Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Padia e PDK-së kundër BIRN nuk mund ta fshehë të vërtetën

Padia për shpifje e ngritur kundër BIRN lidhur me hulumtimin e saj ku zbulon përfshirjen e zyrtarëve publikë në promovimin e shkëmbimit territorial me Serbinë dëshmon qartazi se disa politikanë do të provojnë t’i mbulojnë gjurmët e tyre.

Më 26 qershor, Skender Musa, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, njoftoi për ngritjen e padisë në emër të Dhurata Hoxhës, ish-Ministre e Integrimeve Evropiane nga radhët e PDK-së, kundër Jeta Xharrës, gazetare hulumtuese, si dhe kundër KALLXO.com dhe Prishtina Insight.

Padia për shpifje kundërshton hulumtimin e BIRN që ofroi dëshminë publike që të dyja, një kompani për marrëdhënie me publikun e kontraktuar nga ministria si dhe Ambasadori i Kosovës në Francë, lobuan për shkëmbime territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si një opsion për arritjen marrëveshjes finale të paqes midis dy vendeve.

Ish-ministrja dhe PDK deklaron se hulumtimi në fjalë është i rremë (fiktiv), se e gjitha ishte një gënjeshtër. Sidoqoftë, dy artikujt e publikuar ofrojnë dëshminë se lobimi për ndryshime territoriale të vendit që e përfaqësojnë këto institucione,  në fakt kishte ndodhur.

Pjesa më inkriminuese e provave është dhënë në pjesën e parë të hulumtimit, e publikuar me 28 maj, i cili përfshinte një dokument të rëndësishëm: një raport nga ‘Majorelle PR & Events’, kompani lobuese me qendër në Paris e kontraktuar nga Ministria e Drejtësisë për një shumë prej 168,000 eurosh. Në dokument, kompania në fjalë i raportonte autoriteteve të Kosovës për progresin e saj në “… Pozicionin e Kosovës, duke treguar sesi një modifikim territorial do të mund, përkundrazi, të shërbejë për paqësimin e marrëdhënieve …”

Sikur të mos mjaftonte kjo, më 9 qershor disa të dhëna edhe më befasuese dolën në pah. Jean-Baptiste Chastand, korrespodent i Evropës Qendrore të gazetës franceze Le Monde, pohoi se në vitin 2018 ai u takua me një përfaqësues nga ‘Majorelle PR & Events’ dhe me Qendrim Gashin, Ambasador i Kosovës në Francë, i cili promovoi përparësitë e një shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë.

Në vend që të jepte dorëheqjen për shkak të këtij skandali, Qendrim Gashi, ashtu sikurse  Dhurata Hoxha para tij, filloi të sulmonte J. Xharrën dhe J-B. Chastand për gënjeshtra – duke e akuzuar një gazetar që është qytetar i vendit, në të cilin ambasadori është në mision..

Si një gazetare me përvojë tridhjetëvjeçare në mediat franceze, ish shefe e seksionit shqiptar në Radio France Internationale, RFI, dhe si dikush që ka përvojë pune me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, MPJ, unë nuk mund të heshtja në lidhje me këtë çështje.

Hulumtimi i BIRN sjell fakte të padiskutueshme në lidhje me implikimin e ambasadorit në lobimin për shkëmbime territoriale së bashku me ‘Majorelle PR & Events’, një kompani kjo e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës.

Si kundërpërgjigje, ambasadori i Kosovës në Paris e ka sfiduar Xharrën të gjejë një deklaratë publike në të cilën ai mbron idenë e shkëmbimit territorial.

Sidoqoftë, fakti që Gashi nuk e ka mbrojtur këtë ide publikisht nuk dëshmon se ai nuk e ka bërë (promovoi) një gjë të tillë pas dyerve të mbyllura.

Gashi akuzoi gjithashtu Xharrën për “mashtrim”, duke nënkuptuar se ajo dhe Chastand kanë gënjyer për faktet e cituara në PI. Akuzat e kësaj natyre, nga përfaqësuesit e institucioneve publike të bëra pa kundër-argumente nuk mund të tolerohen.

Ndërkohë që ndikimi politik mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë mund t’i sigurojë Gashit pandëshkueshmërinë e tij për akuzatkundër Xharrës, e njëjta gjë nuk mund të ndodhë  në Francë ku Gashi mund të paditet për shpifje kundër Chastand. Nëse gazetari i Le Monde vendos të kundërshtojë pretendimet e tij, dhe hap një proces, Ambasadori Gashi rrezikon deri në gjashtë muaj burg, një dënim që do t’i jepte fund karrierës së tij diplomatike.

Personalisht, edhe unë po ashtu kam arsyet e mia për të dyshuar tek ambasadori Gashi se ka bërë  presion mbi zërat kundërshtues ndaj shkëmbimit territorial.

Në vitin 2017, si pjesë e punës sime me Këshillin për promovimin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, një organ i formuar nga MPJ e Kosovës, më kërkuan të isha pjesëmarrëse në takime me autoritetet franceze në nëntorin e vitit 2017 për të diskutuar se si Franca mund të ndihmojë Qeverinë e Kosovës në avancimin e integrimeve Euro-Atlantike. Unë po ashtu kisha ndihmuar në aranzhimin e takimeve për MPJ në Paris.

