Ferdi Kamberi

Multikulturalizmi dhe ndërtimi i një sistemi stabil - Mbrojtja e të drejtave civile dhe politike individuale

Koncepti i multikulturalizmit përfshinë kulturat, racat, etnitë apo grupet e pakicave, të cilat kanë karakteristikat e veçanta brenda një kulture apo politike. Në Kosovë ky koncept është i përfshirë në aktin më të lartë juridik – politikë në Kushtetutën e Kosovës dhe se grupet etnike/komunitetet jo shumicë mbrohen si kategori e veçantë. Megjithëse, zbatimi i legjislacionit në praktikë ende mbetet një sfidë e cila jo rrallë herë haset në raportet ndërkombëtare.

Gjatë diskutimit mbi këtë temë me panelistët në kuadër të sallonit të së martës, hapën diskutimin dhe nënvizuan çështje shumë interesante. Një prej çështjeve e cila u prek në këtë segment ishte edhe zhvillimi dhe trajtimi i konceptit të multikulturalizmit në kontekstin kosovar dhe ndërlidhja e tij me politikat shtetërore për integrimin e komuniteteve etnike ose minoriteteve, të cilat kanë të drejtat e tyre dhe janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe mozaikut kosovar. Koncepti sociologjik i kulturës sot ka një sërë definicionesh, përfshirë këtu edhe qasjen e kulturës që i atribuohet bashkimit, ndarjes apo dallimit të vetë njerëzve si qenie.

Identiteti karakterizohet si përshkrim psiko – fizik i individit dhe shpeshherë identitetet krijohen jo vetëm në bazë të ngjashmërive por edhe të dallimeve me tjetrin. Dy këndvështrime për këtë çështje janë: multikulturalizmi si realitet i jashtëm si ‘prani e tjetrit’ dhe si realitet i brendshëm, për të cilat sot ka nevojë shoqëria kosovare. Kosova ka një diversitet kulturor, etnik, gjuhësor dhe ka komunitete që duhet të zhvillohen dhe të integrohen edhe më tej. Diversiteti kulturor është vlerë në vetvete dhe e pasuron thesarin kulturorë. Prandaj, për të ruajtur këtë thesare është e nevojshme që të ketë një komunikim më fleksibil (ndërmjet kulturave), në veçanti në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit me shkollat përmes edukimit, bashkëpunimit me artistët dhe shoqërinë civile.

Në kuadër të kësaj teme u prek edhe segmenti i barazisë gjinore, si vlerë e rëndësishme e shoqërisë, ku u potencua fakti se barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm çështje e grave, por çështje e përbashkët e burrave dhe grave, sepse burrat kanë humbur shumë nga diskriminimi dhe pabarazitë që iu kanë bërë grave.

Një argument tjetër i shtruar në kuadër të këtij diskursi ishte edhe çështja e diskriminimit në shoqëri, që mund të reflektojë në ndarjen e shoqërisë dhe krijimin e barrierave të reja në mos integrimin social, gjë që të ndikonte në stagnimin e vetë shoqërisë dhe zbehjen e stadit të demokracisë kosovare.

Pikëpamjet e ndryshme gjatë panelit, bënë që të theksohet disa herë fakti se është e nevojshme një komunikim gjithëpërfshirës jo vetëm në situata të caktuara, por edhe në diskurse shoqërore, debate, në medie, përmes shoqërisë civile, si dhe përmes përfshirjes së akterëve të tjerë. Kjo mënyrë do të reflektonte që secili individ të ndjehet pjesë e shoqërisë kosovare, duke kuptuar se shoqëria ka edhe ‘mëlmesa të ndryshme’ që nënkupton se ka vend për të gjithë.

Në aspektin legjislativ u nënvizua çështja se Kosova ka një Kushtetutë e cila paraqet shoqërinë kosovare si shoqëri shumë etnike. Shpeshherë në raportet ndërkombëtare, Kosova vazhdon të paraqitet si vend që ka ngecje në respektimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Kësisoj, një sistem demokratik dhe stabil është ai që mbron mozaikun e kulturave si vlerë dhe thesare i shoqërisë jo vetëm në aspektin e trashëgimisë kulturore, por edhe si vlerë juridike kushtetuese.

Ndërsa, çështja më e diskutueshme në kuadër të këtij paneli ishte margjinalizimi i komuniteteve jo shumicë dhe çështja e zbatimit të legjislacionit në praktikë, përkatësisht krijimi i mekanizmave institucional të cilat do të ndikonin në përmirësimin e gjendjes ekzistuese.

Në përgjithësi, gjatë diskutimit u theksua nevoja që shteti i Kosovës duhet të edukojë qytetarët për pranimin e tjetrit ‘ndryshe’. Krijimi i një sistemi stabil do të bëhej atëherë kur zbatohet legjislacioni në fuqi. Po ashtu, duhet adresuar rastet që lidhen me diskriminim dhe në këtë mënyrë Kosova do të mund t’i heq narracionet negative nga raportet ndërkombëtare.

Si përfundim i përgjithshëm nga ky sallon doli se është bërë goxha një përparim i dukshëm sa i përket pranimit të multikulturalizmit në shoqërinë kosovare dhe se janë të përfshira komunitete të ndryshme dhe të cilat gëzojnë të drejta. Megjithëse, për të pasur një sistem më stabil, është mese e nevojshme që legjislacioni të zbatohet në praktikë dhe kjo përmes mekanizmave të monitorimit më efikas.

 

Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.

Për shkak të situatës së ballafaqimit me pandeminë, Salloni është transmetuar direkt në facebook të D4D-së.

 

Ky sallon u realizua me mbeshtetje nga Konrad-Adenauer-Stiftung.