Mohikani i Fundit

Agim Zatriqi, është personi që më së gjati qëndroi në krye të ndonjë institucioni publik në Kosovën e pasluftës, duke tejkaluar kështu çdo kryeministër, president ose kryesues ndërkombëtar misioni.

Fundjavën që lamë pas, ai dha dorëheqje me anë të një letre duke thënë se “e gjen të pamundur të ushtrojë me përgjegjësi funksionin e drejtorit të RTK-së”. Dorëheqja e tij qe dramatike, ngjashëm me shtrëngatat dhe presionet të cilat është dashur t’i durojë përgjatë karrierës së tij.

Për të mos u keqkuptuar, Zatriqi nuk është viktimë. Në një mjedis të demokracisë së brishtë të Kosovës së pasluftës, posti i tij nënkuptonte që shpesh i binte të vallëzonte me secilin prej politikanëve të sipërpërmendur. Kah fundi, ati dukej që nuk i pëlqente më muzika ngase kompromiset tashmë nënkuptonin kalimin e disa vijave të kuqe të cilat ai nuk ishte i gatshëm t’i kalonte.

Vija përfundimtare e kuqe ishte pranimi i drejtimit të televizionit publik me një redaktor lajmesh, individ ky, të cilin Zatriqi e kishte shkarkuar tre muaj më parë, për shkak të “sjelljes joprofesionale”. Lajmet e RTK-së, janë lajmet më të shikuara dhe më me ndikim në Kosovë, duke e bërë këtë post kyç në formësimin e opinionit publik dhe vendimtar në periudhën para zgjedhjeve, të para të organizuara prej institucioneve kosovare.

Dorëheqja e Zatriqit është pritur gjatë. Ai kaherë e ka kuptuar se nuk do të rrijë në këtë post përgjithmonë. Suksesi i tij është që e ka popullarizuar dhe pavarësuar RTK-në në masë shumë më të madhe sesa që kanë mundur ta bëjnë këtë homologët e tij të RTSH-së dhe RTS-it në Shqipëri dhe Serbi. Veç kësaj, ai ia doli t’i kultivojë disa prej emisioneve më të shikuara, përkundër kufizimeve që i binin obligimet për transmetim në pesë gjuhët minoritare dhe dispozitat tjera të një transmetuesi publik. Ai e arriti këtë sukses, përkundër faktit që vendosi të mos i transmetojë “seritë sentimentale latino-amerikane të cilat e shpërlajnë trurin e audiencës sonë”- siç thoshte Zatriqi, edhepse ato do t’i binin shikueshmëri të madhe.

Këto ishin vetëm disa nga sukseset e arritura gjatë mandatit të menaxhmentit të tij, por padyshim që Zatriqi gjithashtu do të mbahet në mend për dështimin e tij që t’i pushojë nga puna disa gazetarë të RTK-së, raportimet e të cilëve e kanë reflektuar qartë animin politik të tyre. Natyrisht, politikanët gjithnjë e kanë kritikuar atë për mosdhënie të hapësirës së mjaftueshme për gazetarët në fjalë. Disa, madje thonë se, duke pasur parasysh që RTK-ja është mediumi me më së shumti staf, me paga ndër më të mirat në industrinë e mediumeve, pritjet janë që ky staf duhej të kishte prodhuar më shumë emisione të mira. “Vetëm pse disa prej emisioneve kanë marrë vlerësimin më të lartë, kjo nuk do të thotë se është e mjaftueshme që publiku të paguajë nga 3.5 euro çdo muaj nëpërmjet faturave të rrymës”- argumentojnë ata.

Për shumë vite, Zatriqi ua bëri jetën së tepërmi komode punëtorëve të RTK-së, duke u siguruar kontrata afatgjate dhe sigurime shëndetësore që pak punëtorë të Kosovës i gëzojnë. Me gjasë se në këtë drejtim do ta ketë tepruar, marrë parasysh se një pjesë e stafit këtë komoditet e shfrytëzoi për lezheritet dhe përtaci. Heshtja e këtij stafi lidhur me dorëheqjen e Zatriqit, poashtu duket të jetë e çuditshme, për të mos thënë brengosëse.

