Statuja e ambasadorit William Walker në Reçak.Foto: Kallxo.com

Miqtë Ndërkombëtarë që po Pakësohen Dita- Ditës

Matur me zërat që flisnin për Kosovën në kohë reale, masakra e Reçakut pati jehonë gati sa ajo e Srebrenicës në Bosnjë, ndonëse përmasa e mizorive dhe gjenocidit ndryshonin qenësisht.

Dekada më vonë për dallim nga Srebrenica, Kosova mund të ketë zbehur zërat ndërkombëtarë, por jo për të mirë.

Sado që janë dy tragjedi përmasash të ndryshme, në aspektin ndërkombëtar përvjetorët e masakrës në Srebrenicë përmenden nga media e diplomatë të huaj me muaj përpara. E për masakrat si Reçaku flitet gjithnjë e më pak.

I vetmi që e mban ende traditën e kujtimit të ngjarjes është denoncuesi i saj. Një amerikan tashmë në moshë të shtyrë, ambasadori William Walker.

Prej kohës kur zëri i diplomatëve dhe miqve të Kosovës bëri që ndërhyrja humanitare të jetë e pashmangshme, elita politike e pasluftës e shndërruan atë në një vend që shpesh ngrit zëra nëse kjo ia vlente.

Kosova nuk i ka më zërat mbrojtës nëpër kancelaritë perëndimore. Nuk është George Robertson në Londër, Robin Cook ka vdekur; në Francë koha e Hubert Vedrine e Bernard Kouchner ka kaluar, edhe miqtë e Ismail Kadaresë janë moshuar ose janë shuar; në Itali nuk kthehet më Massimo D’Alema; në Holandë moti është larguar nga skena eurodeputeti Joost Lagendijk; në Çeki nuk është më Vaclav Havel; as në Gjermani nuk është më modeli i Joshka Fisher i cili u ngjyros me bojë nga bashkëpartiakët e tij në pik-un e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe në vitin 1999 pasi si ‘i gjelbër’ mbronte luftën e aleancës veri-atlantike ndaj Serbisë; në Austri ka mbetur vetëm Ulrike Lunacek e cila e vetme po lufton për ta mbajtur Kosovën në agjendën europiane. Lufta e saj po i ngjason asaj të Don Kishtotit kundër mullinjve të erës. Fillikat e vetme!

Mund të bëhet edhe më keq. Zgjedhjet e ardhshme për anëtarët e parlamentit Evropian mbahen në vitin 2019. Ulrike Lunacek mund të mos kandidojë ose të mos fitojë ulëse në rast të kandidimit. E ulësen e saj mund ta zë dikush që nuk e ka idenë se ku është Kosova.

Sa për Amerikën, miqësinë atyre ua kemi kthyer duke i bërë deputetë, ambasadorë e kryetarë komunash personat që Amerika qysh në fillim të lirisë sonë i kishte futur në ‘listë të zezë’. Miqësia më Amerikën nuk është përdorur tjetër vetëm për të treguar këtu brenda se kanë përkrahjen e Uashingtonit ndonëse jo pak herë hapur janë tallur me mesazhet amerikane. Këtë përkrahje e kanë shfrytëzuar kryesisht në kohë të fushatave zgjedhore.

Në vitin 2010 ish sekretarja Hilary Clinton bëri një adresim në Kuvend dhe përmendi çfarë munden dhe duhet të bëjnë liderët në Kosovë për ta nxjerrë vendin nga bataku politik dhe rrënimi ekonomik. “Duhet të privatizoni PTK-në, ngase reformat ekonomike të këtij lloji janë të nevojshme për të çimentuar tranzicionin demokratik të Kosovës dhe për të luftuar korrupsionin endemik në vend”, kishte thënë Clinton.

Asgjë prej asaj që porositi ajo nuk u përfill në Kosovë.

Fat krejt të njëjtë pati edhe ajo çfarë Zëvendës Presidenti Joe Biden përcolli vitin e kaluar. “Dëshiroj të nënshkruani një marrëveshje me Malin e Zi. Duhet t’i shtyni përpara disa reforma. Klasa politike dhe shoqëria kosovare duhet ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë kanceri i shoqërisë”.

Miqtë ndërkombëtarë nuk u bënë kurrë as synim i politikës së forcimit të raporteve të shtetit dhe as interes kombëtar. Kjo vazhdon të mbetet vetëm një monedhë grupore përfitimi për të treguar se kush nga ndërkombëtarët mbështet klanet e tyre politike.

Në një realitet të ftohtë, kjo qasje Kosovës iu përplas fytyrës edhe në UNESCO, ku pro pranimit nuk votuan edhe disa prej vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën si: Polonia, Koreja e Jugut, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Letonia.

Miqtë askujt nuk i vijnë prej qiellit. Kasta e miqve ndërkombëtarë që po shuhen i ka ardhur Kosovës në kohën e luftës. Ishin miq të zorit dhe të parimeve të tyre njerëzore që simpatinë për ne e krijuan kur na panë zbathur e të pambrojtur maleve të Kosovës e pikave kufitare.

Kur u erdhi koha për të krijuar miq të rinj, liderët politikë u interesuan më shumë për të uzurpuar pozita e borde publike, duke emëruar nëpër to persona që në CV kanë ngjitjen e posterave të tyre nëpër fushatë.

Shërbimi diplomatik i Kosovës, si gjithçka tjetër nuk u pa si përpjekje për të forcuar imazhin e shtetit që kishte nevojë të etablonte një elitë të re njerëzish të dedikuar për vendin. Ambasadat e Kosovës u shndërruan në një makineri punësimi të familjarëve, mbesave, bijave, dashnoreve dhe aktivistëve partiakë që u bënë më tepër gjenerator skandalesh e turpesh nëpër kryeqendrat europiane. Për të treguar deri në çfarë shkalle ka shkuar uzurpimi i pozitave publike, autoritetet në Kosovë për gati një vit mbajtën në një nga kantonet zvicerane dy konsuj në të njëjtën pozitë. Të parit i kishte skaduar ligjërisht mandati dhe nuk donte të lëvizte dhe për këtë askujt në Prishtinë nuk i bëhej vonë çfarë do të thoshte kjo për imazhin e shtetit.

Në këso fryme u mbyt arti i diplomacisë kosovare për miq të rinj jashtë kufijve të saj.

Kosova nuk është më ajo e miqve dhe diplomatëve emblematikë që iu bën krah atëherë kur “mundej dhe duhej”.

Nuk ka mbetur më skaj për renë e zezë që mbështjell vendin e izoluar e gati të pashpresë. Kosova nuk është më vendi ku diplomatët flasin për foshnjat e grira të saj. Me kaq vite të kaluara, miqtë do të ishte dashur të mburren me projektin “Kosova shtet”. Tani ka zënë vend imazhi i qeverisjes së bandave politike, të paafta e të korruptuara mbi të cilët rëndojnë fort dyshimet për krime lufte, spastrim etnik, dhunime dhe vrasje politike.

Bota nuk është moçal politik sikur këtu. Nëpër botë, shumë ujë kalon shpejt nën urë!