Ilustrimi: Këshilli i Europës

Ndëshkimi fizik te fëmijët me çrregullime prevazive në zhvillim

Strategjitë dhe format e disiplinës prindërore janë një nga arsyet që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe sjelljen e fëmijëve. Ndër format më të hulumtuara të disiplinës së dhunshme është dhuna fizike ose ndëshkimi trupor. Sipas Gershoff (2008) ndëshkimi trupor përfshin përdorimin e forcës për të shkaktuar dhimbje, por jo lëndim, me qëllim të korrigjimit ose kontrollit të sjelljes.

Një kërcënim serioz në zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve është ndëshkimi fizik dhe të gjitha format e tjera të dhunës që ushtrohen në ta. Po të shohësh me kujdes një sjellje që duket nga afër si një ‘frustrim’ momental i fëmijës, ti vëren që ajo mund t’i vijë nga presioni për t’u sjellë mirë në një ambient i cili nuk është atraktiv dhe nuk i dhuron asnjë kënaqësi dhe interesim për të, por që prindërit e kanë zgjedhur për të kaluar një pasdite.

Shpesh, sjellja e papërshtatshme e fëmijës mund të jetë rrjedhë e mos konsistencës në edukim dhe ndëshkimit fizik të herëpashershëm apo dhe në kontinuitet – që prindërit përdorin për të arritur rezultat në komunikim me fëmijët e tyre, pa e vlerësuar se ajo në të kundërtën i dëmton edhe më shumë në çdo aspekt.

Ndër format e ndëshkimeve trupore të cilat ushtrohen te fëmijët janë edhe ‘pickimet’, tërheqjet e flokëve, goditjet me pëllëmbë, shtypjet në trup dhe gjymtyrë, si dhe detyrimi për të qëndruar në pozita jo të përshtatshme – që për qëllim kanë poshtërimin e fëmijës dhe/ose shkaktimin e dhimbjes fizike

. Ndëshkimi fizik e bën mbrojtjen e fëmijës të pamundur, sepse nëse praktika e ndëshkimit trupor tolerohet, fëmijët humbin besimin në familje, shkollë, komunitet dhe shoqëri si një mjedis mbrojtës. Ndëshkimi fizik kontribuon në një shoqëri që karakterizohet nga nënshtrimi, ku komunikimi nuk realizohet me respekt të integritetit të të tjerëve dhe cenon të drejtën për siguri dhe mirëqenie, ndër të tjera.

Përgjatë hulumtimit të praktikave shtetërore nëpër mbarë botën rreth ndalimit të ndëshkimit trupor, raportohet se në tridhjetë e katër (34) vende të botës, përdorimi i ndëshkimit trupor ndaj fëmijës është i ndaluar (Global Initiative, 2012).

Në mesin e shumë institucioneve që mbështesin dhe promovojnë zhvillimin e fëmijës dhe qasjen pozitive në disiplinë, Society for Adolescent Medicine ka realizuar studime të cilat kanë treguar se ndëshkimi trupor ka efekte negative në shëndetin fizik dhe mendor të fëmijëve (Greydanus, 2003). Te fëmijët me çrregullime prevazive, (Mandell, 2005) këto forma të ndëshkimeve janë më të pranishme (David S.Mandell Christine M.Walrathc Brigitte Manteuffeld Gina Sgrod Jennifer A. Pinto-Martine.(2005) Child Abuse & Neglect Journals of Elsevier Ltd Volume 29, Issue 12, December 2005, Pages 1359-1372 Child Abuse & Neglect). Si pasojë e kësaj, personat të cilat i vuajnë këto ndëshkime nuk kanë mundësi t’i tregojnë ato për shkak të kufizimeve në të shprehur. Sidomos kur janë në një mjedis i cili në vazhdimësi prodhon forma të tilla të disiplinës, këta fëmijë e internalizojnë dhunën që shfaqet mbi ta dhe mund ta marrin si shumë të natyrshme dhe të pranuar.

Çrregullimet prevazive në zhvillim përfshijnë një spektër të gjerë të problemeve edhe sipas National Dissemination Center for Children With Disabilities (2003). Kategoria diagnostikuese e çrregullimeve  prevazive në zhvillim i referohet një grupi të çrregullimeve të karakterizuara nga vonesat në zhvillimin e aftësive të socializimit dhe komunikimit.

