Operacion kundër krimit apo aksion politik?

Dy javë pas operacionit në veri, pyetja kryesore e cila ka mbetur pa përgjigje është se kush ishte iniciatori i aksionit: ishin serbët lokalë apo politika në Prishtinë e Beograd?

Nga fillimi i vitit 2018 në Leposaviq ka nisur një rezistencë aktive e pronarëve të kamionëve të cilët kanë deponuar ankesat për korrupsion të lartë në radhët e policëve kufitarë.

Denoncimet ishin kryer edhe më herët por lëndët kishin mbetur të fshehura për vite me radhë.

Të ndodhur para situatës që askush nuk vepronte për denoncimet e tyre, kontrabandistët lokalë vendosën të drejtohen në media.

Personalisht kam pasur fatin të takoj katër nga serbët të cilët vazhdimisht janë marrë me kontrabandë apo dhe transporte të ligjshme e të cilët ishin të gatshëm të japin çdo gjë vetëm që t’i shihnin duke dhënë përgjegjësi policët që po u merrnin çdo ditë para.

Bazuar në dëshmitë e tyre, nga muaji korrik i vitit të kaluar, ekipi ynë ka kryer një hulumtim të gjerë për lidhjet e policisë me kontrabandën. Ankesa kryesore e serbëve lokalë në emisionin tonë ka qenë që Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Speciale nuk janë duke i trajtuar ankesat dhe denoncimet e tyre për korrupsion në polici.

Në emisionin që është transmetuar në janar të këtij viti, sinjalizues brenda grupeve serbe të kontrabandës kanë rrëfyer për korrupsionin në polici dhe në strukturat komanduese të policisë të lidhura me politikën. Aty janë dëshmuar edhe vendet ku ofrohen paratë për policët dhe funksionimi i rrjetit të pagesave.

Në komunat veriore të Kosovës, sipas sinjalizuesve, brenda rrjeteve të kontrabandës janë aktivë rreth 1000 mjete të cilët çdo ditë kryejnë veprimtari të kontrabandës. Shumat e marra si mito nga këta shoferë janë astronomike. Dilema kryesore që sot duhet ngritur është se ku shkojnë këto para?

Hetimet po edhe vet kontrabandistët që janë rrëfyer në emisionin ”Drejtësia në Kosovë” nuk e dinë saktë se cili është destinacioni final i parave. Krejt çka dihet është se paratë nuk përfundojnë në xhepat e policëve të thjeshtë.

Ajo çfarë kontrabandistët kanë dhënë në dëshmitë e tyre është fakti se disa herë kishin mbledhur para për t’i dërguar edhe në Prishtinë te strukturat e larta të policisë.

Aksion kundër serbëve apo kundër krimit?

Informacionet e gabuara të shpërndara te komuniteti serb kanë ngritur frikën se operacione të tilla kanë për qëllim t’i dëbojnë ata nga shtëpitë e tyre dhe se specialët janë të dhunshëm. Për çudi, situatë të ngjashme kam parë edhe në Prishtinë në njërën lagje ku jetonte njëri nga kriminelët e shumëkërkuar të Prishtinës.

Aty edhe fëmijët ishin mësuar t’i shihnin policinë si armiq dhe të lajmëronin çdo lëvizje të tyre. Qëllimi ishte i qartë: “Bosi” duhej ta dinte kur një polic futej në lagje.

Alarmi se dikush po e sulmon Bosin në veri ndizet edhe në sirenat të cilat ndizen pas çdo operacioni kundër krimit.

Dilema është nëse serbët lokalë duhet tu besojnë këtyre sirenave dhe thirrjeve për t’u mbrojtur. Për ata që jetojnë në Mitrovicë sirenat u ndezën edhe kur policia tentoi të arrestojë personat që dyshohet se vranë liderin e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Serbët lokalë ligjshëm mund ta bëjnë pyetjen se kush po i ndezë sirenat kur policia tenton ta zbardhë vrasjen e Oliver Ivanoviqit e poashtu t’i arrestojë policët që u marrin mito për çdo sasi ushqimi që ata mund ta fusin kontrabandë nga Serbia? Përgjigja se kush i kontrollon alarmet mund të nënkuptohet nga vet pyetjet.

