Faton Fetahu - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përfaqësimi i komunitetit serb në Qeverinë 'Kurti II' - Vendimi i Kuvendit a e shkeli Kushtetutën?

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të mbajtur të hënën pas dite (22 mars), edhe ashtu siç pritej, kandidati i emëruar për Kryeministër, paraqiti para deputetëve, përbërjen e Qeverisë.

Nga tre (3) zëvënëskryeministra dhe katërmbëdhjetë (14) ministra, një (1) zëvëndëskryeministër dhe tre (3) ministra përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kosovë. Emilja Rexhepi, para se të zgjedhej në Qeveri si zëvëndëskryeministre për çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, ka përfaqësuar komunitetin boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Elbert Krasniqi, para së të zgjedhej Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka përfaqësuar komunitetin egjiptian në Kuvendin e Kosovës, Fikrim Damka para së të zgjedhej Ministër i Zhvillimit Rajonal, ka përfaqësuar komunitetin turk në Kuvendin e Kosovës, si dhe Goran Rakic, (jashtë radhëve të deputetëve) është propozuar dhe votuar Ministër për Komunitete dhe Kthim, nga ana e deputetëve që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Por, gjatë punimeve të kësaj seance, përfaqësuesit e komunitetit serb, shprehen pakënaqësinë e tyre për nivelin e pamjaftueshëm të përfaqësimit të komunitetit të tyre në Qeveri, duke pretenduar se këtij komuniteti (i organizuar në Kuvend prej dhjetë deputetëve serb) i takon hise më e madhe në Qeveri, nën supozimin se Kushtetuta ua garanton këtë përfaqësim edhe më të madh se sa propozimi i kandidatit për kryeministër, për çka edhe paralajmëruan dërgimin e vendimit të Kuvendit, në Gjykatën Kushtetuese.

Pa paragjykuar dërgimin ose jo të kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese dhe pa trajtuar aspektin e kritereve të pranueshmërisë së kërkesës eventuale në këtë gjykatë, në këtë shkrim do të përqëndrohemi vetëm në aspektet kushtetuese të cilat janë relevante në përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, me theks të veçantë, në obligimin kushtetues (ose jo) të përfshirjes së përfaqësuesve politikë të komunitetit serb (nga rradhët e këtij komuniteti – “Lista Serbe”, e cila ka deklaruar se përfaqëson komunitetin në fjalë), në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Janë tre dokumente kushtetuese që duhet të merren parasysh në këtë rast dhe para tyre nuk ka efekt asnjë rregull tjetër ligjore apo marrëveshje e caktuar politike, për sa i përket përbërjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, në aspektin e përfaqësimit të komuniteteve: 1. Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Final të Kosovës, 2 shkurt 2007; 2. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008; 3. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, 9 prill 2008.

Para se të analizohet lidhshmëria e këtyre tre dokumenteve dhe pasojat që prodhojnë duhet të kemi parasysh që shteti i Kosovës është krijuar dhe është njohur nga shtetet e tjera në bazë të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, 2 shkurt 2007 dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës me 17 shkurt 2008.

Edhe në aspektin ndërkombëtar (i vërtetuar sipas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë) shteti i Kosovës është krijuar sipas obligimeve që kanë dalë nga Propozimi Gjithëpërfshirës. Të gjitha detyimet e dala nga Propozimi Gjithëpërfshirës janë marrë si obligim që të zbatohen nga Republika e Kosovës përmes Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës 17 shkurt 2008.

Ndërkaq, Kushtetua e Republikës së Kosovës, çështjes së përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i kushton rëndësi të madhe, prandaj edhe si të tillë e ka përcaktuar në dispozitat e saj, duke vendosur pragun minimal të përfaqësimit të komuniteteve jo shumicë në Qeveri dhe kushtet e procedurat për të siguruar zbatimin e drejtë të këtij niveli të përfaqësimit.

Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës, çështjen e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në përbërjen e strukturës së Qeverisë e ka paraparë në nenin 5 të tij, dhe tre paragrafët e këtij neni (5.1, 5.2 dhe 5.3) janë vendosur të pandryshuar në Kushtetutë, respektivisht në paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 96 (Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve) të saj.

Ndërkaq, sa i përket përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në nivel të ministrave, paragrafi 3 i nenit 96, shprehimisht përcakton:

(3) Në Qeveri do të jenë së paku një (1) Ministër nga komuniteti Serb dhe një (1) Ministër nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse janë më shumë se dymbëdhjetë ministra, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet joshumicë në Kosovë.

