Foto: Facebook/Arsim Canolli

‘As e Dushanit, as e Sulltanit’ - Tendencat e tjetërsimit të trashëgimisë kulturore të Kosovës

 

Në vitin 2016, Kisha Ortodokse Serbe (KOS), kishte kërkuar që të rikonstruktojë gërmadhat e një kishe (Kishës së Shën Kollit) në Manastirin e Kryeengjëjve në Prizren. Kërkesa qe refuzuar nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK). Po e shpjegojmë shkurt.

Manastiri i Kryeengjëjve është vendvarrim i Car Dushanit deri më 1925. Atëbotë, eshtrat e tij ishin dërguar në kishën e Shën Markut në Beograd, e cila qe ndërtuar sipas modelit të Manastirit të Graçanicës. Arkeologët serbë, e kanë ruajtur këtë lokalitet që prej atëherë.

As gjatë komunizmit, nuk ka pasur tentime për rikonstruktime aty. Në vitin 2004, në revoltën e marsit, konaku ku banojnë priftërinjtë e atij manastiri qe djegur, siç qenë djegur një numër goxha i madh i kishave e manastireve të menaxhuara nga KOS-i. Fatkeqësisht, arsyet ende nuk dihen qartë, sepse s’ka pasur hetim të thukët. Pas disa viteve, 70% e këtyre kishave qenë renovuar, me fonde amerikane e kosovare. Kanë mbetur edhe 30 % e tyre pa renovuar, kryesisht shkaku i refuzimit të KOS-it për të pranuar buxhetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), gjegjësisht të shtetit të Kosovës.

Kërkesën për rikonstruktimin e Kishës së Shën Kollit e kishte refuzuar IMMK (më 2016) duke u bazuar në vendimin e një Komisioni Profesional të saj, të elaboruar mjaft mirë e mjaft qartë.

Atëbotë, bota u tund për të denigruar MKRS-në se “s’po lë të rikonstruktohet një kishë e vogël” për komunitetin serb. Por, MKRS nuk u zmbraps, sepse ua kishte lënë vendimin profesionistëve të fushës dhe kishte qëndruar pas tyre, duke mos pranuar asgjë tjetër pos atë që vendosin profesionistët sipas delegimit të autorizuar.

Për këtë kam shkruar dhjetëra herë në mediet tona, duke shprehë shqetësimin për synimet ideologjike të KOS-it dhe disa zyrtarë të BE-së dhe organizatave të tjera në Kosovë, të cilat synonin, në mënyrë silente, tjetërsimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Ku qëndronte problemi?

Problemi ishte jo te një kishë, por te precedenti i krijuar nga KOS-i, për të fituar betejën në “diskrecionin e plotë për rikonstruktim” të gërmadhave të kishave mesjetare, në emër të rindërtimit të kishave të dëmtuara më 2004.

Madje, pas kërkesës së MKRS-së së asaj kohe, edhe zyrtarë ndërkombëtarë të UNESCO-së patën ardhur në përfundim se rindërtimi i gërmadhës së kishës së Shën Kollit në Manastirin e Kryeengjëjve në Prizren është i papranueshëm sipas konventave të UNESCO-s e parimeve kryesore të ndërhyrjes në lokalitete arkeologjike, siç edhe cilësohet ai lokalitet.

Me asnjë konventë ndërkombëtare, nuk guxohet të rindërtohet diçka e re mbi gërmadha të vjetra. Shtetet kanë bërë rikonstruktime, por vetëm duke plotësuar kriteret e dokumentacionit të plotë të gjendjes para se një objekt është shkatërruar, kriteret e autenticiteti të materialit ndërtues dhe kriterin e vlerës trashëgimore për komunitetin përreth. Ka pasur raste kur edhe ka pasur shkelje dhe rindërtimet janë realizuar, por ato janë shkelje e të gjitha parimeve e rregullave.

E në Kosovë, me rastin e Kishës së Shën Kollit, synohej të bëhej precedenti dhe pastaj të përsëritej për qindra vende të tjera, sepse sipas ideologëve nacionalistë radikalë serbë, të cilët punojnë sipas hartave të Cvijiqit të hershëm e Batakoviqit të vonë, ekzistojnë diku rreth 1000 lokalitete me “gjurmë serbe”.

Tendenca për rikonstruktim të tyre është asgjë tjetër pos tjetërsim ideologjik i trashëgimisë kulturore të Kosovës. Jo kot thonë disa akademikë serbë: “shqiptarët mund të valëvitin flamuj mbi dhe, por ajo është toka e martirëve e kishave tona, djepi ynë”. Ky është synim ultranacionalist ideologjik për ta zhbërë kulturalisht Kosovën si identitet të ri, duke theksuar se kjo “krijesë e SHBA-së”, është artificiale dhe pa trashëgimi, siç e thonë në të gjitha rastet edhe politikanët edhe OJQ-të edhe akademikët serbë. Mjafton të shohësh shkrimet e fundit mbi këto çështje dhe të kuptosh këtë.

