“Me letra, jam mirë”

Gazetarë e organizata të shoqërisë civile prej kohësh kanë pasur si fokus monitorimin e prokurimit publik, përkatësisht shpenzimin e parasë publike. Janë dhënë shumë fonde nga donatorët që tenderët përmes të cilëve bëhet shpenzimi i parasë publike të jenë fokus i hulumtimit dhe monitorimit. Është fakt që është bërë shumë deri më tani. Janë zbuluar shumë raste korruptive që kanë përfunduar me hetime e aktakuza, fatkeqësisht shumë pak dënime meritore.

Megjithatë, është një fushë e prokurimit që është prekur pak e hiç deri më tani, qoftë nga gazetarët apo shoqëria civile: zbatimi i kontratave të nënshkruara. Nëse deri më tani kemi raportuar për shumë shkelje të bëra nëpër procedura të prokurimit, një gjë të tillë nuk mund ta themi për zbatim të kontratave. Ndoshta, proporcioni është se 90% të energjisë i janë kushtuar procedurave deri te nënshkrimi i kontratave e vetëm 10% zbatimit të tyre.

Zbatimi i kontratave është pjesa kryesore e një procesi të prokurimit, por edhe më e vështira për t’u monitoruar. Është e vështirë sepse shumë kontrata është e pamundur të monitorohen pa një ekspertizë në fushën e caktuar, siç është natyra e Telekomit apo KEK-ut. Vështirësi krijon edhe fakti që shumë projekte e kontrata zgjasin me vjet të tëra, apo deri në 3 vjet. Pastaj duhet të dalësh në teren, t’i vizitosh projektet që janë ndërtuar e t’i shohësh së afërmi produktet me të cilat është furnizuar një institucion.

Vështirë po, por jo e pamundur. Kjo është dëshmuar edhe nëpër shumë raporte të Auditorit, të cilat kanë zbardhur shumë shkelje në zbatim të kontratave. Shembull, është gjetur se Ministria e Inovacionit ka paguar 35 dyer të një objekti për Qendër të Inovacionit, por dyert nuk ishin vendosur fare. Pra, nuk është që ishin vendosur dyer të cilësisë së dobët, por thjesht ato nuk janë vendosur fare. Raste të tilla me shkelje eklatante mund t’i hulumtojë e monitorojë secili, me pak njohuri në mbledhje e zbritje dhe me vrojtim. A ka raste të tilla me shkelje eklatante nëpër tender? Patjetër që po, dhe ato po i zbardhim e raportojmë çdo ditë.

Shembull, një rast shkollor i zhvatjes së buxhetit ka ndodhur në Komunën e Prizrenit. Kjo e fundit ka kontraktuar disa lloje të ulëseve e shtylla ndriçimi me çmime që dallojnë deri në 1,000%.

Kontraktimi ishte mundësuar për shkak se kompania fituese në disa pozicione kishte vendosur çmime jo-normalisht të ulëta, kurse te pozicionet tjera i kishte fryrë çmimet. Kjo lojë me çmime i ka mundësuar që në kumulativ të dalë oferta më e lirë, por me rastin e zbatimit të saj nuk ishte ashtu.

Kontraktimi ishte bërë përkundër faktit që Ligji i Prokurimit Publik dhe Rregullorja për ‘Çmime jo normalisht të ulëta’ e obligon komunën e Prizrenit që të kërkojë sqarime e edhe të anulojë një ofertë në të cilën ka çmime jo-normalisht të ulëta. Rregullorja e miratuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik i jep të drejtë Autoriteteve Kontraktuese që çmimin jo-normalisht të ulët të trajtojë edhe në pozicion të një oferte dhe jo vetëm në tërësinë e saj.