Në fillim të argumentimit përmenda se kontrabandistët nuk kishin gjetur adresë për t’i raportuar ato çfarë ndodhte në veri te policët dhe prokurorët e Mitrovicës.

Në këtë pikë lind edhe argumenti se grupeve kriminale u intereson që t’i mbajnë sa më larg njerëzit të cilët nuk mund t’i blejnë me para.

Duke ngjallur frikën te komuniteti se operacionet do kryhen ndaj qytetarëve, grupet kriminale kanë arritur ta mbrojnë veten duke i ngadalësuar operacionet dhe t’i shmangen drejtësisë duke siguruar edhe një element të rëndësishëm, frikësimin e dëshmitarëve të mundshëm.

Javë më parë kur flitej për organizimin e operacionit politika dhe grupet kriminale ishin të heshtura. Për ata që janë jashtë rrjedhave të hetimit të këtij rasti, policët e dëshmitarët e parë të intervistuar janë marrë në pyetje në muajin shtator në Prishtinë e Mitrovicë.

Pse atëherë nuk pati reagime, deklarata publike dhe tendencë për ta ndërlidhur operacionin me problemet etnike?

Faktet flasin se deri para një muaji, askujt nuk i interesonte për provat që po mblidheshin për funksionimin e kontrabandës. Përgjigja për këtë mosinteresim gjendet edhe në rrëfimet e kontrabandistëve. Ata disa herë kishin denoncuar në Prishtinë korrupsionin po askush nuk ishte marrë me ta duke krijuar ndjenjën se Prishtina e toleron një zonë të krimit në veri.

Por çdo gjë nisi të ndryshojë kur në grupet e hetimit dhe në komunitet nisi të përmendet mundësia që disa prej njerëzve që do të arrestoheshin mund të bëhen dëshmitarë bashkëpunues të Prokurorisë. Edhe reagimi i Presidentit serb Aleksandar Vuçiq ndodhi vetëm kur emrat e policëve dhe bosëve të veriut u shkruan në kallëzimin penal që është dorëzuar rreth dy muaj më parë në Prokurorinë Speciale.

Të ndodhur para situatave ku mund të marrin dënime me burgim deri në 15 vjet, pjesëtarët e grupit të emëruar me emër e mbiemër edhe mund të rrëfejnë ku shkojnë paratë për t’u shpëtuar dënimeve të larta.

Dëshmitë nga njerëzit e përfshirë në marrje të mitos do ta hapnin ‘Kutinë e Pandorës’ duke treguar se ku shkojnë paratë dhe kush financohet nga paratë e krimit në veri.

Frika nga zbulimi i ngriti në këmbë  politikanët serbë që u kujdesën që operacionit t’i japin karakter etnik për ta krijuar frikën te dëshmitarët se nëse bashkëpunojnë me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë ata do jenë tradhtarët e kombit serb. Situatë e ngjashme të cilën e shohim çdo ditë edhe në rastet e mëdha të korrupsionit në Kosovë ku dëshmitarët kundër figurave të larta janë të intimiduar.

Fakti se Presidenti i Serbisë del dhe tregon se kanë informacione se çka po ndodh në Prokurorinë Speciale tregon se dëshirojnë t’u tregojnë dëshmitarëve se në çdo rrethanë ata do jenë të identifikuar para autoriteteve serbe.

Mesazhet që janë drejtuar nga politikanët janë të orientuar që t’i shpallin këta dëshmitarë si tradhtarë të kombit e po ashtu të bëjnë presion te ta që mos ta thonë të vërtetën edhe duke i kërcënuar me burgosje në Serbi. Edhe reagimet e sotme janë në frymën që të bëhet presion te familjarët e të arrestuarve dhe te të arrestuarit që ata mos ta thonë të vërtetën se kush është “Bosi” i kontrabandës në veri.

