Protestues i opozitës në Sheshin "Ibrahim Rugova" | Foto: Atdhe Mulla

Një Parabolë Prozaike

26 vite më parë kolonat e punëtorëve e të qytetarëve rridhnin nga rrugët e Gjakovës, Pejës e Prizrenit, duke u dyndur drejt Prishtinës.

Ishin demonstratat e dyta të mëdha në krahinën që atëbotë quhej socialiste e Kosovës. Kah shkonin gjithë ata njerëz, e ku përfundonin ato kolona të gjata të tyre…

Isha në klasën e dytë në fillore, mësuesja na tregonte se të gjithë ata, qenë nisur për të përmbysur njeriun e regjimit të kohës, një njeriu të cilit nuk i besonin e i cili qe ngulitur në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës.

Derisa ata thërrisnin poshtë Rrahman Morina, edhe ne tek ktheheshim në shtëpi, bërtisnim poshtë kushdo qoftë ai, e rroftë Kosova!

Kaq vjet më vonë, hedh hapin e qetë mbi kryeqytet. Kaq vjet më vonë, e rëndë të kuptohet se çfarë po ndodh në këtë vend. Sikur përkarshi më përshëndet nga kornizat e fotografisë udhëheqësi që sot e quajnë historik të Kosovës.

Në një mur tjetër në një tjetër qytet në rrafshin e Kosovës një gjeneral brigade në veshje luftarake të përshëndet gjithashtu.

Në një tjetër qytet më në jug, ku historia vazhdon të jetë shumë prezente, një foto gjigande të atij që e quajnë prijës dhe një fjali “Jemi me Ty!”

Në një mur krejt të pavërejtshëm ndërkaq diku në një rrugë, shkruan “Mirëserdhët në Kosovë”.

Një prijës në të gjitha rrugët dhe njerëz nga të gjitha qytetet që pritet t’ia mësyjnë kryeqendrës. çfarë kërkojnë? Planifikimet e gabuara, kaotike dhe festat në greminë në shtetin tonë.

Qysh shkojnë të gjitha këto bashkë? E rëndë të kuptohet.

Në një vend si Kosova në formën më të skajshme të ironisë ilustrohet distanca ndërmjet pushtetit komod dhe vendit në krizë. Këtu poshtë, në këtë vend kaq të huaj të botës, gjithçka duket si një udhëtim mes fiktives dhe realitetit.

Një botë kaotike, që në të njëjtën kohë ka festë dhe greminë. Mbase të gjitha këto shkojnë bashkë, sepse me gjasë askush s’ka se çka humbë më.

Prishtina për të cilën zyrtarisht thuhet të ketë më pak se 200 mijë banorë e që në të vërtetë mendohet se i mban gjatë ditës disa mijëra më shumë, duket këto ditë më amorfe se kurrë ndonjëherë.

Tenda e vetmuar për sa kohë e sheshit Skënderbej, që për gjatë kohë luftoi pothuajse e shurdhët për një kauzë të disa qindra punëtorëve, është rrethuar me fqinj.

Fqinj që ndonëse me luftë e festë bashkë, kanë një qëllim shumë më të madh. Parë me sytë e një udhëtari, njerëzit dhe objekti qeveritar pas tyre, i ngjan një shteti që lufton fort të mbahet në këmbët e tij.

Një botë kaotike që vështirë të kuptohet nëse vallëzon a vajton, sepse me gjasë, askush s’ka se çka humbë më.

Në brendinë e kryeqytetit dalin sheshit kontrastet e padurueshme brenda një hapësire fare të ngushtë: mes arkitekturës së gërryer të socializmit ballkanik qëndrojnë objekte të mëdha me fasada të qelqta; rrugëve dominojnë karshi automobilave të vegjël vetura të markave nga më të shtrenjtat, sheshi i Nënë Terezës ndërkaq ka një atmosferë krejt tjetër, plot të rinj që ecin shpërfillës, burra pleq që kuvendojnë e rrinë ulur në bankat e sheshit, nëna me karroca fëmijësh, fëmijë të gëzuar plot.

Mund të ishte një ditë funddimri krejt normale e një shteti jugor, mirëpo pamja nuk është reprezentative.

Ndërmjet lëmshit të zërave dëgjohen dominueshëm zërat e atyre që kanë ardhur për pak adrenalinë në sheshet e kryeqytetit ose për një luftë që i besojnë, të tjerë ndërkaq buzëqeshin me ironi nga katet e larta të ndërtesave qeveritare. Në vitrinën e një lokali shoh motivet e ndryshme të syzeve.

Nganjëherë duket sikur efekti i tyre ka një metafore mbi misionin e vetë kosovarëve: çfarë po vëzhgojmë? Ose, çfarë po shohim?

Në sheshet ku festa e gremina rrinë bashkë, është e dukshme se sistemi nuk ka pasur asnjë sukses, ndoshta pse nuk pati kurrë një sistem.

Një peizazh groteskt i një vendi të vrazhdë ballkanik. Gjithçka nga këto që po ndodhin shihen lehtë po treten rëndë.

Një manifestim mllefi nga njerëzit e rraskapitur nga situata politike këtu, nga vetë jeta në Kosovë, apo një manifestim dëshire për të qenë vetë në krye të pushtetit…. po të ishte e para çdo sakrificë ia vlen, po të jetë e dyta, në esencë ka një përbuzje të thellë ndaj këtij konsumimi dhe lojës ndër veti.

Masterplanet megjithatë thuren diku tjetër. Por masa që jeton është e rraskapitur nga situata. Ndoshta, ose më shumë se ndoshta. Sidoqoftë më e dhimbshmja është që edhe fëmijët e lindur vonë, u imponuan të mësojnë fjalën protestë.

Kësaj radhe festa e protesta nuk do të ndiqet nga euforia e shikuesve nga e gjithë bota, por nga kureshtja e mbase frika e masës së rraskapitur.

Një kastë politike, që synon të rrijë ulur në shtet, dhe një kastë politike që synon të ulet po në atë shtet. Mbi të shumtët ekzistojnë akuza të shumta, dhe mbi të shumtët ekzistojnë dilema e refuzime.

Në këto ditë feste e proteste, zije a dasme, gjatë ditës mund të përjetohen për disa herë, kontradiktat e së tashmes kosovare. Njerëz që qajnë e njerëz që qeshin, njerëz që festojnë e njerëz që akuzojnë, fjalë nga më të ndryshmet, sirena policie e rrugë policë të armatosur.

Diku cakërrohen gotat me verë, e diku fëmijët pyesin të ëmat: ç‘janë gjithë këta policë e ushtarë mami? Prapëseprapë është jeta në Kosovë, me një optimizëm e pesimizëm prozaik mes realitetit dhe ëndrrave kosovare.