Një këndvështrim jopopullist për problemet në sektorin e energjisë

“Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke menduar njëjtë sikur atëherë kur i krijuam” (“We cannot solve our problems with the same thinking we used when we created them”.)

Kjo thënie nga Albert Einstein e përshkruan më së miri problemin e vazhdueshëm në sektorin e energjisë e për të cilin po flasim shumë së fundmi.

Sipas këndvështrimit tim, problemi kryesor me sektorin e energjisë në Kosovë është pika referente apo baza krahasuese.

Sa herë që flasim për investime të reja ne gjenerim, e kemi problemin e njëjtë: Sa do të ndikojnë këto investime në tarifat e energjisë elektrike që paguhen nga qytetarët.

Në çdo skenar, si pikë referente merret çmimi që aktualisht KEK e furnizon KESCO-n (si Furnizues me Shërbim Universal). Ky çmim është nën 30.00 Euro/MWh.

Dhe këtu fillon dhe përfundon problemi. Kjo është pika të cilës të gjithë i ikin për shkak të frikës se pranimi i realitetit do të ketë kosto.

Problemi është i thjeshtë, zgjidhja JO!

Çmimi prej 30 euro/MWh është joreal dhe nuk reflekton koston reale. Ky çmim është kaq i ulët për këto arsye: teknologjia shumë e vjetër/amortizimi i këtyrë aseteve (jetëgjatësia e tyre sillet prej 40 deri 50 vite), subvencionimi ndër vite prej pasluftës nga Qeveria për KEK.

Kosova veçse ka tentuar të bëjë një TC të ri dhe çmimi i ofruar nga ai TC ka qenë rreth 80 euro/MWh. Ky çmim ka mundur të negociohet, por minimumi do të ishte 65.00 euro/MWh. Pra, po flasim për dyfishim të çmimit të gjenerimit apo 3.5 centë shtesë për çdo kWh të prodhuar/shpenzuar që duhet të paguhet nga konsumatori i fundit.

Po ashtu çmimi i tregut (bursës) në 10 vitet e fundit dhe trendet e së ardhmes e tregojnë shumë qartë që ky çmim nuk mund të merret për bazë për shkak të pikës referente të gabuar, pra çmimit prej 30 euro/MWh, raportohjet se Hidrocentrali i Ujmanit në fillim të vitit 2021 ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare për shitje të energjisë elektrike ne Bullgari me një çmim prej 38.40 euro/MWh.

Ky HC ka nënshkruar një kontratë të tillë pasi që çmimi i ofruar nga operatorët vendorë ka qenë më i ulët se kaq. Po ashtu, ZRRE çmimin referent në vitin që Ujmani ka shpallur tender e ka pasur shumë të ulët (mesatarja del e ulët për shkak të çmimit shumë të ulët prej KEK-ut).

Sipas planifikimit nga ky HC, prodhimi vjetor më 2022 pritet të jetë rreth 86,000 MWh. Këto 86,000 MWh do të shiten për një çmim vjetor prej 3.30 milionë euro.

Çmimi mesatar në bursën HUPX për vitin 2022 (për 8 muajt e parë të vitit) është mbi 260.00 euro/MWh.

Pra, blerja e 86,000 MWh në bursë do na kushtojë 22.36 milionë euro.

Diferenca do të jetë rreth 19 milionë euro (energjia në bursë këtë vit është 6.5 herë më e lartë sesa çmimi që HC Ujmani e shet aktualisht sipas kontratës afatgjate).

Përfundimisht, për shkak se politikëbërësit dhe vendimmarrësit në sektorin e energjisë vazhdimisht kanë pikë referente të gabuar, vetëm në këtë rast do të paguajmë 19 milionë euro më shumë.

Investimet në gjenerim (prodhim të energjisë elektrike) do të reflektojnë me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Sado që kjo qasje nuk është populliste, është e vetmja formë për zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

Investimi në gjenerim që do të kishte si rezultat rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin e fundit, në nivelin 30-40% (duke i përjashtuar skemat sociale), por që do ta mbronte konsumatorin nga luhatjet e mëdha në tregjet europiane , është e vetmja zgjidhje praktike e problemit.

Pra, duhet patjetër t’i falenderojmë të gjithë punëtorët e KEK-ut, përfshirë menaxhmentit, për punën e jashtëzakonshme në vitet e fundit duke thyer rekordet e prodhimit vjetor.

Autori është ekspert i energjisë. Ai është në studimet master në Rice University, Houston (programi: Energy Economics)