Nga protestat për Astrit Deharin në nëntor 2016 | Foto: Atdhe Mulla

Mbi Dorëheqjen si Akt Moral

Vdekja e aktivistit politik Astrit Dehari më 5 nëntor 2016 në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe mënyra se si po menaxhohet ky rast, tregon edhe një herë se zyrtarët shtetërorë në Kosovë nuk e njohin veprimin e dorëheqjes si akt moral.

Astrit Dehari u mbajt 68 ditë në burg dhe asnjëherë nuk u mor në pyetje, por kjo nuk ishte arsye e mjaftueshme që prokurori të ofroj dorëheqjen. Dehari vdiq në institucionin i cili menaxhohet nga Ministria e Drejtësisë, por edhe pas dy javësh ministrja Dhurata Hoxha nuk e pa të arsyeshme të jap dorëheqje. Për shkaqet e vdekjes Policia e Kosovës keqinformoi publikun, por ministri i MPB Skender Hyseni nuk e pa fare të arsyeshme të jap më të voglin shpjegim për deklaratën e rrejshme të policisë, e aq më pak të jap dorëheqje.

Në një sistem demokratiko-liberal të qeverisjes, funksioni publik është i kufizuar nga ligjet dhe kodet etike. Për dallim nga sistemet autoritare, ku zyrtarët publik i japin llogari vetëm liderit shtetëror, në sistemet demokratike llogaridhënia është shumë dimensionale.

Asnjëherë në asnjë vend ligji nuk është mjet i mjaftueshëm për të shërbyer si udhërrëfyes për ushtrimin e postit publik. Në të shumtën e rasteve, në praktikë posti publik ushtrohet në një fushë të ndërmjetme, mes asaj që konsiderohet ligjore dhe jo ligjore. E pikërisht për shkak të kësaj fushe të ndërmjetme ekzistojnë kode etike të cilat do të duhej të shërbenin si udhërrëfyes se si bartësit e funksioneve publike do të duhej të silleshin në rast se gjatë ushtrimit të detyrës së tyre përballen me dilema morale.

Sektori publik në Kosovë karakterizohet me shkelje të shumta etike, nivel të lartë korrupsioni, mungesë të llogaridhënies, abuzime të ndryshme me postin publik, dhe mos kompetencë në kryerjen e punëve bazike. Por, përkundër kësaj, në këtë 16 vite të vetëqeverisjes, numri i zyrtarëve shtetëror të cilët dhanë dorëheqje nga posti publik mund të numërohet në gishtat e njërës dorë.

Përgjegjësia morale në ushtrimin e funksionit publik, sidomos në pozitat menaxheriale, nënkupton marrjen e përgjegjësisë jo vetëm për veprimet e kryera, por edhe për mos veprimet. Përgjegjësia morale nënkupton marrjen e përgjegjësisë edhe për veprimet dhe mosveprimet e vartësve të cilët ndodhen nën menaxhim, e jo vetëm veprimet direkte të zyrtarit në pozitë menaxheriale. Për më tepër, dorëheqja duhet të ofrohet edhe në rastet kur politikat e dikasterit apo qeverisë që i shërben bien ndesh me parimet morale që përfaqëson si individ.

Patrick Dobel, profesor i Evans School, në esenë e tij “Etika e Dorëheqjes”, liston tri kategori kryesore të arsyeve për dorëheqje: bindjet personale, përgjegjësitë zyrtare dhe efikasiteti. Sipas Dobel, një zyrtar publik duhet të jap dorëheqje edhe në rastet kur vëren se entuziazmi i tij/saj për të ushtruar atë funksion publik ka rënë. Tek përgjegjësia zyrtare hynë të gjitha ato arsye për dorëheqjen që kanë të bëjnë me mos përmbushjen e premtimeve apo obligimeve që dalin nga detyra zyrtare. Një zyrtar publik duhet të jap dorëheqje edhe në rastet kur shkathtësitë e tij personale nuk janë të mjaftueshme për kryerjen e obligimeve që dalin nga posti që ajo ushtron. Sipas J. Patrick Dobel, dorëheqja duhet të vijë edhe në ato raste kur përkundër shkathtësive profesionale dhe integritetit etik, efikasiteti mungon për shkak të pamundësisë për të fituar mbështetje politike dhe publike.

Pas 50 viteve shërbimi publik, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes George C. Marshall i ofroi dorëheqjen presidentit Truman me arsyetimin e “lodhjes në vendin e punës”. Në vitin 1995, senatori amerikan Sam Nunn, vendosi të mos rikandidoj për pozitën e sigurt të senatorit, duke përmendur humbjen e entuziazmin si arsyetim për lënien e shërbimit publik.

Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, përgjatë viteve 1992 dhe 1993, tre zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, përgjegjës për Serbinë (George Kenney), Bosnjën (Marshall Harris) dhe Kroacinë (Stephen Walker), dhanë dorëheqje me arsyetimin se mos intervenimi amerikan në Bosnje, binte ndesh me parimet e tyre morale. Këta tre zyrtarë dhanë dorëheqje nga shërbimi i tyre përkundër asaj se ndodheshin me mijëra kilometra larg nga luftërat e ish-Jugosllavisë.

Arsyet e dorëheqjes mund të mos kenë fare lidhje me postin publik. Në vitin 1967, pas raportimit në media se kishte ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, John Fedders, zyrtar amerikan në fushën e financave, u detyrua të jap dorëheqje, përkundër një karriere të suksesshme në fushën e financave.