Por, dëmi nga kjo kontratë nuk do të ishte i madh nëse komuna e Prizrenit do të kishte synim kursimin e buxhetit, pra duke porositur produkte të lira që kanë qenë pjesë e kontratës. Por, nuk ka ndodhur ashtu. Komuna e Prizrenit në vend që të porosisë më shumë produkte të lira se sa të shtrenjta, e ka bërë të kundërtën. Shembull, deri më tash i ka shpenzuar 289,094 euro, apo vetëm 30 euro më pak se totali i kontratës. Por, me këto para, komuna e Prizrenit i ka blerë 157 ulëse më pak se plani dhe 87 shtylla elektrike më pak se planifikimi.

Ky zbulim i kolegëve të emisionit Drejtësia në Kosovë e ka zbardhur një skemë të keqpërdorimit të parasë publike. Kjo skemë lirisht mund të merret si rast shkollor se si funksionon zinxhiri i keqpërdorimeve që nga planifikimi i një kontrate e deri te zbatimi i saj. Sikur ky zinxhir, pra nga planifikimi e deri te zbatimi i kontratës, të mos funksiononte në këtë rast do të parandalohej zhvatja e parasë publike. Do të kishim më shumë ulëse e shtylla të ndriçimit të vendosura nëpër qytet, e më pak para të shpenzuara.

Prokuroria Themelore e Prizrenit duhet të nisë hetim për të parë i kujt ka qenë vendimi për të porositur produkte të shtrenjta. Pra, pse është vendosur që të porositen 18 ulëse të 995 euro më shumë se sa planifikimi, sepse ato kanë kushtuar 17,910 euro? Dhe pse janë porositur vetëm 20 ulëse të 11 eurove nga 70 të planifikuara, pasi 70 ulëse të tilla do të bliheshin me vetëm 770 euro?

A mundemi ta gjejmë një kryefamiljar që vendos të bëjë pazare të tillë? Pra të blejë ulëse 995 euro dhe jo aso të 11 eurove, përkundër që për cilësi janë të përafërta- në mos të ngjashme.

Fatkeqësia është që veprimi i komunës së Prizrenit nuk është përjashtim, është fenomen. Faj për këtë ka edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit i cili ka vendosur ta keqinterpretojë një rregullore shumë të thjeshtë të KRPP-së për “çmime jo normalisht të ulëta”. OSHP-ja në një vendim ka konstatuar se kjo rregullore mund të aplikohet vetëm në totalin e ofertës, mirëpo jo edhe në çmimet për njësi. Kjo mënyrë e interpretimit ka bërë që të mundësohet hajnia me letra, kryesisht përmes lojës me numra.

Është koha kur gazetarët e organizatat e shoqërisë civile fokusin duhet ta vendosin pikërisht te zbatimi i kontratave. Të dalin në teren dhe ta zbulojnë marrinë dhe krimin që bëhet me paranë publike, në kohën kur secili cent i kursyer do të mund të shpenzohet në sektorë që kanë kaq shumë nevojë për investime si arsim e shëndetësi. Për këtë të fundit tashmë, pasi jemi duke u përballur me pandeminë, secili në Kosovë është i vetëdijshëm që shëndetësia duhet të bëhet prioritet.

E që të zbulohen këto zhvatje është e nevojshme të shkojmë përtej letrave, sepse ata që janë në prokurim tash e një kohë të gjatë me letra janë mirë. “Mirë jam me letra”, është thënie që e kam dëgjuar shpesh gjatë punës si gazetar. Shumë e lehtë është të mbulohesh me letra, por shumë vështirë është ta mbulosh hajninë dhe zhvatjen e parasë publike. Është vështirë ta bindësh secilin qytetar që nuk ka zhvatje të buxhetit mbrapa një kërkesës për ta blerë një ulëse që kushton 995 euro e të mos e porositësh një tjetër që kushton veç 11 euro. Me letra mbulohesh, por s’mundesh ta mbulosh zhvatjen që del në sipërfaqe kur asfalti bëhet përshesh, apo kur kulmet e shkollave ‘fluturojnë’ sa herë fryjnë erëra të cilave kulmet e shtëpive private në fqinjësi u rezistojnë pa problem.