Megjithëkëtë, Ambasadori Gashi atëherë më përjashtoi nga një numër i këtyre takimeve pa ndonjë njoftim paraprak. Ai pohoi se arsyeja për këtë ishte se deputetët në Grupin e Miqësisë Kosovë-Francë në Asamblenë Franceze kishin kërkuar që unë të përjashtohesha.

Natyrisht, unë e verifikova një gjë të tillë me anëtarët e Grupit pasi disa prej tyre i njihja personalisht nga puna ime si shefe e Departamentit të Shqipes  në RFI. Ata ma konfirmuan se Ambasada e Kosovës nuk më kishte vënë në listën e takimeve me Asamblenë Kombëtare dhe unë shpejt mësova se përjashtimi im ishte bërë për shkak të kundërshtimit tim të hapur kundër nocionit të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë fakt e njoftova ish-ministrin Behgjet Pacolli në prani të Ambasadorit Gashi. Gjatë gjithë karrierës sime, kurrë nuk kam parë një ambasador që me kaq lehtësi të sajojë fakte të paqena dhe përgjegjësinë e veprimeve të tij ta hedhë tek zyrtarët francezë.

Në muajin maj, Pacolli deklaroi për BIRN se qëndrimi i qeverisë për këtë çështje ishte i qartë: “Integriteti territorial i Kosovës ishte i panegociueshëm në dialogun me Serbinë”. Megjithatë, e vërteta është se pozicioni zyrtar nuk ishte aspak i qartë.

Është e vërtetë që ministri më emëroi të udhëhiqja një projekt i cili qartazi ishte kundër shkëmbimit të territoreve, por ai nuk arriti ti bëjë ballë vendimit të diplomatit të tij në Paris – i cili ishte zgjedhur në postin e ambasadorit  nga koalicioni qeverisës PDK-LDK në vitin 2016 kur Presidenti Thaçi ishte Ministër i Jashtëm i Kosovës.

Shumë shpejt u bë e qartë se të gjitha vendimet në lidhje me udhëtimin e delegacionit të MPJ në Francë u morën nga presidenti dhe u miratuan nga ambasadori i tij në Paris. Ky është vetëm një prej shumë rasteve ku unë kam qënë dëshmitare kur MPJ i bindej pa kushte presidentit të Republikës.

Është diçka e mirë që ish-ministrja e Integrimeve Evropiane nuk mban edhe më tutje një pozicion publik, pasi nuk arriti të fitojë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputete, përndryshe, ajo do të duhej të jepte dorëheqjen pas këtij skandali.

Qendrim Gashi, Ambasadori i Kosovës në Francë, ndërkohë duhet të japë menjëherë dorëheqjen pasi që përfaqësimi i Kosovës nga ana e tij është problematik tash kur është zbuluar se ai ka lobuar për ndryshimin e kufijve të vendit të tij.

Eshtë e papranueshme që, në vitin 2020,  Ambasadori i Kosovës në Paris të punojë në mënyrë aktive për të promovuar “modifikime territoriale” në vend që të punojë për të mbrojtur integritetin e vendit të tij. Gjithashtu veprimet e tij  e bëjnë atë të  shantazhueshëm, duke e lënë të hapur mundësinë për të dëmtuar, potencialisht, interesat e vendit të tij.

Dorëheqja pas një skandali duhet të bëhet normë në politikën kosovare, përndryshe reputacioni politik i vendit do të vazhdojë të përkeqësohet.

Sikur Thaçi të detyrohej të jepte dorëheqjen pas publikimit të raportit të Dick Marty në vitin 2010, ne nuk do të kishim përjetuar marrëzinë e një shteti që promovon heqjen dorë nga një pjesë të territorit të vet dhe të një presidenti i cili mund të akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sistemi aktual juridik i Kosovës duhet ta ndërmarrë një hetim për të gjithë zyrtarët e përfshirë në lobimin për ndryshime kufijsh, përfshirë Presidentin e Kosovës, e jo të paditen gazetarët që e kanë kryer hulumtimin e që e kanë  zbuluar këtë lobim.

Gazetaria hulumtuese është një mjet i fuqishëm të cilin forcat demokratike duhet ta përdorin për ta demaskuar pjesën e korruptuar të klasës politike në Kosovë e cila e mban peng vendin. Duhet të mbështetet me guxim gazetaria hulumtuese.

Shoqatat e gazetarëve, shoqëria civile dhe intelektualët duhet të reagojnë në mbështetje të Jeta Xharrës, BIRN dhe Prishtina Insight, për të siguruar se ata mund të punojnë të qetë dhe pa ndërhyrje dhe t’i shërbejnë interesit publik të lire nga frika e nga kërcënimet.

 

Klara Buda është një gazetare franko-shqiptare. Ajo ka qenë shefe e Departamentit Shqip në Radio France Internationale (RFI) dhe që nga viti është Presidente e shoqatës Diagonale Franco- Albanaise. Ajo ka punuar për UNESCO dhe BBC si dhe shkruan prozë, poezi, fiksion dhe skenare.

Mendimet e shprehura në seksionin e komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.