj krizës së fundit më pak se sa në vendet tjera të Evropës juglindore, ashtu që kanë siguruar tregun se sektori bankar është i aftë për të absorbuar tronditje të tjera (nëse paraqitet nevoja), dhe kanë minimizuar rrezikun që bankat e huaja mëmë të kenë nevojë për konsolidime dramatike të pasqyrave të bilancit në Kosovë (që do të kufizonte edhe më shumë qasjen e sektorit privat në financim). 

Ekonomia e Kosovës “ka paguar” për shëndetin dhe forcën e sektorit bankar nëpërmjet normave relativisht të larta të interest të aplikuara në kredi dhe vështirësisë së përgjithshme për të marrë financim bankar. Këto dy karakteristika reflektojnë koncentrimin relativisht të madh në sektorin financiar që dominohet nga tri banka, nga furnizmi i kufizuar i produkteve financiare, dhe nga vlerësimi i rrezikut nga projektet e propozuara të bërë brenda nga bankat. Një kombinim i njohurive të pamjaftueshme financiare, mbrojtjes së kufizuar të konsumatorit, informatava të pasakta financiare, planeve joprecize të biznesit, kolateralëve të pazbatueshëm apo që nuk janë në dizpozicion dhe kërkesave për konsolidim të pasqyrave të bilancit nga selitë e bankave pas krizës, kanë kontribuar që bankat të kenë një sjellje konzervative në kredidhënie. Kështu është ndihmuar shmangja e ciklit lulëzim-shpërthim që është parë në Mal të Zi dhe, në një masë më të vogël, në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. 

Mirëpo në mungesë të tregjeve të letrave me vlerë të korporatave, bankat komerciale janë kanali kryesor nëpërmjet të cilit sektori privat financon investimet e veta. Nëse bankat nuk mund ta bëjnë këtë apo nuk duan (gjithnjë e më shumë), efektet janë të menjëhershme dhe negative për ekonominë në tërësi. Shembulli më ekstrem i pasojave të thyerjes së kreditimit në aktivitetet ekonomike mund të vëzhgohet në Mal të Zi, që tash ka përjetuar 13 çerekë viti të njëpasnjëshëm të rritjes negative të kredive për sektorin privat. Në prag të ciklit lulëzim-shpërthim, kreditë e këqija dhe faturat e papaguara janë rritur në mënyrë dramatike në sektorin privat të Malit të Zi, duke ndikuar edhe pasqyrat e bilancit të kompanive që përndryshe ishin të shëndosha. Rreziqet në Kosovë janë të një natyre krejtësisht të ndryshme, mirëpo janë shumë më të vështira për t’u parashikuar në aspekt të gjasave dhe efekteve. Në parim, kushtet për financim në Kosovë do të keqësoheshin nëse bankat mëmë (bankat më të mëdha i kanë selitë në eurozonë) do të ballafaqoheshin me probleme me bazën e tyre të kapitalit dhe me kushtet e financimit dhe nëse bankat vendore do të ekspozoheshin ndaj efekteve sekondare nga një rrjedhë potencialisht më e ulët e remitencave, eksporteve, dhe investimeve të huaja direkte (që do të rezultonte me një përkeqësim të kualitetit kredidhënës të bankave).

Për fund, ekziston vetëm një lloj i frymës së freskët që mund të çajë mjegullën dhe të përmirësojë vizibilitetin e përgjithshëm. BQK duhet të ndërtojë mbi të arriturat e veta, të rrisë kapacitetin e vet për të mbikëqyrur me kujdes zhvillimet në sektorin bankar, përfshirë këtu edhe ato fusha ku bankat komerciale janë më së paku komode me ndarjen e informatave të sakta – si klasifikimi adekuat i kredive. Vet bankat, agjencia mbikëqyrëse, dhe të gjithë pjesëmarrësit e tregut mbështeten në këtë informacion dhe në fund përfitojnë nga ai. Kur asgjë nuk mund të shihet, atëherë ka shumë gjasa të ndodhë përplasja. 

(Jan-Peter Olters është Menaxher i Bankës Botërore për Kosovë).