Mesazhet janë të qarta edhe të dëshmuara edhe medialisht. Këshilltarë të Kryeministrit Haradinaj janë ndaluar dhe marrë në pyetje në kufi nga shërbimet sekrete serbe e ky veprim është interpretuar si instalim i frikës edhe te dëshmitarët e operacionit të veriut.

Operacioni i dhunshëm apo i provokuar

Pikëpyetja e madhe e cila është ngritur gjatë duke i lënë në harresë çështjet e sipërpërmendura është ndërhyrja e njësive speciale në Zubin Potok.

Prej asaj që deri tash e kemi parë, aksioni i së martës ka pasur për qëllim arrestimin e policëve të dyshuar për korrupsion dhe shqiptarëve e serbëve lokalë që merren me kontrabandë.

Faktet tregojnë se operacioni është zhvilluar në 8 komuna, katër prej të cilave në jug të Kosovës ku janë arrestuar 14 shqiptarë të dyshuar si kontrabandistë, 11 serbë dhe 4 boshnjakë.

Faktet tregojnë se bastisja e parë është kryer në shtëpinë e një polici shqiptar që jeton në Lagjen e Boshnjakëve që gjendet matanë lumit Ibër dhe administrativisht është pjesë e Mitrovicës së Veriut të dominuar nga serbët.

Është me rëndësi të përmendet se të dhënat tona tregojnë se operacioni ka qenë i planifikuar të kryhet pa përdorimin e njësive speciale, të cilave autoritetet në Serbi gjithmonë u referohen me emërtimin e vjetër të kohës së para pavarësisë ROSU.

Plani i cili është paraqitur në mëngjes në takimin ku është zhvilluar operacioni ka qenë që bastisjet të zhvillohen me policë të rendit, pjesëtarë të njësive të reagimit të shpejtë të regjioneve dhe policë kufitarë. (Njerëzve u janë dukur edhe policët e rendit si policë specialë për shkak se para disa muajsh janë pajisur edhe me armë të gjata dhe kjo për shkak të shtimit të grabitjeve të armatosura në qytete).

Plani ka shkuar mirë në dy komuna në Leposaviq e Mitrovicë të Veriut ku nuk pati asnjë incident.

Kush i thirri specialët në aksion?

Argumentet tregojnë se ndërhyrja e njësive speciale u provokua nga vet grupet kriminale të Zubin Potokut dhe faktet janë të dukshme.

Po të llogariten momentet e ndërhyrjes shihet se njësitë speciale kanë reaguar vetëm kur polici është plagosur ndërsa reagimi i tyre ka qenë më shumë se dhjetë minuta prej momentit që është plagosur polici gjë që tregon se nuk ka pasur një pritshmëri ekstreme policët të ndërhyjnë në veri.

Megjithatë dhuna e shfaqur në Zubin Potok do një hetim të detajuar nëse kishte në ndonjë rast tejkalimi të kompetencave të policëve e po ashtu institucionet duhet të identifikojnë në çdo rast ku prona e qytetarëve është dëmtuar dhe atë ta kompensojnë.

Në ekrane televizive kemi parë disa ankesa të qytetarëve lokalë të cilët kanë pretenduar se nuk ishin pjesë e protestave por ishin kalimtarë të rastit. Secili pretendim për dhunë në këto raste duhet të analizohet dhe hetohet nga Inspektorati Policor dhe Prokuroria e Shtetit. Kompetentë për ta hetuar rastin mund të jenë edhe prokurorët serbë të cilët punojnë në Prokurorinë e Mitrovicës.

Lënë anash dëmet e vogla kolaterale (i quaj të vogla për shkak se nuk ka viktima dhe të lënduar rëndë), është shumë me rëndësi që hetimi i këtij rasti të shkojë deri në fund dhe të zbulohet se te cili epror i policisë dhe te cili politikan kanë përfunduar paratë e përfituara nga kontrabanda në këtë zonë.

Në dëshmitë e tyre të deritanishme, dëshmitarët e hetimit kanë folur për lidhjet e kontrabandës me politikën. Ajo që shpresojmë të ndodhë është që hetimi të vazhdojë me zbardhjen e tërë rrjetit.

 

Ky Opinion fillimisht është publikuar në portalin Kossev.