Në Mbrojtje të EULEX-it

Javën e kaluar, mbesa ime shtatë vjeçe ishte e ulur përballë meje në një kafene në rrugën Nëna Terezë, gojën ëmbëlsisht të zhytur me akullore vanilje dhe me kukullën e re shkëlqyese Barbie në tavolinë pranë saj. Ajo mundohej të kuptonte se çka në të vërtetë bënte daja i saj në Kosovë.

“Unë punoj për një organizatë që quhet EULEX. Ne mundohemi t’i rregullojmë gjërat për njerëzit që jetojnë këtu. Për shembull, ne mundohemi t’i çojmë njerëzit e ligë në burg dhe të ndihmojmë policinë e vendit që ta bëjë të njëjtën gjë”, u mundova t’ia shpjegoja sa më thjeshtë që është e mundur.

“Edhe, a ia dole?”, më pyeti ajo mua, duke e fshirë akulloren nga faqja dhe duke më shikuar më një intensitet të papritur e të pafajshëm.

“Paj… disi. Ende po punojmë në atë drejtim”. Dhe pastaj e bëra një gabim. “Ne ende po punojmë në disa peshq të mëdhenj”.

“Peshq?”, bërtiti ajo në mosbesim. “Ti po mundohesh t’i futesh peshqit e mëdhenj në burg? Pse peshqit? Çfarë të keqe kanë bërë ata?”

Ah po. “Peshqit e mëdhenj”. Prapë kjo.

Na pëlqeu apo jo, suksesi, ose e kundërta, e EULEX-it shpeshherë gjykohet nga kolegët tonë në shtyp bazuar në suksesin tonë të arrestimit të të ashtuquajturve “peshqve të mëdhenj”. Me “peshq të mëdhenj” ne nënkuptojmë politikanë dhe afaristë të profilit të lartë të cilët kanë grumbulluar pasurinë e tyre përmes krimit dhe korrupsionit dhe të cilët duken se janë imunë nga drejtësia: “të paprekshmit”.

Çështja tejet e ndërlikuar e matjes së suksesit në “sundimin e ligjit” ulet në ekuacionin e thjeshtë se a janë arrestuar njerëz të profilit të lartë apo jo.

Si ish gazetar i BBC-së që ka punuar tetë vjet në ish Jugosllavi, unë jam krejtësisht i vetëdijshëm për nevojën për t’i thjeshtësuar historitë dhe për përpjekjet për t’i shndërruar “të ndërlikuarat” në “të kuptuar më të lehtë”. Por, fatkeqësisht, sundimi i ligjit është më i ndërlikuar. Suksesi në sundim të ligjit nuk mund të matet me terma kaq të thjeshtë.

Gazetarët kanë të drejtë të pyesin nëse janë duke u zhvilluar hetime ndaj njerëzve të profilit të lartë. Po ashtu, ata kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga EULEX-i, të parashtrojnë pyetje të vështira dhe, në emër të popullit, t’i kërkojnë arsyet dhe shpjegimet. Por gazetarët gjithashtu kanë përgjegjësi që ta japin pasqyrën e plotë, t’i vendosin kritikat në kontekst dhe ta paraqesin edhe “anën tjetër të historisë”. 

Prokurorët dhe policia e EULEX-it hetojnë individë pavarësisht se kush janë ata, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, pozitën ose privilegjet. Nëse ka dëshmi, dhe nëse krimet janë të rënda, EULEX-i do bëjë hetime.

Por kjo nuk do të thotë se kjo është punë e lehtë. Është e nënkuptuar që hetimet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit marrin kohë. Në shtetin tim, në Mbretërinë e Bashkuar, me tërë teknologjinë dhe ekspertizën e sofistikuar në dispozicion, hetimet madhore në praktikë mund të zgjasin me vite për t’u përfunduar. Dhe në shumë mënyra mjedisi këtu është shumë më sfidues sesa në vendin prej nga vij unë.

Çdo ditë, në stacione policore, gjykata dhe në vendkalime kufitare kudo në Kosovë, pjesëtarë të EULEX-it kryejnë punën e tyre, qoftë në cilësi ekzekutive ose monitoruese, duke udhëzuar dhe këshilluar kolegët tonë vendorë.  Kjo mund të mos jetë material për ballina gazetash, ose lajme të mbrëmjes, por ajo punë është duke u bërë. Çdo ditë barten metoda, teknika, taktika dhe shkathtësi. Ndikimi i kësaj nuk duhet të nënvlerësohet.

Sundimi i ligjit nuk duhet të matet thjeshtë me statistika, por në disa raste i vlen të përmenden disa.

Gjyqtarët e EULEX-it kanë nxjerrë aktgjykime në më shumë se dyqind lëndë penale të veprave të rënda. Janë nxjerrë dyzetegjashtë aktgjykime në lëndë të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Janë pothuajse katërqind hetime penale në vazhdim e sipër me përfshirje të prokurorëve të EULEX-it. Mbetjet mortore të gati treqind individëve të zhdukur që nga lufta janë kthyer te më të dashurit e tyre.

Përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë nuk është proces i lehtë dhe disa herë mund të jetë shumë i dhimbshëm, posaçërisht kur flasim për krimet e luftës. Por Kosova po ecën në drejtimin e duhur. Dhe EULEX-i po e kryen pjesën që i takon. Për disa, ritmi i përmirësimit mund të jetë i ngadaltë, gabime mund të bëhen gjatë rrugëtimit dhe pritjet, padyshim, do të mbesin të larta. Por është duke u arritur përparim.

Gjithashtu, duhet të kujtomë se çdo shtetas individual ka përgjegjësi personale në përmirësimin e sundimit të ligjit. Nuk mund të jetë që thjeshtë EULEX-i të vijë dhe t’i zgjidhë të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë. Çdo qytetar individual ka përgjegjësi që ta respektojë sundimin e ligjit të vendit të tij, ta raportojë krimin, ta denoncojë kriminelin dhe t’i ofrojë dëshmitë.

Dhe, në fund, unë e kam një pyetje. Çfarë do të ishte Kosova pa EULEX-in? Sikur të mos kishte gjyqtarë dhe prokurorë të BE-së, ekspertë të krimit të organizuar dhe korrupsionit nga shtetet si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, sikur të mos kishte specialistë doganorë që bartin njohurinë dhe ekspertizën e tyre, a do të kishte qenë Kosova në gjendje më të mirë? A do të ishte eliminuar më shpejtë korrupsioni dhe krimi i organizuar? A do të përballeshin “peshqit e mëdhenj” më shpejtë me drejtësinë? Po ua lë juve që të gjykoni vetë.

Nick Hawton është zëdhënësi kryesor i EULEX’it.