Avionë të NATO-s - Foto: Facebook/kadriveseli

Mësime nga intervenimi ushtarak i SHBA-së në Kosovë

Njëzet vjet më parë më 24 mars, Shtetet e Bashkuara nisën Operacionin Forcat Aleate kundër pozicioneve strategjike në Serbi. Fushata bombarduese përfundimisht i dha fund spastrimit etnik të ndërsyer nga presidenti serb Sllobodan Millosheviq në Kosovë. Ky lloj i përpjekjeve është sigurisht i rrallë në historinë tonë. Suksesi i tij, megjithatë, ofron mësime për ne sot ndërsa ne vazhdojmë të përballojmë krizat humanitare të shkaktuara nga lufta.

Në vitin 1998 Millosheviqi filloi luftën e tij të katërt në ish-Jugosllavi, këtë herë duke synuar të adresojë “problemin e tij” shqiptar me përdorimin e ushtrisë së tij për të dëbuar me forcë mbi 60 përqind të popullatës së Kosovës. Duke pasur parasysh mosveprimin evropian dhe amerikan ndërkohë njerëzit vriteshin në Bosnje më parë gjatë dekadës, shqiptaro-amerikanët kishin frikë se një histori e tillë mund të përsëritet edhe në Kosovë. Andaj, ata u organizuan. Ata i bashkuan fraksionet e ndryshme të komuniteteve, hapën një zyrë në Uashington, D.C, dhe filluan së angazhuari në një nga traditat më të vjetra amerikane – duke kërkuar nga qeveria e tyre që të bëjë diçka për të ndaluar vrasjen dhe përdhunimet që po bëheshin në Kosovë.

Aktivizmi i komunitetit ishte me shumë rëndësi. Përmes takimeve, shfaqjeve televizive dhe tubimeve, shqiptaro-amerikanët ia dolën që të japin një qartësi të vërtetë morale për anëtarët e Kongresit, administratën e Klintonit dhe publikut. Përgjatë një dekade, ky komunitet ishte përpjekur shumë duke fituar besimin dhe respektin e zyrtarëve të tyre të zgjedhur.

Ky angazhim i këtij komuniteti e bëri të mundshëm që ne të gjejmë mbështetjen dypalëshe në Kongres për intervenimin ushtarak në kohën kur edhe në Shtëpinë e Bardhë po mbizotëronin kohëra të vështira. Vendi sapo kishte përjetuar padinë dhe përpjekjen për largimin e presidentit Bill Clinton. Tensionet midis partive politike ishin të larta. Sidoqoftë, Senatorët Mitch McConnell (R-Ky.) dhe Joe Biden (D-Del.) punuan së bashku me kolegët e tyre të Senatit për të mbështetur intervenimin si dhe për të siguruar mbështetjen dypalëshe në Shtëpinë e Bardhë që përfshinte republikanen e Nju Jorkut, Susan Molinari, dhe një nga autorët e këtij shkrimi (Engel).

Këta anëtarë patjetër që u vunë në lëvizje nga votuesit e tyre dhe po ashtu edhe si rezultat i raporteve të mizorive që vinin nga terreni. Megjithatë, po aq i rëndësishëm ishte edhe fakti se të gjithë ne e kuptuam se fushata e spastrimit etnik dhe kriza masive e refugjatëve e krijuar si rezultat i kësaj fushate, do të kishte pasoja të rënda për Ballkanin dhe, përfundimisht, Evropën. Mbi 1.2 milion refugjatë kosovarë vërshuan Shqipërinë dhe Maqedoninë, vende  fqinje dhe të varfëra që njëkohësisht ishin me mungesë të madhe të mjeteve që nevojiteshin për trajtimin dhe përkujdesjen e refugjatëve. Këto vende do të ishin shkatërruar në rast se ne do të lejonim që fushata e spastrimit të vazhdonte akoma. Kriza gjithashtu do të kishte rezultuar në më shumë dhunë në rajon dhe në më shumë refugjatë duke ikur në Evropën Perëndimore.

Me mbështetjen dypalëshe në Kongres për ndërhyrjen dhe duke e bërë të qartë njëkohësisht se ishte në interesin tonë kombëtar që ta merrnim këtë veprim, administrata Klinton kreu punën e rëndësishme duke angazhuar aleatët tanë brenda NATO-s. Ata gjithashtu ndërmjetësuan në mënyrë aktive në bisedimet e paqes midis Serbisë dhe Kosovës. Ne morëm pjesë në bisedimet në Rambouillet, Francë, ku ne ishim dëshmitarë të përpjekjeve të ndershme të kosovarëve për të arritur një marrëveshje dhe po ashtu ishim dëshmitarë edhe të kokëfortësisë së negociatorëve ish-jugosllavë. Millosheviqi shpresonte që amerikanët ta humbnin durimin e tyre.

Ndërhyrja ushtarake u bë e vetmja mundësi për t’i dhënë fund dhunës së tmerrshme në Kosovë pasi që procesi për arritjen e paqes dështoi. Më e rendësishmja, Shtetet e Bashkuara ia dolën t’i bindin aleatët tanë të NATO-s për t’i bashkuar përpjekjet. Që nga fillimi, Operacioni i Forcave Aleate do të ishte një fushatë e kufizuar. Amerikanët nuk ishin mjaftueshëm të gatshëm për të dërguar trupa në terren. Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë. Kur kjo fushatë mbaroi, Beogradi kishte tërhequr forcat e veta dhe kosovarët u kthyen në shtëpi. Përfundimisht, Millosheviq do të arrestohej dhe do të sillej në Hagë për t’u përballur me akuzat për krime lufte. Kosova do të bëhej, me udhëheqjen e SHBA, një vend i pavarur dhe demokratik.

Përderisa Kosova dhe rajoni ende përballen me sfida, mësimet nga Lufta e Kosovës duken të jenë të qarta. Angazhimi i komunitetit jopolitik mund të bëjë të mundur bipartizimin, i cili nga ana tjetër, mund ta bëjë të mundur një botë nën udhëheqjen amerikane. Kjo udhëheqje është thelbësore secilën herë kur interesat tona kombëtare janë në rrezik.

Sot, Ballkani është në paqe, demokracia (edhe pse e papërsosur) mbizotëron, dhe shumë nga vendet e atëhershme, tani janë anëtarë të NATO-s. E gjithë kjo doli të jetë e vërtetë sepse në vitin 1999 shumë njerëz në Uashington kishin guximin të dilnin përtej linjave partiake për t’i dalë në mbështetje sigurisë kombëtare.

Republikani Eliot Engel është kryetari i Dhomës së Komitetit për Punë të Jashtme ndërsa Ilir Zherka është ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

Ky Opinion është botuar fillimisht në revistën “The Hill