Pra, kërkesa e Serbisë është kërkesë e gjithë akterëve atje, diskursi ultranacionalist serb nuk është vetëm te politikanët serbë, por ka konsensus në të gjitha sferat intelektuale. Me gjasë, kjo do të jetë edhe temë dialogu në të ardhmen e afërt dhe Kosova duhet të përgatitet për këtë, sepse mund të kërkohen koncesione të reja që shkojnë përtej Ahtisarit, gjë që do ta dëmtonte stabilitetin kulturor e demokratik të Kosovës.

Pse nisa me Kishën Ortodokse Serbe? Pse me Dushanin?

Sepse, në anën tjetër, tendenca për tjetërsim të trashëgimisë kulturore të Kosovës ka edhe nga akterët e ideologjisë erdoganiane, gjegjësisht nga akterët e krijuar, kontrolluar apo financuar nga shteti turk. Jo ndoshta me të njëjtin vrull e intensitet, por tendenca ka. Një prej këtyre organizatave është edhe TIKA, e cila synon të promovojë rivitalizimin e “legacisë osmane” në Kosovë, përmes imponimit të politikave të saj në institucionet e Republikës së Kosovës.

Kësaj tendence për rivitalizim të trashëgimisë osmane, i ndihmojnë edhe akterë lokalë, shpesh edhe filialet e Bashkësisë Islame, siç ka qenë rasti me tendencën e rindërtimit të xhamisë në kalanë e Prizrenit, po ashtu në vitin 2016, mbi gërmadha të së vjetrës.

TIKA bën investime të shumta në Kosovë e Shqipëri e gjetiu, shumë sosh janë në sfera të tjera, por intenca kryesore e TIKA-s  duket të jetë që përmes një strategjie shumëdimensionale të shtrijë ndikimin e saj njëdimensional: Rivitalizimin e legacisë osmane sulltaniane si legaci e lavdishme në Kosovë dhe të garojë me imazhin apo narracionin historik shqiptar, serb dhe perëndimor në përgjithësi. Përderisa serbët synojnë të delegjitimojnë Kosovën përmes të drejtës historike, Turqia e Erdoganit synon ta legjitimojë Kosovën si hise e trashëgimi osmane, e cila mundka të rivitalizohet dhe t’i shërbejë interesit turk.

Synimi perëndimor dihet: Ta legjitimojë shtetësinë e Kosovës si vend demokratik e të suksesshëm, ku mbizotëron modeli kulturor e politik demokratik e pluralist.

Edhe kishat edhe manastiret, edhe xhamitë edhe teqetë, edhe varrezat edhe mullinjtë, edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës edhe NEWBORN-i, të gjitha janë trashëgimi kulturore e Kosovës dhe duhet të mbrohen si trashëgimi e popullit të Kosovës, pa dallime. Të gjitha komunitetet fetare e kulturore, gjuhësore e etnike, duhet të respektohen e mbrohen. Por, ato nuk duhet të tjetërsohen për interes të askujt. Interpretimi i tyre duhet të jetë objektiv e korrekt, jo ideologjik e politik.

Hapësirat e tyre nuk duhet të lejohen të krijojnë përçarje në interpretimin e trashëgimisë si shtresim trashëgimor pluralist i Kosovës, sepse trashëgimia kulturore e Kosovës është e pasur, shumë më e pasur se 500 vjet. Ajo duhet të interpretohet siç ka qenë. Nëse është gërmadhë, ajo mund të konzervohet e restaurohet, jo të rindërtohet sepse rindërtimi i plotë konsiderohet falsitet dhe zakonisht i shërben ideologjisë së kohës. E aty ku ligjërisht mund të restaurohet e ridestinohet, të bëhet me kujdesin maksimal ndaj autenticitetit të kohës apo vlerave të cilat shoqëria në përgjithësi i mishëron, jo sipas interesit ideologjik politik të dikujt.

Ku po dalim?

Te Hamami i Madh i Prishtinës. Hamami i Madh i Prishtinës është një objekt i trashëgimisë kulturore të Kosovës, i mbrojtur me ligj. Objekti ka një histori të trishtë të restaurimit pas luftës dhe është në gjendje mjaft të rëndë, sa që institucionet tona të vlerësimit e kanë konsideruar se ka humbur autenticitetin.