Prindërit mund të vërejnë  simptomat  shumë herët, edhe pse mosha tipike e fillimit të këtyre simptomeve  është para 3 vjetësh. Simptomat mund të përfshijnë probleme në përdorimin dhe kuptimin e gjuhës; vështirësi në krijimin e marrëdhënieve me njerëzit, objektet dhe ngjarjet, lojë të pazakontë me lodra dhe objekte të tjera; vështirësi në përshtatje kur ndodhin ndryshime në mjedisin, rutinë ose aktivitetet të cilat i përcjellin rregullisht dhe kanë lëvizjet e përsëritura të trupit ose të sjelljeve. Ndër llojet e çrregullimeve prevazive në zhvillim, përfshihen çrregullimet e spektrit të autizmit,  Sindromën e Aspergerit, Çrregullimin Disintegrues të Fëmijëve dhe Sindromën e Rettit.

Ndër vështirësitë që hasen për të identifikuar shenja të dhunës mbi këta fëmijë gjatë  punës klinike, është se shenjat në trup dhe fytyrë shpesh raportohen sikur aksidente dhe janë vështirë të diferencueshme, meqë këta fëmijë mund të kenë edhe sjellje vetë lënduese, e që janë karakteristikë e çrregullimit përkatës. Në raste kur familja dhe kujdestarët e fëmijëve janë bashkëpunues, frekuencat e sjelljeve vetë lënduese evidentohen dhe monitorohen.

Më pas, në bashkëpunim me prindin ose kujdestarin e fëmijës, profesionisti zhvillon një plan për trajtim adekuat terapeutik. Gjatë procesit terapeutik, sjelljet e tilla mund të zbehen e në disa raste edhe të zëvendësohen plotësisht më forma të përshtatshme të reagimit. Por brenga mbetet e lartë për rastet e shumta të fëmijëve që nuk kanë familje dhe/ose kujdestarë që dëshirojnë të bashkëpunojnë, por vazhdojnë të përdorin format e ndëshkimit trupor si formë të disiplinës dhe edukimit, ose të cilët kanë besim të gabuar se përmes kësaj qasje fëmijët mund të ndryshojnë një sjellje të papërshtatshme  e cila vjen si pasojë e çrregullimeve.

Ka hulumtime të konsiderueshme që tregojnë se ndëshkimi fizik rrit agresivitetin, sjelljet antisociale, problemet e shëndetit mendor dhe dëmtimin fizik” (Gershoff, 2008, f.7). Bauer (1990) gjithashtu raporton se ka një ndërlidhje në mes të ndëshkimit trupor dhe rritjes së agresivitetit dhe sjelljeve të dhunshme.

Sipas Gershoff (2008, fq.13), rreth 85% e studimeve kanë treguar që përdorimi i ndëshkimit trupor rezulton me “më pak internalizim moral të normave për sjellje të përshtatshme dhe pajtim afatgjatë”. Gershoff tregon se në dymbëdhjetë (12) studime, problemet e shëndetit mendor u rritën me rritjen e ndëshkimit trupor.

Një tjetër kritikë ndaj ndëshkimit trupor është se nuk u mëson fëmijëve se pse ndonjë sjellje specifike është e gabuar, ose se si duhet ta korrigjojnë atë (Bauer, 1990). Megjithatë, kjo kritikë duhet të shërbejë edhe tek opsionet e tjera të disiplinës të bazuara në një “model dënimi”, përfshirë poshtërimin, dëbimin, ndalimin ose pezullimin e aktiviteteve të caktuara të pëlqyera nga fëmijët.

Si shoqëri, ne përgjithësisht ende nuk e njohim ndikimin emocional ose traumën që mund të ndodhë si rezultat i ndëshkimit fizik ose çfarëdo tjetër forme të dhunës që përdoret për të përmirësuar sjelljen ose komunikimin me fëmijë. Prandaj, ngritja e vetëdijes së gjithmbarshme për parandalimin, identifikimin dhe raportimin e të gjitha formave të dhunës –  përfshirë edhe ndëshkimin fizik që mund të ushtrohet në persona të cilët vuajnë nga çrregullimet e ndryshme prevazive- është e domosdoshme për të siguruar mirëqenien e plotë të fëmijës.

Kjo domosdoshmëri mbështetet në studimet e lartëcekura, të zhvilluara nëpër vende të ndryshme të botës, të cilat kanë gjetur se ndëshkimi i përgjithshëm trupor është më shumë dëmtues në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijës, sesa i suksesshëm në zvogëlimin e sjelljeve problematike dhe promovimin e sjelljes prosociale.

 

Ibelinda Halili është specialiste e psikologjise klinike dhe psikoterapisë