Ilustrim - PI- Panik

Parandalimi i panikut

Sikurse vënia nën kontroll e virusit, është njëjtë e rëndësishme të merremi me stresin e tensionin e pandemisë, duke mbajtur vetë-kontrollin.

Kur virusi i quajtur COVID-19 u shfaq për herë të parë në provincën Wuhan, Kinë, jo shumë qytetarë të Kosovës u shqetësuan se ky virus do t’u trokiste edhe në derën e tyre. Ishte vetëm një tjetër lajm në fund të edicionit të orës shtatë, i përzier me storie tjera ndërkombëtare.

Sidoqoftë, pas përhapjes së COVID-19 në Evropë, dy rastet e para të konfirmuara në Kosovë u bënë publike në mbrëmjen e ditës së premte. Frika nga virusi erdhi edhe më herët, me një numër të madh të vdekjeve të regjistruara në Itali dhe përhapjen e koronavirusit në Shqipëri duke bërë që banorët e Kosovës të fillojnë të marrin masa dhe të bëjnë përpjekje për mbrojtje nga ky virus.

Situata është e kuptueshme deri në një farë mase: Të jesh i përgatitur për karantinë është gjë e mençur. Sidoqoftë, blerja e artikujve të tepërt ushqimorë dhe grumbullimi i tyre nuk është lëvizja më e mençur.

Fotografi dhe video përmes të cilave shfaqen raftet e zbrazura nëpër supermarkete nëpër shumë qytete të Kosovës kohëve të fundit, janë shpërndarë nëpër media sociale dhe në lajme lokale. Ajo që filloi me një panik të dalë jashtë kontrollit duke kërkuar maska mbrojtëse për fytyrë dhe dezinfektues të duarve shpejt u pasua me grumbullimin e makaronave, vajit, orizit dhe miellit.

Nuk është ky një fenomen i kufizuar vetëm në Kosovë. Cicërimet me hashtagë të tillë si #toiletpaperpanical, #coronapocalpyse dhe shumë të tjerë i kanë shtyrë shumë njerëz në të gjithë botën që të ndërmarrin masa të tepruara që ata i konsiderojnë të domosdoshme për të mbijetuar potencialisht në karantinë.

Raportimet nga Mbretëria e Bashkuar thonë se konsumatorët po grumbullojnë sasi të mëdha ushqimi dhe letër tualeti, ndërkohë që e njëjta gjë po manifestohet edhe në ShBA dhe Gjermani, ku dyqanet po zbrazen nga gjërat esenciale. Në Hong Kong, hajdutët e armatosur madje kanë filluar të vjedhin letër higjienike.

Pandemitë si COVID-19 shpesh publikohen shumë në media, gjë që mund të përkeqësojë panikun dhe nivelet e larta të ankthit në publik. E njëjta sjellje që ne shohim tani u dëshmua gjatë shpërthimit të ‘gripit të derrave’ që u shfaq në pranverën e vitit 2009. Në atë kohë, shtrirja e këtij gripi u krahasua me gripin spanjoll, i cili preku të paktën 500 milionë njerëz në mbarë botën në fillim të shekullit 20.

Mësimi që ishte nxjerrë atëherë ishte se për të kontrolluar një pandemi, duhet vënë edhe panikun nën kontroll po ashtu. Zvogëlimi i rrezikut të një virusi mund të jetë vdekjeprurës – por edhe frika është ngjitëse.

Atëherë, çfarë saktësisht po ndodh? Pse po furnizohemi kur zyrtarët qeveritarë në të gjithë botën po na thonë të mos bëjmë panik? Psikologët kanë dhënë një sërë shpjegimesh, duke përfshirë mirëmbajtjen e një sensi kontrolli, duke u frikësuar nga e panjohura, dhe nga nevoja për siguri dhe rehati në një situatë stresuese.

Ruajtja e një sensi kontrolli mund të jetë shumë e vështirë kur të tjerët rreth jush janë në panik. Kurdoherë që ka pandemi ose epidemi, ndjenja e ankthit të një individi ka tendencë të rritet, ndërsa arsyetimi objektiv mund të ngadalësohet dhe pengohet.

