Viktor Orban - Foto: REL/EPA-EFE

Mos e lini zgjerimin e BE-së në duart e Orbanit

Refuzimi i Trocsanyi të Hungarisë si Komisioner për Zgjerimin është një mundësi për një riorganizim më të gjerë të kandidatëve të komisionit, duke e larguar këtë portofol të ndjeshëm nga duart e qeverisë “iliberale” të Hungarisë.

 

Vendimi i komitetit për çështje juridike të Parlamentit Europian, JURI, për të refuzuar emërimin e hungarezit Laszlo Trocsanyi si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, së bashku me Rovana Plumb të Rumanisë si komisionere për transportin, ishte mërzia e parë për presidenten e zgjedhur të Komisionit Ursula von der Leyen .

Pas protestës, qeveria e kryeministrit Viktor Orban tani ka emëruar si zëvendësues Oliver Varhelyi, ambasadorin aktual hungarez në BE.

Sidoqoftë, kjo provë e parë për von der Leyen i jep asaj një mundësi për të riorganizuar shpërndarjen e portofoleve të Komisionerit, në vend që thjesht të vazhdojë me Varhelyi si Komisioner për Fqinjësinë dhe Zgjerimin.

Ndërsa Trocsanyi zyrtarisht u refuzua për shkak të konfliktit të pazgjidhur të interesave, sfida e vërtetë ishte sfondi i tij politik si anëtar i rangut të lartë i partisë në pushtet Fidesz të Orbanit. Prandaj zëvendësimi i tij me një kandidat tjetër të emëruar nga Orbani do të ishte gabim.

Varhelyi mund të ngjajë si një burokrat apolitik. Por ai ka mbrojtur me besnikëri politikat e Orbanit në Bruksel për vite me radhë. Qeveria Orban nuk u ka lejuar diplomatëve dhe teknokratëve të tjerë asnjë pavarësi dhe atyre që kanë ecur para me karrierën e tyre gjatë dekadës së kaluar u është dashur të shfaqin besnikëri të plotë ndaj regjimit.

Pra, ndërsa Varhelyi mund të jetë më pak i ekspozuar sesa Trocsanyi, i cili kishte ndihmuar në zbërthimin e sundimit të ligjit në Hungari, mbështetja e tij për shndërrimin e vendit në një regjim të personalizuar iliberal është përtej çdo dyshimi.

Hipokrizi

BE-ja e ka vendosur me të drejtë sundimin e ligjit në qendër të zgjerimit dhe në strategjinë e saj për vitin 2018. Komisioni vuri në dukje se të gjitha vendet e rajonit kishin përjetuar elemente të kapjes së shtetit.

Në sa mënyrë të besueshme mund ta promovojë këtë axhendë një Komisioner i afërt me Orbanin, kur sundimi i Orbanit është shënuar nga kapja e shtetit dhe erozioni sistematik i sundimit të ligjit?

Ndërsa Komisionerët përfaqësojnë Unionin dhe jo vendin e tyre të origjinës, është e vështirë të imagjinohet që një person i emëruar nga Orban do të ishte një kandidat i besueshëm për të promovuar sundimin e ligjit. Edhe nëse ai/ajo do të ishte, kjo do të ishte një hipokrizi që do ta dëmtonte akoma më tej besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Shpresa se, nëse një komisioner hungarez do të duhej të promovonte sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, kjo do të kishte një efekt pozitiv në zbutje në Hungari është naive, duke marrë parasysh erozionin e qëllimshëm dhe sistematik të institucioneve të pavarura që Hungaria përjetoi gjatë dekadës së kaluar.

Në një përgjigje të parë për refuzimin e Trocsanyit, zyrtarët hungarezë e kritikuan vendimin dhe treguan mbështetjen e vendit të tyre për zgjerimin.

Në të vërtetë, Hungaria ka qenë një mbështetëse e fortë e përfshirjes në BE të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, kjo axhendë duket kryesisht vetë-shërbuese dhe është e vështirë të hedhë poshtë dyshimin se me lidhje të ngushta me liderët aktualë dhe ata të mëparshëm në rajon, siç janë presidenti serb Aleksandër Vuçiçdhe ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, qëllimi është të forcojë një kundërpeshë iliberale brenda BE-së.

Një komisioner zgjerimi nga Hungaria do të shtypet fort nga shqetësimet franceze dhe holandeze për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor. Në fakt, një komisioner hungarez që lobon për zgjerimin do të veprojë si një kujtesë e vazhdueshme pse publiku dhe qeveritë franceze dhe ajo holandeze janë të rezervuar për zgjerimin.

Ndihmon një të arratisur

Për më tepër, qeveria e Orbanit e ka penguar axhendën e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa BE-ja dhe shumica e vendeve anëtare e mbështetën hapur Marrëveshjen e Prespës që i dha fund mosmarrëveshjes së gjatë për çështjen e emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Orbani loboi haptazi kundër saj.

Në nëntor 2018, Hungaria jo vetëm që ofroi azil për Gruevskin, i cili u dënua me burg në Maqedoninë e Veriut për korrupsion, por ambasadat hungareze ndihmuan në arratisjen e tij dhe transportin për në Hungari, duke penguar në mënyrë efektive sundimin e ligjit.

Bashkëpunimi i ambasadave dhe ministrisë së jashtme në sjelljen e Gruevskit në Budapest tregon se si në Hungarinë e Orbanit, ka pak hapësirë për institucione të pavarura dhe profesionale, duke reflektuar se edhe kandidatët në dukje profesionalë ose apolitikë, të propozuar nga Orbani, pritet që të tregojnë kryesisht besnikëri ndaj regjimit.

Përtej Ballkanit, komisioneri i ri është gjithashtu përgjegjës për politikën e fqinjësisë, përfshirë marrëdhëniet me Ukrainën. Duke marrë parasysh lidhjet e ngushta që qeveria Orban ndërtoi me Rusinë e Vladimir Putinit dhe shfrytëzimin e saj të përsëritur të pozitës së vështirë të Ukrainës për të bërë presion mbi të në lidhje me statusin e pakicës hungareze, Varhelyi do të jetë gjithashtu në konflikt midis axhendës së Hungarisë dhe axhendës së BE-së kundrejt fqinjit të saj lindor.

Kështu, ndërsa Trocsanyi mund të ketë ikur, një shkëmbim i drejtpërdrejtë me Varhelyi, një tjetër besnik i Orbanit, thjesht do ta dëmtojë axhendën e BE-së në këtë rajon të rëndësishëm dhe të ndjeshëm për bllokun.

Kombinimi i dëmtimit të sundimit të ligjit në vend dhe i promovimit të regjimeve që mendojnë njësoj e bën të papërshtatshëm  çdo kandidat për postin e Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin të emëruar nga qeveria e Orbanit. Von der Leyen do të bënte mirë ta përdorte mosmiratimin e Trocsanyit dhe Plumbit të Rumanisë nga Parlamenti për të rimarrë në konsideratë riorganizimin e portofoleve.

 

Florian Bieber është profesor shkencash politike dhe Drejtor i Qëndrës për Europën Juglindore në Universitetin e Graz-it, në Austri, me fokus në marrëdhëniet ndër-etnike, konflikte etnike dhe nacionalizëm.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.