Kjo nuk është shpjeguar asnjëherë mirëfilltas dhe përputhshëm me kriteret se si vlerësohet autenticiteti në objekte të tilla, por duke konsideruar se Kosova ka institucione të brishta të konservimit (nënkupto gjithë procesin e konservimit), është pranuar si vlerësim final. Javën e kaluar u bë lajm javor tema e “Hamamit të Prishtinës”. Po i shohim disa fakte. Të mërkurën më 24 mars 2021, në uebfaqen e komunës së Prishtinës u dha lajmi se “Nënshkruhet Memorandum Bashkëpunimi lidhur me realizimin e projektit të restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë”. Por, në lajm u shfaq një fotografi që paraqiste një rikonstruktim të Hamamit me një emër tjetër “ FATIH HAMAMI MÜZESİ” – në gjuhën turke, që do të thotë “Muzeu i Hamamit të Pushtuesit”, duke iu referuar Sulltan Mehmet Pushtuesit II. Pastaj të premten më 26 mars 2021, drejtori për kulturë i Prishtinës kërkoi falje për gabimin, duke theksuar se është lëshim teknik, sepse kërkesa e TIKA-së është refuzuar. Pastaj doli kryetari i komunës menjëherë dhe e demantoi dhe tha se s’ka pasur kërkesë nga TIKA.

Pyetjet që janë ngritur më herët janë: A ka leje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për këtë rikonstruktim? Si duket, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të  Kosovës (IMMK), një institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, (MKRS) ka dhënë leje për restaurimin e Hamamit, por vetëm duke kushtëzuar TIKA-në që të respektojë emërtimin e vjetër “Hamami i Madh i Prishtinës” e jo emërtimin e ri. Por, çështja nuk qëndron te vetëm te emri, por te leja për restaurimin dhe disenjimin e hapësirës muzeale, nëse hamami qenka lejuar të ridestinohet në muze. Pyetjet shtrohen:

Çfarë lloj muzeu? Çfarë lloj rikonstruktimi? Mbi çfarë kriteresh? Çfarë plani menaxhues është përpiluar dhe nga kush? A është ftuar komuniteti përreth, profesionistët, insitucionet e hisedarët në dëgjime publike për planin menaxhues siç parashihet me ligj?

As komuna e Prishtinës as TIKA nuk e kanë dhënë asnjë informacion rreth muzeut të ri. Pyetja shtrohet, si mund të restaurohet e t’i ridestinohet qëllimi një objekti në zemër të Prishtinës, pa u ditur se në çfarë objekti/hapësire do të shndërrohet? Çfarë qëllimi është qëllimi i ri? Komuna paguan me taksat e qytetarëve dhe gjërat duhet të jenë transparente.

Andaj, këtu një sqarim duhet ta japë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që sipas ligjit të trashëgimisë kulturore ka të drejtë të shqyrtojë vendimet e IMMK-së, institucion vartës i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Me ligj, ministri i Kulturës është gardiani kryesor i tashëgimisë kulturore të Kosovës. Pra, nëse ai ende kujdeset dhe ka sensitivitet për trashëgiminë kulturore, siç kujdesej sa ishte në organizatën “EC MA NDRYSHE” si pjesëtar i shoqërisë civile në Prizren, duhet të shohim se si do të VEPROJË MË NDRYSHE, si ministër në Prishtinë. Megjithëse IMMK është e autorizuar të japë leje për restaurim-konservim që nga vitit 2015, përgjegjësia kryesore do t’i mbetet ministrit, siç u ka mbetur të tjerëve para tij, për gjithçka që kanë bërë.

Çka tjetër?

Dje doli në medie online, një version i kontratës apo memorandumit të bashkëpunimit me komunës së Prishtinës dhe TIKA-së që përcakton kushtet e bashkëpunimit. Memorandumi, që ende nuk dihet a është origjinali, thekson se TIKA ka hise disa vjeçare të shfrytëzoj hapësirën e muzeut të ri (të rikonstuktuar mbi Hamam) dhe të organizojë pothuajse çfarë të dojë aty. Po ashtu, fondet e komunës së Prishtinës (500, 000 euro) do t’i jipen TIKA-së për t’i menaxhuar e shfrytëzuar fondet për projektin), hapësirat do të shfrytëzohen për 1200 ditë apo 3 vjet brenda 30 vjetëve nga TIKA dhe institucionet tjera turke në Kosovë (që nuk përcaktohet cilat) si kundërshpërblim. Pra, donacion me bisht, siç do të thuhej në popull.

Nuk njoh mirë punët e kontratave dhe financave publike, por sa kam parë, këso kontrate të paspecifikuar, për një shumë mjaft të madhe, nuk kam parë. Po ashtu, të gjithë donatorët në restaurim-konservim të trashëgimisë kulturore, si SHBA e BE e vendet tjera mike, kanë dhuruar donacionet e tyre pa koncesione të tilla për vete. Për shembull, kemi rastin e restaurim-konservimit në kalanë e Vushtrrisë, si donacion i Ambasadës amerikane që nuk ka kërkuar asgjë për vete pos ndoshta pllakës e shenjimit si donator. Edhe Turqia, si vend mik dhe financues i shumë projekteve në shtetin e Kosovës, ka dhënë donacione të ndryshme dhe nuk ka pasur këso koncesione. Pse në rastin e Hamamit të Vjetër të Prishtinës, si vend ekspozues e kulturor, TIKA turke kërkon koncesione? Pse komuna pranon dhe nuk ka treguar as plan të konservimit, ekspozimit e menaxhimit ? Pse as TIKA nuk ka treguar asnjë plan se çfarë do të bëhet aty?