Përgjigja e natyrshme do të ishte që të shikoni sa më shpesh se çfarë po bëjnë njerëzit e tjerë dhe të imitoni sjelljen e tyre. Nëse një person sheh rafte të zbrazëta të orizit në një dyqan, ata mund të lënë mënjanë mendimin e tyre të arsyeshëm dhe instinktivisht ta imitojnë atë sjellje, duke rrëmbyer edhe atë qesen e fundit të orizit para se dikush tjetër të bëjë një gjë të tillë.

Nevoja për siguri dhe rehati në një situatë stresuese është një instinkt tjetër në kohë paniku. Nëse ka gjëra që mund t’i bëjmë për t’u siguruar se po ndjehemi të sigurt, pa dyshim, do të veprojmë mbi të. Nëse komuniteti ynë dikton që ndjenja e sigurisë është e barabartë me grumbullimin e orizit dhe makaronave, ne do ta bëjmë pikërisht ashtu.

Shpërndarja e sëmundjes paraqet një përvojë stresuese dhe mënyra se si vendet i përgjigjen asaj luan një rol në formësimin e përgjigjeve individuale ndaj përhapjes së virusit Covid-19. Marrë parasysh intensitetin e simptomave dhe pasigurinë se në çmasë ky virus është i përhapur në Kosovë, shkalla e shtrirjes së stresit që ky virus mund dhe tashmë e ka shkaktuar është e lartë, por ende e papërcaktuar.

Studiuesit kanë sugjeruar se njerëzit përfshihen ose në “kontrollin ndaj frikës” ose “kontrollin ndaj rrezikut” në varësi të nivelit të frikës që ata përjetojnë. Kjo do të thotë kur frika është e ulët, njerëzit do të përfshihen në sjellje parandaluese.

Sidoqoftë, kur frika është e lartë, individët mund të mos pranojnë ose injorojnë paralajmërimet shëndetësore të bëra publike nga qeveritë dhe institucionet e shëndetit publik. Në përputhje me modelin e stresit, ndotja e ardhshme mund të shihet si një tendosje psikologjike – që do të thotë se individët që shqetësohen për kontraktimin e një sëmundjeje të ngjashme mund të pësojnë një shëndet të dëmtuar mendor.

Është shumë e vështirë të mos mendohet se si pandemitë janë përfaqësuar në kulturën masive në këto kohë krizash. Karantina mund t’ia bëjë atë një personi. Javën e kaluar, kanalet e mia në mediat sociale u bombarduan me çifte që përqafonin njëri-tjetrin duke iu referuar ‘Dashurisë në kohën e kolerës’, ndërkohë që novela ‘Murtaja’ e Kamysë është një libër që kujtohet lehtësisht në kohë paniku dhe frike.

Mirëpo asgjë nuk mund ta përshkruaj kaosin dhe panikun që shkaktohet prej sëmundjeve infektive, siç e bëjnë filmat modern dhe shfaqjet televizive, përfshirë sezonin e parë të serialit televiziv “The Walking Dead” (Të vdekurit që ecin), në të cilin skenat e plaçkitjes dhe zbrazjes së dyqaneve janë një dukuri e shpeshtë.

Lloji i kaosit që mund të ndodhë përballë një pandemie pasqyrohet edhe në skenat e filmave, të tillë si ‘Contagion’ (Sëmundja ngjitëse) dhe ‘World War Z’ (Lufta Botërore Z). Jo pse bota do të vuajë nga ndonjë shpërthim të vdekurish që ringjallen në të ardhmen e afërt por, përkundrazi, për shkak të pasojave të botës reale që gjërat e grumbulluara mund të shkaktojnë.

Grumbullimi mund të ngritë çmimet dhe t’ua heq nga duart gjërat më esenciale njerëzve që kanë më së shumti nevojë. Në fund të fundit, ne do të duhej ta pyesnim veten: çfarë do të bëj me 20 shishe dezinfektues dore nëse nuk jam i infektuar, ndërkohë që personi që rri prapa meje në dyqan është i infektuar dhe nuk është në gjendje t`i dezinfektojë duart e tij?

Shkrimi origjinal është shkruajtur në anglisht për Prishtina Insight.