Mes lotësh duhet të luftojmë edhe me lajmet e rreme 

 

Covid-19 na ka mësuar se përveç profesionit të mjekut jemi obliguar të shndërrohemi edhe në luftëtarë të propagandës, propagandës së keqe që rrezikon të na i mbushë spitalet me pacientë vetëm për të sjell përfitime të vogla për disa individ.

Sot të gjithë po e përjetojmë dhimbjen e diçkaje që para muajsh e thonim se do të ndodhë e disa edhe publikisht na e kontestonin se është e vërtetë.

U desh të vdisnin tre mjekë dhe hiç më pak se 164 qytetarë të vendit tonë që ta kthenim debatin publik në drejtim të rrezikut nga Covid-19.

U deshtë tërë kjo pasojë që në media mos t`i shohim palaçot që kontestonin shkencën e mjekësinë me thënie se ‘virusi nuk ekziston dhe nuk ka pasoja’.

Pyetja sot për ata dhe për mediat që u dhanë hapësirë është shumë e thjeshtë, pse publiciteti i tyre u rëndit para temave të rëndësishme të shëndetësisë?

Pse media debatoj për ato çfarë tha Labi e nuk debatoj për nevojat për investime apo për masat që duhet ndërmarrë në shëndetësi?

Tashmë kemi hyrë ne muajin e 5-të që kur po përballemi me pandemi dhe krahas luftës që po e bëjmë me një sëmundje e cila çdo ditë e më shumë po na paraqitet me befasi, po duhemi të bëjmë edhe luftën e ndërgjegjësimit të popullit rreth rrezikut e kur them populli – këtu hyjnë edhe institucionet tona. Por, po ju qasem të gjithëve me “populli” në përgjithësi e secili merr përgjegjësi pastaj, nëse veç merr…

Ne po shkojmë drejt kolapsit!

Tashmë frontet kanë ndryshuar dhe kemi nisur të humbasim njerëzit tanë më të dashur. Tashmë kanë ndryshuar formulat që mendonim se i njihnim. Brenda 24 orëve i humbëm në këtë betejë 3 mjekë. Para ca ditësh 8 bashkëvendas.

Dhe me këto statistika situata nuk është në kontrollë, ose më mirë të shtrojë pyetjen: Për çfarë situate nën kontrollë po flasim?

Cila formulë menaxhuese po na tregon se njëmend jemi nën kontrollë?

Prej fillimit nuk kemi qenë nën kontrollë, thjeshtë kemi shkuar me hapa të sigurt drejt “huqjes së madhe” dhe kjo për shumë faje:

  • Injoranca që kemi treguar qysh prej fillimit ndaj COVID-19 na ka sjellur buzë kolapsit.
  • Si popull jemi të prirur t’i besojmë më shumë fallxhinjve, këngëtarëve, show bizit, se sa një mjeku a shkencëtari.

Aq ka shkuar e thellë injoranca jonë që kemi pranuar t’u besojmë konspiracioneve dhe i kemi thënë vetes se “krejt janë rrena, s’ka virus!”.

Lab, a  nime s’ka virus a?

Bravo Lab!

Ne jemi të prirë që çdo informatë e marrim si të mirëqenë. Besojmë edhe në recetën e famshme kinse nga amerikanët e cila shitej në Prishtinë si shëruese e virusit, e harrojmë që krejt kjo është një lojë për ta shitur një produkt që është në treg nga një kompani e fëlliqur e marketingut.

Para mjekëve në media na shfaqen edhe të atillë që mendojmë dhe pretendojmë se virusin e shërojmë me anë të meditimit.

Pra, besojmë thuajse gjithçka, po ekzistencën e virusit e vëmë në dyshim.

Kam pasur njerëz përreth, që kanë komentuar “A nime o qeky virus a po m’doket veç po thojnë qashtu?!”.

Çka me i thënë këtij?

Përgjigja është shumë e thjeshtë. Shko deri në infektivë shikoj pacientët dhe e kupton pasojën.

Sa prej jush e keni dëgjuar thënien se “shumë shpejt do zbulohet vaksina”, se “dikush prej kojshive e ka lexu në internet që shpejt e zbulojnë”.

Sa prej jush i keni injoruar faktet që ka viruse që ekzistojnë për më shumë se 10 vite dhe për to ende nuk kemi vaksina? Sa prej jush keni bërë një kërkim të thjeshtë për të parë që vaksina për virus kërkon muaj e vite për t`u zbuluar, testuar e tek në fund prodhuar dhe distribuuar?

Nuk e keni bërë sepse është me e lehtë me iu besu lajmeve gjysmë të vërteta, ndërsa në debate nuk e keni dëgjuar sepse atje është dëgjuar diskursi i mendimit të Labit.

‘Maska nuk është in, prishet look-u, make-up-i, është shumë nxehtë’. Pastaj, në kafe kokë me kokë, pa asnjëlloj distance, thuajse kafeja është jetike.

Të bën të mendosh cila pjesë ka më shumë rëndësi: look-u, kafe kejfi, apo shëndeti?

Në këtë pyetje mbase e gjeni përgjigjen vet kur të iu vij radha të shtriheni në spital “mos e boftë Zoti!”.

“Nuk muj pa t ‘përqaf, pa ta dhanë dorën, se nuk tregon kulturë e respekt”.

Me lejoni të ju kujtojë njërën ndër kulturat më të bukura në botë – atë japoneze. Japonia nuk ka nevojë të përqafojë për të treguar respekt e dashuri ndaj teje, këtë e bën thjeshtë me një përkulje në distancë.

Besomëni, në kohë pandemie, në më ruan, në më do, nëse nuk më përqafon më do.

Nuk mund të sillemi si ‘kapadai” nën pretendimin se jemi të fuqishëm. Atë nuk e di asnjëri çka ka në trupin e tij, në gjenet e tij. Nuk mund të pretendojmë as se ka vaksinë e ilaç e se shpëtuam.

A e dini ku qëndrojmë si shtet?

As nuk e dijmë kur do na vije rendi për vaksinën, e cila është ende në fazë testuese, nëse është. Është “marre” kur pretendojmë se jemi popull mbi popuj.

Kur të ndalojmë së qenuri injorant ndaj COVID-19, të fillojmë të ruajmë veten e tjetrin, kur mos t’u besojmë me fallxhinjve e tallavaxhinjve, por fakteve e shkencës, kur të nisim të kërkojmë përgjegjësi prej shtetit për hir të askujt, pos vetes, kur në vend se t’i përkrahim deklaratat e injorantëve iu themi “Gabim je Lab!”, vetëm atëherë dil e thirr: “Jam krenar që jam Shqiptar anti-COVID-19”.

Jehona B. Krasniqi ka shërbyer si mjeke vullnetare në Klinikën Infektive gjatë kohës së pandemisë