Foto: Fabien Techene
Mirësevini në Kursin e Pengesave Ditore të Prishtinës
Këmbësorët kosovarë trajnohen çdo ditë për Lojërat e ardhshme Olimpike dhe kjo nuk ka të bëjë me xhudon. Në Prishtinë ushtrohet një sport i veçantë: maratona e pengesave urbane. Këtu pengesat nuk janë pengesa “gati-duke-rënë” por janë makina, tarraca kafenesh, shkallë, pajisje dyqanesh, shenja rrugësh, kosha mbeturinash – dhe këto nuk mund t’i kapërcesh lehtë apo t’i tejkalosh.
Si pionier në këtë disiplinë të re sportive, unë kam shpenzuar disa muaj duke ecur metodikisht përgjatë rreth 40 kilometrash trotuar në shumë rrugë të qendrës së Prishtinës. Kam regjistruar rreth 200 pika ku kalimi i këmbësorëve, por edhe i karrocave të fëmijëve, është i bllokuar nga objekte që nuk duhet të jenë aty. Kjo do të thotë që mesatarisht për çdo 200 metra një këmbësor përballet me virusin shpërthyes dhe të papërcaktuar që po infekton trotuaret e qendrës së Prishtinës: makina dhe kamionë të parkuar aty dhe këtu, për një minutë apo katër orë.
Gjatë këtij udhëtimi maratonë, unë pata mundësinë të flas me qytetarë dhe të dëgjoj opinionet e tyre se pse është situata kaq e tmerrshme. Përgjigjet e tyre bien në disa kategori. Disa nga ata ia vënë fajin planifikimit hapësinor joadekuat të së kaluarës. Disa të tjerë theksojnë mungesën e transportit të rregullt publik. Një grup i madh i referohet mungesës së hapësirës për të parkuar dhe sasisë së madhe të makinave që hyjnë dhe dalin nga Prishtina çdo ditë.
Disa gjithashtu iu referuan të ashtuquajturit “mentalitet kosovar” për hapësirat publike, që në mendjet e tyre i lejon vozitësve të parkojnë ku të duan dhe kur të duan. Më kujtohet takimi im me dikë që do ta quaj Fitim, i cili më afrua kur unë po bëja fotografi të disa vazo betoni të mëdha që mbanin pemë, dhe mure (jo aq) të ulëta, sa nuk mund të kaloheshin pa e bërë një “Fosbury flop” perfekt (stili i kërcimit së larti, i emëruar pas atletit Dick Fosbury, që e përdori për të fituar medaljen e artë në Olimpiadën e 1968). Fitimi nuk është vetëm menaxheri i ndërtesës dhe pronari i disa apartamenteve brenda, por edhe personi përgjegjës për këto ndërtime që pengojnë.
Kur një grua e kaloi hyrjen e ndërtesës me fëmijën e saj në karrocë, ai më ftoi brenda në zyrën e tij dhe filloi të vizatojë në një copë letër se si makinat mund të parkojnë përballë ndërtesës së tij dhe të pengojnë këtë nënë dhe fëmijën e saj të arrijnë në shtëpi. Dhe ai shpjegoi: “Pronarët e makinave parkojnë ku të duan dhe kur të duan. E vetmja mënyrë për të mbrojtur hyrjen e ndërtesës sime është të vendos pengesa në trotuar”. Problemi është që trotuari është shumë i ngushtë dhe ky nuk është një rast i izoluar. Pengesat për makina po bëhen pengesa për këmbësorë gjithashtu.
Parkimi në trotuar, sjellje joligjore por e toleruar, është simptomë e një problemi më të thellë: mënyra se si individët apo bizneset dhe autoritetet publike (nuk) po konsiderojnë të drejtat e këmbësorëve, duke çuar drejt një uzurpimi konstant të hapësirës publike të këmbësorëve, çka zakonisht u sjell dobi interesave private.
A është normale të detyrosh këmbësorët të ecin në rrugë kur një bankë apo një ambasadë dëshiron të parkojë makinat e tyre, kur një pronar kafeneje dëshiron të vendosë tarracën e tij në trotuar ose kur një pronar vendos të zgjerojë shtëpinë e tij në hapësirë publike? “Natyrisht që jo!” duhet të jetë përgjigja. Por, Prishtina është kursi olimpik sepse as individët privatë dhe as institucionet publike nuk bëjnë diçka për të ndryshuar situatën. Ka shumë raste kur uzurpimi i hapësirës publike autorizohet nga komuna, që mund të marrë përfitime nga diçka e tillë përmes taksave dhe tarifave komunale. Raste të tjera janë lejuar nga qeverisje të kaluara të komunës dhe s’mund të bëhet diçka për t’i ndryshuar ato. Kur nuk ndodh kështu është sepse bizneset, institucionet dhe individët po i lejojnë vetes të drejtën për të uzurpuar të drejtat e këmbësorëve për përfitimin e tyre.