Vetëm se është neglizhuar deri më tani dhe tani mund të si të don komuna me të? Pse lejohet t’i ndodh kjo kryeqytetit ku ka nevojë të madhe për hapësirë kulturore ekspozuese për të rinjët, për artistët, për krijuesit e artit e bartësit e trashëgimisë kulturore? Ky do të bëhet një precedent i palakmueshëm për trashëgiminë kulturore.

Nga ana tjetër, ne duhet të dijmë se a është nënshkruar ky memorandum pas miratimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si institucion që miraton marrëveshjet dhe memorandumet e bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Madje për disa raste edhe në Kuvend të Kosovës votohet për marrëveshje të tilla, sepse institucionet tona janë të obliguara me ligj, sidomos kur ka zotime financiare. Kjo mbetet të shihet pasi të vërtetohet nga shqyrtimi i dokumentacionit të plotë, që komuna e Prishtinës duhet ta bëjë publik.

Pa dyshim, se kritika për neglizhencën e Hamamit të Madh të Prishtinës i takon të gjitha qeverive lokale dhe qendrore, sepse ai objekt i trashëgimisë kulturore është shkatërruar shumë. Një objekt i tillë në zemër të Prishtinës ka mbetur si “dhëmb i prishur”, si thuhet në popull.

Edhe objektet tjera si Xhamia e Çarshisë e plot xhami nëpër fshatra të Gollakut, sikurse ajo e Prapashticës, ndër me të vjetrat në rajon, kanë mbetur nën mëshirën e fatit, për shkak të neglizhencës së Komunës e Ministrisë qe 20 vite.

Por, kjo nuk e amneston kryetarin e komunës që të tjetërson symbyllurazi Hamamin e Madh, me koncesione të jashtëzakonshme për TIKA-n. S’do ta amnestonte as për ndonjë organizatë tjetër, vendore apo ndërkombëtare. Thjesht, secili institucion që merret me trashëgimi kulturore të Kosovës duhet ta ketë parasysh cilit narracion po i çon ujë në mulli, atij të Turqisë apo atij të Kosovës. Në trashëgimi kulturore, Kosova synon ta trajtojë gjithë trashëgiminë brenda territorit të saj si trashëgimi kulturore të Kosovës, jo osmane, jo serbe, jo romake. Mjaft ka lejuar Kosova që të betonojë etninë si kategoriligjore në Planin e Ahtisarit, ku përmendet trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe, e asnjëherë fjala “shqiptare”.

Nëse TIKA paska marrë aq shumë koncesione, atëherë hapësira e trashëgimisë kulturore të Kosovës ka rrezik që të tjetërsohet, si në materialitet ashtu edhe në interpretim. Dhe, në mënyrë krejt silente e të pahetueshme, në emër të dhuratës së shtetit turk. Sulltan Pushtuesi mund të fillojë të interpretohet si Sulltan Shpëtuesi. “Peshqesh me tri dredhë në shpinë”, do të thoshte populli. Kështu është tjetërsuar trashëgimia e Kosovës gjatë shekujëve e viteve, si në shekullit 19 ashtu edhe gjatë komunizmit. Kjo nuk do të duhej të ndodhte sot.

Kosova duhet të synojë që të mbrojë, ruajë e promovojë gjithë trashëgiminë kulturore të Kosovës, pa dallime, si pjesë e larmisë së saj, prej Neolitit deri te Newborn-i, por si “trashëgimi kulturore e Kosovës”, jo e “trashëgimi kulturore” e dikujt “në Kosovë”. Kjo nuk është trashëgimi as e Dushanit, as e Sulltanit, por trashëgimi e Kosovës, e gjithë popullit të saj, por edhe e gjithë njerëzimit. Interpretimi i mirëfilltë i trashëgimisë kulturore është një prej tregimeve kryesore të Kosovës, e gjallimit të këtij shteti si identitet. Andaj, hapësirat e interpretimit janë esenciale për të bërë këtë interpretim të drejtë. Ato nuk duhet të lihen në duar të tjetërsuesve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, sipas ideologjisë e interesit të tyre politik.

 

Arsim Canolli është profesor i antropologjisë kulturore dhe trashëgimisë kulturore në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Ka botuar disa librave dhe punimeve shkencore për trashëgiminë kulturore.