Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin (majtas) me Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, në Moskë në dhjetor. 3. (AP)

Opinion: Putin tashmë e ka një vartës të vetin në Evropën Qendrore

NGA : Vladimir Kara-Murza

Ndërkohë që vëmendja e botës, me plot kuptim, e përqendruar në kërcënimet në rritje të Kremlinit kundër Ukrainës, një skandal politik më pak i vënë re në Ballkan ka shërbyer si një kujtesë se Vladimir Putin tashmë e ka të paktën një regjim klient në Evropën Qendrore. Javën e kaluar, një media e pavarur e Serbisë zbuloi se agjencitë e sigurisë të vendit në fakt po kryejnë detyra për Shërbimin Federal të Sigurisë të Rusisë – dhe po e ndihmojnë Kremlinin që t’i ndjekë kundërshtarët e tij politikë.

Majin e kaluar, një grup ligjvënësish komunalë rusë dhe aktivistë të demokracisë ndoqën një seminar edukativ në Beograd. Takimi, i bashkëkryesuar nga lideri i shquar i opozitës Andrei Pivovarov dhe unë, kishte për qëllim si sekuencë (më pak ngjarje) të konferencës sonë të mëparshme në Moskë, në të cilën të gjithë pjesëmarrësit u arrestuan. Me kufijtë e Bashkimit Evropian ende të mbyllur për qytetarët rusë – dhe me vaksinën ruse kundër  koronavirusit Sputnik e cila ende nuk pranohet për udhëtime ndërkombëtare – Serbia ishte një nga destinacionet e pakta për aktivistët që kërkonin një vend të qetë për t’u mbledhur.

Seminari me të vërtetë vazhdoi pa probleme – por skandali, siç doli, pritej të ndodhte. Sipas një historie të raportuar për herë të parë nga mediat serbe në dhjetor, seminari ynë u përgjua nga Agjencia e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë. Një javë më vonë, ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin fluturoi në Moskë dhe ia dorëzoi transkriptet Nikolai Patrushevit, sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe bashkëpunëtor kyç të Putinit. Dy javë më vonë, Pivovarov u arrestua, sipas stilit Bjellorus, në një aeroplan pasagjerësh polak që do të nisej nga aeroporti i Shën Petersburgut. Ai ndodhet në paraburgim dhe përballet me një dënim me gjashtë vjet burg për akuzën e “ndihmës së një organizate të padëshiruar”.

Sipas raportimeve, Patrushev e ka falendëruar Vulinin për vigjilencën e tij, ndërsa televizioni shtetëror rus lavdëroi forcat serbe të sigurisë, duke e krahasuar me plot gëzim Beogradin me kryeqytetet e Evropës Lindore që mirëpresin ngrohtësisht “rusofobët” – termi i Kremlinit për kundërshtarët politikë të Putinit. Përtej kësaj, kjo storie nuk mori shumë vëmendje – të paktën për momentin.

Gjithçka ndryshoi javën e kaluar, kur gazeta kryesore e pavarur e Serbisë publikoi lajmin në faqen e saj të parë, duke e akuzuar qeverinë se vepron “në shërbim të regjimit të Putinit”. Opozita pro-demokratike e Serbisë, e cila pritet të përfitojë në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të prillit, kritikoi presidentin Aleksandar Vuçiq për “shndërrimin e Serbisë në një bastion të huaj”. Bashkimi Evropian – të cilit Serbia pritet t’i bashkohet deri në vitin 2025 – bëri thirrje për hetim, ndërkohë që ligjvënësit e lartë të BE-së e dënuan Beogradin për “bashkëpunim me një regjim autokratik”. Serbia “duhet të zgjedhë nëse dëshiron të transformohet me të vërtetë dhe t’i bashkohet [BE-së], apo të rreshtohet më tej me autokratët nga #Moska dhe #Pekini,” shkroi në Twitter Viola von Cramon, anëtare gjermane e Parlamentit Evropian dhe kolege partiake e ministrit të ri të jashtëm të Gjermanisë.  “Politika e zënies së dy karrigeve është e papranueshme”.

Për autoritetet në Beograd, lajmi nuk mund të kishte dalë në një moment më të keq. Vetëm muajin e kaluar, qeveria serbe hapi një raund të ri negociatash për anëtarësim në BE, duke e bërë atë që zyrtarët në Bruksel e quajtën një “hap shumë të rëndësishëm përpara”. Ky lajm gjithashtu vjen në një kohë të interesit të ripërtërirë të SHBA-së në Ballkan – dhe një theks të ripërtërirë në Serbi. Gjatë seancës së tij të konfirmimit në Senat muajin e kaluar, diplomati veteran amerikan dhe ambasadori i emëruar në Beograd, Christopher Hill e quajti Serbinë “një partner të rëndësishëm sigurie për Shtetet e Bashkuara”, duke u zotuar se do ta ndihmonte vendin “të ndërtojë elasticitet ndaj ndikimit të jashtëm keqdashës, duke përfshirë Rusinë dhe Kinën.” me gjasë, ky ndikim shtrihet në majat e qeverisë së Serbisë.

Situata mund të duket tejet stresuese – veçanërisht për dikë si Hill, i cili është marrë me Ballkanin që nga vitet 1990. Për vite me radhë, diktatori i atëhershëm jugosllav Slobodan Millosheviq kryesonte bastionin e fundit të madh të autoritarizmit në Evropën Qendrore, duke e bërë regjimin e tij të famëkeq për vrasjet e kundërshtarëve, censurën shtetërore, zgjedhjet të rreme dhe nacionalizmin virulent të udhëhequr nga shteti. Sikurse Vuçiq ashtu edhe Vulin duhet ta mbajnë mend mirë, pasi kanë shërbyer, respektivisht, si ministër i informacionit i Millosheviqit dhe si zëvendëskryetar i një partie të drejtuar nga gruaja e Millosheviqit.

Në tetor të vitit 2000, regjimi i Millosheviqit u rrëzua ndërkohë që  qindra mijëra serbë u mblodhën në rrugët e Beogradit në atë që u quajt “Revolucioni i Buldozerit” – i pari në një seri kryengritjesh pro-demokracisë në shtetet postkomuniste që u zhvilluan nën vëzhgimin e Putinit, duke e lënë atë me një frikë të madhe nga protestat në rrugë. Qeveria e re e Serbisë e dorëzoi ish-diktatorin për gjykim në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ai kaloi pjesën tjetër të ditëve të tij në paraburgim.

Në takimin e tyre të fundit në Moskë, Vulin dhe Patrushev thuhet se ranë dakord ta themelojnë një “grup pune për t’i luftuar revolucionet me ngjyra” (një term që tregon kryengritjet pro-demokracisë në shtetet autoritare), duke përfshirë rritjen e monitorimit të përbashkët të organizatave të shoqërisë civile, aktivistëve opozitarë, dhe mediat e pavarura. Problemi si për shefat e sigurisë, ashtu edhe për padronët e tyre politikë, është se kur mjaftueshëm njerëz në shoqëri janë të gatshëm t’i rezistojnë autoritarizmit, të gjitha përgjimet, grupet e punës dhe përpjekjet e monitorimit bëhen të pafuqishme. Historia e fundit e ka treguar qartë këtë. Vetëm pyetni serbët./WashingtonPost

 

Përgatiti: Nuhi Shala – KALLXO.com