"Mini-Schengeni": Një arritje për Ballkanin apo një manovër politike?

Në tetor, një javë para se Bashkimi Europian të shuante shpresat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kryeministrat e këtyre vendeve u takuan me presidentin e Serbisë dhe zbuluan një nismë rajonale që u quajt “mini-Schengen”.

Me pak fjalë, ideja ishte të krijohej një version ballkanik i zonës së Schengenit të Bashkimit Europian.

Ndërkohë që refuzimi i BE-së për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bënte jehonë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, skema “mini Schengen” e prezantuar në qytetin e Novi Sadit në Serbi mori një vëmendje të madhe.

Në një takim pasues, të mbajtur në Ohër të Maqedonisë së Veriut në nëntor, liderët parashtruan propozimet për prezantimin e “katër lirive” në të tre vende – pra, lirinë e lëvizjes së mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

Por me tre liderët që pritej të takoheshin për një herë të tretë në Shqipëri në fund të dhjetorit, disa komentues përqafuan idenë e zbatimit të parimeve pa kufij të BE-së në vendet në Ballkan.

A paralajmëron “mini Schengeni” një agim i ri bashkëpunimi apo është thjesht një teatër politik?

Ndërkohë që nisma mund të dështojë, edhe suksesi nuk është i pamundur, duke supozuar shumë vullnet të mirë, disa ndryshime në planin aktual dhe mbështetjen e partnerëve të BE-së.

Barrierat e përfshirjes

Edhe pse u iniciua nga vetëm tre vende të Ballkanit, koncepti “mini Schengen” predikon idenë e lirisë së lëvizjes në të gjithë rajonin.

Edhe pse vëzhguesit, përfshirë zyrtarët e SHBA-së thonë se përfshirja është çelësi për ta bërë atë të funksionojë, plani siç qëndron ofron disa stimuj për shtetet e tjera për t’u anëtarësuar.

Përfaqësuesit e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi morën pjesë në takimin e Ohrit, por presidenti i Kosovës nuk pranoi të merrte pjesë kundër një sfondi të skepticizmit në të gjithë spektrin politik në Kosovë.

Refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë thekson një sfidë themelore. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë një pengesë kryesore jo vetëm për marrëdhëniet bilaterale, por edhe për bashkëpunimin rajonal.

Fushata e “çnjohjes” që Serbia ka zhvilluar prej kohësh kundër vendit më të ri të Europës ngre dyshime në lidhje me angazhimin e Beogradit për të qenë një lojtar rajonal konstruktiv dhe dëmton premisat e një “mini Schengeni” gjithëpërfshirës.

Pa përfshirjen e vendeve të tjera – aq më shumë me Kosovën, e cila kufizohet me Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Shqipërinë – nisma do të ofrojë vetëm një format trepalësh për zgjidhjen e çështjeve bilaterale.

Arsyetimi ekonomik i kufizuar

Kampionët e idesë së “mini Schengenit” e prezantojnë atë si një mënyrë për të nxitur bashkëpunimin ekonomik dhe për të hapur mundësi të reja ekonomike, por sa efikase mund të jetë vërtet kjo?

Deri më tani, presidenti serb Aleksandër Vuçiq është i vetmi lider që ofron një arsyetim ekonomik, por i bazuar në mënyrë paradoksale në logjikën konkurruese.

Në fjalën e tij para popullit serb, Vuçiq argumentoi se nisma është në dobi të Serbisë për shkak të tregut më të madh dhe më konkurrues të vendit.

Kjo është në shumë aspekte e vërtetë, pasi Serbia është ekonomia më konkurruese dhe tregu më i madh i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por pyetja atëherë është: Pse duhet të angazhohen në këtë nismë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – apo vende të tjera të Ballkanit?

Për më tepër, çfarë përfitimesh shtesë ka për marrëveshjet ekzistuese midis vendeve?

Disa nga këto shqetësime u theksuan nga ministrja e ekonomisë e Malit të Zi, Dragica Sekuliq, e cila tha pas samitit të Ohrit se vendi i saj nuk ishte i interesuar t’i bashkohej kësaj nisme.

Ajo argumentoi se shumica e vendeve të rajonit tashmë ofrojnë një sasi të caktuar lirie lëvizjeje falë marrëveshjeve bilaterale.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), e cila garanton një shkallë qarkullimi të lirë të fluksit të njerëzve dhe mallrave.

Kur eksporton brenda rajonit të CEFTA-s, pengesat më të rëndësishme janë pengesat administrative, përkatësisht procedurat doganore.

Plani “mini Schengen” do t’i largonte këto pengesa administrative, por kjo nuk është aspak një aspiratë e rëndësishme. Procedurat më të mira doganore dhe udhëtimi pa pasaporta, në një farë mase tashmë në baza bilaterale, nuk mjaftojnë për ta justifikuar të gjithë këtë promovim të kësaj nisme.

Drejt samitit të ardhshëm

Ndërkohë që samiti i radhës po afron, ka mundësi për të adresuar pyetje të ligjshme përreth projektit dhe për të bërë përmirësime.

E para që duhet marrë seriozisht është se nismëtarët duhet të adresojnë çështjen e përfshirjes që qëndron në zemër të nismës. Pjesa më e madhe e përgjegjësisë për ta bërë këtë bie mbi lidershipin serb.

Serbia dhe Kosova do të duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre. Ndërkohë, nën rrethanat e favorshme të “mini Shengenit”, Serbia mund të angazhohet për një rol më konstruktiv duke ndalur fushatën e saj agresive “të çnjohjes” dhe duke zvogëluar retorikën e saj armiqësore.

Kjo do të lejonte të paktën që Kosova të ulej në tryezën e bisedimeve. Gjithashtu do të shërbente si një shenjë mirëbesimi që mund të theksojë potencialin e nismës për të qenë me të vërtetë transformuese për rajonin.

Në të njëjtën kohë, “mini Schengeni” duhet të institucionalizohet dhe të shkojë përtej qasjes lart-poshtë dhe të përqendruar rreth një lideri që ka qenë deri më tani.

Ndërkohë që përfshirja e partnerëve të BE-së është thelbësore në këtë drejtim, iniciatorët duhet të tregojnë se si projekti mund ta ndihmojë rajonin të afrohet drejt anëtarësimit në BE.

Mbështetja nga partnerët e BE mund të jetë drejt harmonizimit të tregjeve të Ballkanit Perëndimor me atë të BE-së.

Kjo mund të vijë jo vetëm përmes udhëzimit dhe mbështetjes institucionale, por edhe përmes paketave ekonomike që do të ndihmojnë në rritjen e konkurrencës së të gjithë tregjeve pjesë të kësaj nisme, duke lehtësuar gjithashtu rrezikun që ekonomitë më të vogla të rajonit të mbizotërohen nga ato më të mëdha.

Dhe në fund, mbështetja nga partnerët e BE-së mund të vijë me kushte, detyrime dhe angazhime në lidhje me investimet e huaja.

Kjo do të garantonte që “mini Schengeni” nuk do të shfrytëzohet nga lojtarët e huaj – veçanërisht Rusia, Kina dhe Turqia – që kërkojnë të depërtojnë në tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe të përzihen në çështjet e Ballkanit. (reporter.al)

(Autori është hulumtues dhe ekspert i politikës së jashtme dhe konsulent në Tiranë, Shqipëri. Ai ka master shkencash në Zgjidhjen e Konflikteve nga Universiteti i Kolumbias)