Duke marrë parasysh problemet e shumta me të cilat përballen Prishtina dhe Kosova në përgjithësi, dikush mund të pyesë nëse kjo temë është e rëndësishme. Është, sepse gjatë ecjeve të mia në Prishtinë kam parë shumë raste kur nëna me fëmijë, qytetarë të vjetër dhe të rinj kanë rrezikuar jetët e tyre duke ecur në rrugë dhe duke e vënë veten në mëshirë të vozitësve të Prishtinës – me pasoja fatale ndonjëherë, dhe shumë plagosje që nuk raportohen. Unë vetë kam qenë dëshmitar ose kam qenë direkt i përfshirë në raste të tilla: krahët e këmbësorëve që goditen nga pasqyrat anësore dhe këmbët që shkelen nga rrotat kur detyrohen këmbësorët të përdorin rrugën, fëmijë që vrapojnë dhe që bien në mes të trafikut sepse nuk kanë kaluar pengesat në trotuar siç duhet ose rënia me kokë në tokë sepse nuk e ke parë zinxhirin që rrethon parkingun privat në trotuar.
Unë nuk mund të harroj një skenë aksidenti shqetësuese në Prizren – një qytet që në shikim të parë mund të duket më miqësor për këmbësorët sesa Prishtina. Së pari dëgjova zhurmën e madhe të përplasjes mes një makine dhe një trupi njerëzor para se të vëreja një plak në tokë. Njerëz u mblodhën rreth tij dhe pas pak minutash, plaku u ngrit me ndihmën e disa shikuesve, çaloi për disa metra para se të shikonte me një shikim të mërzitur krahun e tij që i dhembte. Shoferin fajtor, disa persona që duhet të ishin të afërm të tij, e futën në një shtëpi të afërt si për ta fshehur. Ironia ishte që aksidenti ndodhi mes një këmbësori të detyruar nga disa pengesa në trotuar të ecte në rrugë dhe një shoferi që po mundohej të parkonte mbrapsht në trotuar.
Të detyrosh qytetarët të përdorin rrugën paraqet një rrezik të vërtetë publik dhe ndikon në cilësinë e jetës së prishtinalive – ose të të gjithë kosovarëve. Dhe, e lejuar apo jo nga komuna, mbetet joligjore. Sipas ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor, vetëm “Kuvendet Komunale mund të lejojnë shfrytëzimin e pjesës së trotuarit (rrethoja, tavolina, ulëse, kioska ose të ngjashme), me kusht që nuk zvogëlohet dukshmëria e rrugës dhe që lëvizja e këmbësorëve të jetë e papenguar dhe e sigurt duke ju lënë hapësirë të trotuarit me gjerësi prej së paku 1,5 metra (…)”.
Pra, sado i vështirë të jetë problemi dhe sado qofshin sfidat me të cilat komuna përballet, është përgjegjësia e tyre të përmirësojnë kushtet e këmbësorëve në Prishtinë: uzurpimi ilegal i hapësirës publike të këmbësorëve duhet të luftohet, dhe ata që janë përgjegjës duhet të përndiqen ligjërisht dhe të dënohen. Kur uzurpimi lejohet, qeverisja e komunës duhet të sigurohet që të drejtat e këmbësorëve po respektohen në përputhje me ligjin.
Por, duke njohur sfidat e shumta me të cilat përballet qyteti, dhe ndoshta mungesa e burimeve për të matur problemin, ne në KALLXO.com kemi vendosur të kontribuojmë duke vendosur në hartë pengesat kryesore në qendrën e Prishtinës – dhe duke e bërë të qasshme për qytetarët të raportojnë dhe kontribuojnë. Kjo është kryerja e gjysmës së punës.
Deri tani, afërsisht 200 pika janë identifikuar në qendrën e Prishtinës dhe janë raportuar nga reporterët e KALLXO në hartën tonë online. Ka shumë pika tjera që mbesin të paidentifikuara dhe qytetarët mund të kontribuojnë duke i paraqitur ato në faqen e raportimit. Ky nuk është një projekt “emëro dhe turpëro”. Ne gjithashtu mirëpresim dhe inkurajojmë publikime të përmirësimeve, dhe ata që vendosin të çlirojnë trotuarin nga pengesat mund të na kontaktojnë ne. Përfshihu në KALLXO.com, dhe ta bëjmë Prishtinën më miqësore për këmbësorët – duke hequr pengesat një nga një.