Gjithashtu, edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008, e përcakton detyrimin e shtetit të Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës. Pika 3 e Deklaratës e cila e obligon shtetin e Kosovës, sepse kjo deklaratë ka karakter obligativ për secilin dimension kushtetues të shtetësisë së Kosovës, dhe përmban këtë detyrim:

…”3. Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre…”.

Siç mund të shihet, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës i ka dhënë karakter obligativ dispozitave të Propozimit Gjithëpërshirës, që nënkupton se me rastin e krijimt të shtetit, Kosova përmes kësaj deklarate ka marrë obligim dhe detyrë të zbatoj secilën dispozitë të Propozimit Gjithëpërfshirës dhe këtë më së miri e vërteton edhe gjuha e pikës 3 e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, lidhur me obligimet në raport me zbatimin e të drejtave të komuniteteve jo shumicë.

Ndërkaq, vështruar nenin 96 të Kushtetutës, i cili përcakton strukturën e brendshme të qeverisë, mënyrën e organizimit të saj dhe rezervimin e vendeve në qeveri për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë, jo vetëm se garanton një minimum të përfaqësimit të tyre në Qeveri, por edhe obligon krijimin e një Qeverie me përbërje shumë etnike.

Meqë normat kushtetuese të nenit 96, paragrafët 3, 4 dhe 5 garantojnë pozita qeveritare për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe të ndonjë komuniteti tjetër joshumicë, (së paku nga një prej tyre, një serb dhe një nga radhët e komuniteteve tjera) janë garancione të mjaftueshme kushtetuese që përbërja e Qeverisë, nuk mund të shmang përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve në Qeveri. E kundërta e kësaj, do të mund të ishte një shkelje e pritshme kushtetuese.

Vlen të theksohet se paragrafi 3 i nenit 96, përveç që vendos pragun minimal të përfaqësimit të komunitetve në qeveri, e lejon edhe mundësinë që qeveria të ketë më shumë se dy ministra të tillë, varësisht nga struktura numerike e përbërjes së saj.

Pra, është e kuptueshme dhe e pakontestueshme që Qeveria, gjithmonë e në cilindo rast, duhet të pasqyrojë përbërjen shumë etnike të komuniteteve të shoqërisë kosovare.

Madje, dispozitat e paragrafit 5 të nenit 96, shprehimisht përcaktojnë obligimin kushtetues të mandatarit për të formuar qeverinë, për të zhvilluar konsultimet e nevojshme me partitë, me koalicionet ose grupet që përfaqësojnë komunitetet (në Kuvend) që nuk janë shumicë në Kosovë, konsultime të cilat do të rezultonin me koalicion parlamenatar me përfaqësuesit e komunitetit respektiv, në mënyrë që suksesshëm të arrihet deri te zgjedhja dhe emërimi i një apo disa ministrave apo zëvëndësministrave nga ai komunitet.

Ndërsa, në rastet kur zgjedhja dhe emërimi i ministrit/zëvendësministrit caktohet jashtë përbërjes së parlamentit, Kushtetuta shprehimisht kërkon që të zbatohet detyrimi që ai/ajo kandidat/e të votohet nga shumica e deputetëve që i përkasin atij komuniteti në Kuvend, si kusht i domosdoshëm që kandidatura të konsiderohet e suksesshme, në të kundërtën ajo kandidaturë e propozuar nuk kalon.

Si përfundim dhe nga sa u tha më sipër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në çështjen e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në Qeveri, është mjaft e ngurt dhe nuk lejon në asnjë rast, tejkalim nga vullneti i shumicës së deputetëve të një grupi parlamantar joshumicë (qoftë nga komuniteti serb apo komunitetet tjera), që në zgjedhjen dhe emërimin në poste ministrore të garantuara për ato komunitete, të cakohen njërëz jashtë vullnetit dhe pa pajtimin e tyre.

Po ashtu, vlerësuar këtu edhe nivelin e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në qeverinë Kurti II të votuar nga Kuvendi në seancën e jashtëzakonshme të tij, konsideroj se është vepruar në pajtim dhe në zbatim të nenit 96 të Kushtetutës, për arsye se sipas të njejtit, nuk vendoset obligimi shprehimor që në rast se Qeveria ka më shumë se dymbëdhjetë ministri, të emërohet domodoshmërisht edhe ministri i dytë nga rradhët e komunitetit serb, aq më tepër që paragrafi 3 i këtij neni, nën rrethana të tilla, shprehimisht kërkon emërimin e ministrit nga një komunitet tjetër joshumicë, përtej (dy) komuniteteve që kanë përfituar nga pragu minimal i përfaqësimit i garantuar sipas këtij paragrafi.

Vendimet e qeverisë në detyrë & vakumi juridik dhe pasojat (I)

Faton FETAHU

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike