Xhamia Prishtine

Xhamia Prishtine - Foto: Denis Sllovinja

Myslimanët bashkëkohorë karshi fetvave të vjetra fetare

Bota myslimane sot është në hall me fetvat e vjetra të evidentuara në librat e saj. Ajo, përkundër përpjekjeve të viteve të fundit, ende nuk ka dalë me një alternativë të qartë për formën e largimit nga qëndrimet e hershme të dijetarëve të saj, të cilët mendimet dhe gjykimet e tyre mbi rregullimin dhe organizmin shoqëror i kanë prodhuar në kohëra dhe rrethana të caktuara vendore, gjeografike dhe gjeopolitike. Fjala këtu, nuk është për parimet bazë të fesë islame, por për shpjegimet dhe interpretimet islame mbi tekstin e shenjtë Kuranin dhe mbi thëniet e të dërguarit Muhamed.

Në raport me këto fetva, një pjesë e madhe e besimtarëve mysliman edhe më tutje vazhdon të besojë se, vetëm interpretimin fetar i përcjell brez pas brezi deri tek gjenerata e parë e myslimanëve, e cila fillon me të dërguarin Muhamed dhe vazhdon edhe tri gjenerata pas tij, është forma më e sigurt dhe më e pranuar në Islam. Ky komunitet fetar, nuk pranon mendim dhe interpretim të ri të tekstit të shenjtë, përderisa nuk ka një mbështetje paraprake tek gjeneratat e mëhershme. Me fjalë tjera, ata duan vetëm interpretim tekstual i cili nuk del nga vija e tyre trashëguese. Në kuadër të këtij qëndrimi i fusin edhe fetvat e vjetra të dijetarëve të caktuar, të cilat i konsiderojnë si pjesë e pandryshueshme dhe e pandashme e mendimit fetar.

Kurse në anën tjetër, një pjesë e madhe e proveniencës myslimane beson se, teksti i shenjtë kuranor është i pandryshueshëm, mirëpo mendimi mbi tekstin është dhe duhet të jetë evolutiv, sepse zhvillimi njerëzor mbi sipërfaqen e tokës nuk ka qenë dhe nuk është i natyrës statike. Ky qëndrim mbështet në argumentin logjik dhe faktik se, botëkuptimet e njerëzve, niveli intelektual, nevojat e tyre, sfidat e reja në rrethanat e reja kohore, arritjet shkencore dhe teknologjike, vazhdimisht janë në lëvizje dhe në qarkullim të pandërprerë. Bota e shoqërive të sotme, nuk mund të trajtohet e rregullohet me mjetet dhe me botëkuptimet e para 14 shekujve, ashtu siç edhe ajo botë e hershme, para 14 shekujve, apo edhe më e vjetër, nuk do të mund të trajtohej e rregullohej me hallet dhe dertet e botës së sotme.

Në drejtim të kësaj problematike, dijetarët e sotëm bashkëkohor dhe mendje hapur të botës myslimane, vazhdimisht po i thërrasin besimtarët e vet, që të bëjnë një shkëputje nga dekretet-fetvat e hershme fetare me natyrë gjykuese absolute, të cilave u ka skaduar mandati legjitimiteti dhe funksionaliteti, dhe në zëvendësim të tyre t`i krijojnë të rejat, të cilat mund të jenë në përputhje të rrethanave dhe kërkesave aktuale.

Ndryshe, dekretet fetare, apo siç janë të njohura në literaturën fetare islame “fetvat”, janë mendime fetare me peshë, të cilat janë nxjerrë dhe që mund të nxirren nga një apo më shumë dijetarë mysliman, brenda një kohe dhe rrethi të caktuar gjeografik. Si të tilla, ato mund të jenë të nevojshme dhe të përshtatshme për kohën dhe vendin në të cilin janë publikuar dhe më gjerë, mirëpo nuk janë të përhershme, të paprekshme apo të pa diskutueshme, sepse asnjëra prej tyre nuk e kanë statusin e shenjtërisë, siç edhe është p.sh konsiderata e gjithë myslimanëve ndaj Kuranit dhe thënieve të të dërguarit Muhamed, të cilat si dy burime islame fondamentale konsiderohen si të sakta dhe sakrale. Përndryshe, thënie të sakta të dërguarit Muhamed, të cilat në fushën e studimeve islame njihen si hadithe, janë vetëm ato që janë në sinkronizim të plotë me përmbajtjen dhe mesazhin kuranor. Përndryshe, numri i thënieve të shpifura në emër të Muhamedit, në mesin e grupeve, fraksioneve dhe të disa sekteve në botën myslimane është evident dhe i pamohueshëm.

Fetvat e vjetra, kontekstet e reja!

Në rrethanat e sotme, janë të shumta dhe të panumërta kërkesat e reja të njerëzve kudo në botë, të cilat p.sh para 100 ose 200 viteve kanë qenë inekzistente. Shprehimisht, nevojat aktuale të shoqërive bashkëkohore, për shumë gjenerata të kaluara historike mund të thuhet se nuk kanë qenë të njohura as me emra, e lëre më edhe të kenë ngjashmëri për nga përmbajtja dhe natyra e tyre.

E drejta fetare, e njohur në literaturën islame si fikhu  është shprehje kulturore e Sheriatit, i cili në bindjen fetare të myslimanëve konsiderohet si transcendental. Shumë kërkesa të kohës, përgjatë gjeneratave të hershme myslimane, qofshin ato të cilët kanë të bëjnë me rregullimin shoqëror apo politik, janë normëzuar në kuadër të kësaj disipline, të cilat janë shkruar e formuluar nga një prijës apo grup i caktuar i studiueseve mysliman, në një moment dhe kohë të caktuar, nën një pushtet të caktuar, si dhe nën ndikimin e një pushtetari të caktuar.

Thënë ndryshe, mendimet mbi të drejtën juridike fetare islame, janë prodhime mendore të njerëzve, në suaza të kapaciteteve studiuese të individëve dhe shkollave të kohës, të cilat nuk kanë status të vazhdimësisë së përhershme, por as ligjshmëri të pacaktuar kohore. Në literaturën islame, ato mund të konsiderohen pasuri e trashëgimisë së “ulemave” të vjetër dhe klasik, por të cilat sot, mund dhe duhet të lexohen me fuqinë e intelektit tonë studiues, analizues dhe krahasues.

Cili do të duhej të ishte qëndrimi i shqiptarëve si pjesëtarë të besimit Islam, në raport me fetvat klasike, të nxjerra në kohë të vjetra dhe në vende të ndryshme?

Për një besimtar të Islamit, e padiskutueshme është vetëm ekzistenca e Zotit, shenjtëria e Kuranit dhe pejgamberia e të dërguarit Muhamed. Gjithçka tjetër që ka dalë në emër të kësaj nyje të besimit, qoftë mendim, hipotezë apo interpretim, mund të jetë objekt i diskutimit, analizës dhe i vërtetimit të saktësisë burimore.

Shumë fetva në botën myslimane, përveçse se kanë qenë dhe janë të mbështetura e të mbuluara me tekste fetare, ato janë edhe politike, prandaj është tepër me rëndësi që, nga ana e një besimtari të bëhet dallimi mes asaj që është objektivë fetare, si dhe asaj që është jo fetare e kamufluar me grimca fetare islame, apo e përzier me kulturë dhe zakone të lokaliteteve, gjegjësisht e cila nuk ka të bëjë me bërthamën dhe ajkën e Islamit objektiv.

Në rast se, mendimet dhe interpretimet fetare, të cilat kanë marr statusin e fetvave, në brendësinë e tyre gjenden elemente të urrejtjes, dhunës, vrasjes, apostazisë dhe blasfemisë, atëherë automatikisht, për një mysliman duhet të jetë e qartë se, si të tilla ato nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin e mbështetur në tekstin kuranor, e as në hadithin e saktë pejgamberik.

Prandaj, studiuesit shqiptarë të Fesë Islame sot, e kanë aftësinë që të bëjnë një dallim të kësaj natyre të fetvave, prandaj këtë edhe duhet ta bëjnë, dhe janë të obliguar që ta bëjnë, sepse ata në rend të parë, me një veprim të tillë i shërbejnë drejtë dhe objektivisht Islamit në të cilin thirren, dhe së dyti i kontribuojnë paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës ndërkonfesionale të shoqërisë mbarëshqiptare, por edhe gjithë rajonit në të cilën jetojnë dhe veprojnë.

 

1 Një vendim mbi një pikë të ligjit Islam, të dhënë nga një autoritet fetar.

2 Fikhu është jurisprudencë islame. Fikhu shpesh përshkruhet si kuptimi dhe praktikat njerëzore të sheriatit, domethënë kuptimi njerëzor i ligjit hyjnor islam.

 

 

Këtij artikulli i ka kontribuar në redaktim dhe përgatitje Behar Mustafa.