Ajo që është edhe më brengosëse, është që Zatriqi e lëshon RTK-në në kohë të vështirë. Kontrata me KEK-ut përfundon në nëntor, duke e lënë kështu RTK-në në mëshirën e politikanëve për të diskutuar rreth zgjatjes së kësaj marrëveshjeje ose për të gjetur një zgjidhje të re financiare që e rrezikon RTK-në të vihet në kuadër të buxhetit shtetëror, e që te ne nënkupton kontroll shtetëror. Përveç kësaj, tendenca për ndalimin e reklamave gjatë orëve më të shikuara do ta vështirësojë edhe më shumë pozitën financiare të RTK-së.

Për t’i vënë kapak, Zatriqi e lëshon RTK-në në kohën kur zona amortizuese ndërmjet politikanëve dhe gazetarëve në redaksi po bëhet përditë e më e vogël. Shumë kanë frikë se kjo është shenjë që RTK-ja është duke shkuar tatëpjetë drejt shndërrimit në televizion shtetëror, duke e braktisur mandatin e shërbimit publik për t’u bërë zëdhënës dhe avokat propagandues i qeverisë.

“Çfarë mund të prisnit”- thonë cinikët, “jetoni në Ballkan, ku kultura dominuese e politikës dhe e shoqërisë është e një televizionit shtetëror”, “ju kosovarët në këtë nuk jeni më të mirë sesa serbët dhe shqiptarët e Shqipërisë”.

“Dhjetë viteve të fundit e keni pasur një TV publik sepse është krijuar nga ndërkombëtarët, jo pse shoqëria juaj luftoi për të ose e dëshiroi atë”- komenton një i njohur i imi.

Mbase po. Por, gjithashtu, them se pas dhjetë vitesh, shoqëria jonë është mësuar me përfitimet e pasjes së një transmetuesi të financuar nga publiku. Megjithatë, frika është se shoqëria jonë mund të jetë së tepërmi apatike për ta nxitur betejën që duhet të bëjë gjatë disa viteve të ardhshme nëse don të mbajë një nivel aktual të pavarësisë së një televizioni publik, e lëre më të flasim për përmirësimin e tij.

Megjithatë, mund të flas për atë, dëshmitare e së cilës jam vet, duke pasur përvojë të vlefshme gjatë punës sime me RTK-në dhe Zatriqin për katër vitet e fundit, si moderatore dhe redaktore e emisionit Jeta në Kosovë, emision aktualitetesh dhe bashkëprodhim ndërmjet BIRN-it dhe RTK-së.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e temave rreth të cilave është diskutuar në emision, Zatriqi shpesh është marrë me presionet e ndryshme që kanë ditur të vijnë prej liderëve fetarë e deri te politikanë, për të mos lënë anash as politikanët ndërkombëtarë të cilët përpiqeshin të kenë ndikim në emisionin tonë. Disa donin ta ndërprisnin transmetimin e emisionit, disa të censurohet dhe të zbutet paksa, ndërsa të tjerë donin të largoheshin mysafirët e papërshtatshëm nga paneli. Zatriqi i dëgjonte, diskutonte dhe i bindte me arsyetim ushtruesit e këtyre presioneve, jepte diçka më pak të vlefshme për të lënë pjesën tjetër.

Kjo është një atmosferë e tillë kur secilën ditë e më shumë liderët partiak konsiderojnë se kanë të drejtë të kenë hise në raportimin e RTK-së. Është një atmosferë në të cilën shumica e klasës politike të Kosovës, të vjetër e të rinjë, mendojnë se RTK-ja do të duhej të raportonte jo në mënyrë të pavarur për gjërat që ndodhin, por në mënyrën më të mirë të mundshme në favor të partive politike në proporcion me peshën e tyre elektorale.

Edhe më keq, kjo është një klasë politike që përzgjedhë t’i diskreditojë dhe stigmatizojë anëtarët e padëgjueshëm të mediave, siç u pa edhe me fatin e Zatriqit këtë javë. Ai u detyrua të japë dorëheqje si formë ndëshkimi madje edhe për guximin për të folur më ndërkombëtarët për përpjekjet e qeverisë për të ushtruar kontroll ndaj RTK-së para zgjedhjeve pasuese.

Ky është një mjedis i zymtë për mbijetesën e një transmetuesi publik. Ditë të vështira ndodhen përpara dhe ajo çfarë do të ndodhë me RTK-në do të jetë tregim i asaj që do të ndodhë me Kosovën. Do të jetë tregim i masës në të cilën shoqëria do të luftojë për krijimin e një shoqërie të lirë me vlera demokratike ose nëse do të kënaqemi me despotë që mbajnë maska demokratike.

Artikullin në origjinal në gjuhën angleze mund ta lexoni këtu.