Ilustrim - Banesa Sociale në Laplasellë, Graçanicë FOTO-Deniz Sllovinja/KALLXO.com

Ndërtesat sociale zgjidhje jo adekuate për banim social

Sipas Ligjit për Financimin e Programeve të Veçanta për Banim komunat e Kosovës duhet të ju sigurojnë strehim të përkohshëm të gjitha familjeve të cilat vet nuk mund të sigurojnë banim deri në kohën kur këto familje të jenë në mundësi materiale që vet të zgjidhin çështjen e banimit.

Komunat këtë e bëjnë kryesisht përmes ndërtesave për banim social apo si njihen ndryshe në popull edhe si banesat sociale.

Numri i saktë i njësive banesore në pronësi të komunave të cilat mund të shfrytëzohen për qëllime të banimit social nuk dihet, por nga informatat e marra nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës del që në tërë Kosovën të jenë rreth 1,200 njësi banesore (mesatarisht rreth 30 njësi banesore për komunë).

Ky numër i njësive banesore është shumë i vogël për t’i përballuar kërkesat e qytetarëve për banim social. Përpos që numri i banesave sociale është i vogël, ekzistojnë edhe dy probleme tjera lidhur me këtë formë të ndihmës për qytetarët në nevojë për strehim.

E para është se pothuaj  të gjitha këto banesa sociale janë të banuara prandaj nuk mund të llogaritet në këto ndërtesa për familje të reja në nevojë për strehim.

Ndërsa problemi i dytë është se këto ndërtesa nuk janë adekuate për banim meqenëse i grumbullojnë në një vend kryesisht familje me gjendje të rëndë socio-ekonomike dhe mundësia e tyre për integrim mbetet shumë e kufizuar. Pra, në një farë forme bën getoizim të familjeve të margjinalizuara në zona të ngushta.

Komunat e Kosovës si përgjegjëse kryesore për trajtimin e banimit social duhet të jenë më kreative në gjetjen e mundësive të reja për të ndihmuar familjet në nevojë për banim të përkohshëm.

Me një fjalë, komunat duhet që urgjentisht të mendojnë që të krijojnë sa më shumë stoqe të banimit të cilat do të ishin në pronësi të vet. Për këtë qëllim duhet të përkrahen nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës përmes nxjerrjes së akteve të reja ligjore.

Komunat duhet të mendojnë që të kenë në pronësi njësi banesore të shpërndara në tërë qytetin e jo të konceptuara në banesa të veçanta siç është rasti për momentin.

Kjo do të mundësonte socializmin dhe zhvillim më të shpejtë ekonomik përfituesve të banimit social që do të mundësonte që më shpejt të integrohen në shoqëri dhe të lirojnë këto banesa duke zgjidhur vet çështjen e banimit.

Shumica e shteteve Evropiane kanë në pronësi të vet një numër të madh të banesave gjë që ju mundëson fleksibilitet të madh për të ndihmuar familjet në nevojë për strehim të përkohshëm si dhe ju mundëson edhe zhvillim ekonomik.

Sasia e banesave në shtete të Evropës shkon deri në 30% siç është rasti në Holandë që i bjer që gati një në tre banesa në Holandë është në pronësi të shtetit. Por ma e bukura është se të gjitha këto banesa kanë shtrirje në qytet dhe nuk janë të koncentruara si banesat sociale në Kosovë. Këto stoqe të banimit në Holandë shfrytëzohen për familjet në gjendje të rëndë socio ekonomike në formë të banesave sociale por mund të lëshohen edhe me qira me çka shteti i Holandës ka edhe përfitime ekonomike.

Për momentin në Kosovë ka shumë pak banesa të tilla në pronësi të komunave dhe kryesisht janë në formë të banesave sociale të koncentruara në një vend dhe veçse të banuara siç është përmendur më lartë. Duhet të jetë prioritet i lartë i qeverisë së re të Kosovës që t’i përkrah komunat në këtë drejtim. Ka forma të ndryshme se si mund të realizohet një gjë e tillë.

Forma më e mirë është që në vend të taksave për ndërtesa kolektive të merren njësi banesore, të negociohet madhësia e ndërtesave në këmbim të njësive banesore, të bashkëpunohet me kompani ndërtimore përmes skemave të partneritetit publiko provat si dhe të shqyrtohet mundësia që të blihen njësitë banesore nga kompanitë ndërtimore.

Këto njësi banesore pastaj mund të ju jepen në shfrytëzim të përkohshëm  familjeve në gjendje të rëndë socio ekonomike, viktimave të dhunës në familje, çifteve të reja apo edhe shtresave të mesme që kanë telashe me përballu tregun e banesave.

Po ashtu këto njësi banesore do të mund të lëshoheshin edhe me qira me çka shteti i Kosovës do të kishte edhe përfitime ekonomike, si në rastin e Holandës të përmendur më lartë.

Një formë tjetër për të ndihmuar familjet në nevojë për strehim është përmes banesave me kosto të përballueshme. Ka forma të ndryshme si të realizohet kjo skemë por më e zakonshmja është që të ndërtohen banesa kolektive në tokat komunale dhe të njëjtat të ju shiten familjeve në nevojë me kosto më të lirë se të tregut. Kjo mund të behët përmes partneritetit publiko privat apo përmes angazhimit të ndërmarrjes publike banesore, për komunat që e kanë këtë ndërmarrje.