Statuja e Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës | Foto: Atdhe Mulla

Ngrije e Shkrije More Zot, Qysh e Ke Bo Emën!

Janari i ftohtë i qytetarëve, megjithatë qe i nxehtë për shpirtin e tyre. Viti nisi si me jyrysh e dikush tha se dikujt “i doli petulla!”. Një janar ‘më i nxehtë’ vështirë mbahet mend, e viti tek sa ka filluar.

Ngrije e shkrije more zot, qysh e ke bo emën! Dimri ka ardhë i ftohtë në gadishull. Po dimri kosovar, janari kosovar, ka ardhë i mbushur plot për në. Një janar ma të nxehtë vështirë e kam me e kujtu.

Rrugëve të ngushta e të ngrira të Prishtinës, emrin e Shpendit e dëgjoj shpesh: e kanë pastru, s’e kanë pastru; këtu ma pak e këtu ma shumë… le bre pashë zotin! Televizioni thotë se komuna gjithë natën po i rri gati rrugëve. Ani, bone zo emën qysh e ke bo, se u ngrimë krejt!

Një plakë mbahet për shtylla derisa provon ta kalojë teposhtëzen, një plak ecë me shumë kujdes; shitësit te pazari i Ulpianës i janë ngrirë perimet. Ani, se bora i mbyt viruset, po gripi na mbyti! Na ka shtrirë përtoke! Edhe rrymës po i shkon kilovati, e drutë na u sosën. Po hajt! Ngrije e shkrije more zo, qysh e ke bo emën! -19, -20, edhe dikush po thotë – 200. Ani, se i mbyt viruset!

Rrugët janë çelë megjithatë, ani se në disa shkolla ankohen se oborret janë shndërruar në pista patinazhi. Po hajt, se fëmijët e adhurojnë borën, e s’e ndiejnë as atë, as akullin!

Një plak mbahet shtyllave, një plakë ecë me kujdes. Ah, Zot ruana! Po çka t’u ‘ka krue me dalë oj plakë!” i thotë dikush me maraz. “Dreqi të hongtë, po qe pleqnia. Hajt mshelu e mos dil se po të mbytë arbaini”.

Janari i ftohtë i qytetarëve, megjithatë qe i nxehtë për shpirtin e tyre. Viti nisi si me jyrysh me klipe humoristike të natës natës së vitit të ri. Stupcat u bën hit për disa ditë, e populli tha se dikujt “i doli petulla!”. Po me jyrysh e me flakë erdhën edhe protestat e 9 janar-it; me më pak zhurmë e me më shumë elegancë u shfaqën edhe njëherë dy ish-engjëjt e ish-kryeministrit Thaçi.

Thanë se dikush po i kandidon Demaçin e Qosjen për çmimin Nobel për paqe. Po aman, pse nuk i lanë veç e veç, njërin një vit, tjetrin tjetër herë. Ta fitojnë të dy të paktën! Një tjetër burrë i madh rri nën hije e këqyr nga larg. Po kush do e fitojë një çmim Nobel sivjet!

Nga njëri krah në krahun tjetër, i ftohti e ngrica nuk e ndali asnjë adhurues e asnjë bashkëpolitikan me e kujtu me gjithë nderimet ish-presidentin Ibrahim Rugova, në një dekadë ikejeje të tij. Ata që e deshën shumë, e ata që e quajtën ndonjëherë edhe të shenjtë, edhe njeri me orë, shpëtimtar, edhe të mbërrim, të urtë e trim. Por e nderuan si asnjëherë edhe jo pak të tjerë, të cilët për të gjallë e quajtën edhe tradhtar, edhe pacifist, edhe antikombëtar e sa prej tyre ndoshta e kishin ëndërr edhe për ta vrarë.

Ata që e kishin njohur nga afër e kujtuan të ketë qenë ndryshe nga të tjerët, i butë dhe i prerë, i qetë në urtësinë e tij e i vendosur në idealin e tij, por e respektuan dhe e nderuan edhe dikur kundërshtarët e tij të mëdhenj politikë, të cilët në asnjë 21 janar e në data politike nuk hezitojnë t’i përulen para varrit, të flasin për të, për figurën dhe emrin t’ia përdorin si “vlerë” për vete, të cilën për të gjallë të tij, e kishin ndryshe muhabetin.

Çuditërisht, ndodh nganjëherë që disa figura të shndërrohen post mortum në figurë uniteti më shumë sesa për të gjallë. Qoftë për hipokrizi, qoftë për nostalgji, e qoftë për dashuri.

Edhe popujt e vegjël si krejt dynjaja, gjithnjë kanë pasur disa emra të mëdhenj në të cilët janë mbështetur. Për kosovarët është akoma më specifike, nisur nga rrethanat në të cilat ky vend është krijuar. Dikush e kujton dikë vetëm kur vijnë zgjedhjet, e dikush, si plaku që mbahej pas shtyllave, edhe në kohë acari e duke i shty me menzi hapat e vet.

“Ngrije e shkrije more zo, qysh e ke bo emën”, pëshpërit ai sikur me i jap “gajret” vetes. Dimri është i gjatë, thotë plaku e babloku i bani dhjetë vjete nën tokë. Shtyllave të tij, një burrë më i ri ia ngjet për krahu, duke i thanë me një hukamë: “Hajt mshelu o plak e mos dil se po të shtin edhe ty nën tokë arbaini!”.

Por plaku e kish bo emën me e kujtu bablokun e tij. Jo kot thonë se dashuria e respekti rri në zemrat e pastra. Për të gjithë ata që e kanë kryer misionin, do të ishte bukur t’i kujtojmë me tingujt e këngës “Tears in Heaven” dhe për zemrat e pastra të njerëzve – të durojnë e të mbijetojnë në dimrat e ftohtë e në kohët e rënda. “Qysh e ke bo emën more zo!”.