Në Kosovë, sa herë kërkohet dorëheqja morale e një zyrtari publik, kujtohet shembulli z. Fatmir Rexhepi, ish Ministër i Punëve të Brendshme dhe deputet aktual në Kuvendin e Kosovës. Pas ngjarjeve të 10 shkurtit 2007, ku në protestat e organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje!, u vranë dy dhe u plagosën shumë të tjerë nga plumbat e gomës së policisë së UNMIK, z.Rexhepi dha dorëheqje nga posti i tij, përkundër asaj se policia e UNMIK nuk ishte nën zinxhirin komandues të tij. Këtë veprim ai e ndërmori me arsyetimin se “nuk mund të ushtroi një post që ka përgjegjësi ruajtjen e rendit publik, kurse kompetencat për këtë përgjegjshmëri i takojnë një institucioni tjetër.” Edhe më tej, kjo mbetet dorëheqja më kuptimplotë në historikun e funksionimit të institucioneve kosovare.

Dorëheqja më e fundit ishte ajo e Drejtorit të Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, z. Xhelal Svecla, i cili dha dorëheqje pas humbjes së jetës së dy fëmijëve në një gropë të hapur. Kjo dorëheqje hyn në kategorinë e atyre dorëheqjeve për arsye të mos veprimit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe, sipas klasifikimit të profesor Dobel, “dorëheqje me qëllim të mbrojtjes së integritetit të institucionit dhe personit më të lartë në hierarki”, në këtë rast të Kryetarit të Komunës z. Shpend Ahmeti.

Dorëheqja e Ferid Aganit nga posti i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për veprimet e tij sa ishte Ministër i Shëndetësisë, nuk mund të hyjë në kategorinë e dorëheqjeve parimore. Agani tërë akuzën e prokurorisë e konsideron si luftë politike ndaj tij, e jo si vendimmarrje të gabuar të tij në postin e ministrit, vendime që ndikuan në korruptimin e zyrtarëve shëndetësor dhe dëmtimin e sektorin publik, në atë që tashmë njihet si afera “Stenta”.

E në administratën shtetërore të Kosovës, ekzistojnë me dhjetëra shërbyes publik të cilëve problemi me shëndet ua pamundëson kryerjen e funksioneve publike me përgjegjësi. Me dhjetëra të tjerë janë të paaftë për të ushtruar detyrat që u takojnë. Shumë të tjerë vazhdojnë të mbajnë postin e tyre, përkundër skandaleve të shumta, keqpërdorim të pozitës zyrtare e deri edhe tek shpallja fajtorë nga gjykatat.

Një numër i madh i zyrtarëve publik në Komunën e Prizrenit, duke filluar nga përgjegjësit e Qendrës Historike, nga pakujdesia e të cilëve humbi jetën një tre vjeçare si pasojë e shembjes së shtëpisë që do të duhej të ishte nën përkujdesje institucionale, e deri tek keqpërdorimet e shumta në sektorin arsimit e ndërtimeve, vazhdojnë të punojnë përkundër shkeljeve të shumta etike e ligjore. Përveç që nuk japin dorëheqje, këta zyrtarë nuk ka kush ti shkarkoj, duke marr parasysh se kreu i Komunës vazhdon të qeveris si fajtor i shpallur nga gjykata për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përkundër asaj se zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme i shkaktuan dëme buxhetit të Kosovës prej së paku 5 milionë eurosh, askush nuk e mori së paku përgjegjësinë morale dhe të jap dorëheqje. Askush në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk dha dorëheqje përkundër asaj se menaxhuan dy procese të dështuara të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, e në proces i shkaktuan humbje me miliona euro. Askush për 16 vite nuk dha dorëheqje për keqmenaxhimin në Ministrinë e Shëndetësisë, sektor në të cilin mungojnë barnat më esenciale, e deri tek aty ku mbi 80% e kardiologëve janë nën akuzë për korrupsion.

Dorëheqja nuk mund të rregullohet me akt ligjor. Dorëheqja është obligim moral i secilit individ, akt i cili duhet të ndërmerret çdo herë që ushtrimi i funksionit publik është i pamundur për shkak të problemeve shëndetësore, humbjes së motivimit, kufizimeve profesionale, mos përmbushjes së obligimeve dhe premtimeve, efikasiteti i ulët në punë, apo llogaridhënia për punën e mos punën e tërë sektorit që drejton.

Çfarë e shtyn një individ që të vazhdoj të ushtroj detyrën zyrtare, përkundër dështimeve e skandaleve të shumta që e shoqërojnë punën e tij/saj? Në një vend me mundësi të pakta për punësim, siguria financiare është një ndër faktorët i cili i shtyn shërbyesit publik që të mbahen fort për postin që e ushtrojnë, pa marrë parasysh rezultatet në punë. Pushteti që të ofron një post menaxherial në sektorin publik është arsye tjetër përse shumëkush lufton me të gjitha mjetet që të mbetet në postin e tij. Një titull “ministri” apo “drejtori”, jep pushtet mbi shoqërinë, familjen, policinë, gjykatat, spitalet, arsimin.

Për shumëkënd, vrapi pas posteve të larta shtetërore është thjesht vrap për të mbushur rezymenë e tyre me poste sa më atraktive. Për këtë arsye në administratën shtetërore janë krijuar me mijëra pozita të larta, duke filluar nga “zyrtar i lartë për fotokopje”, e deri tek gjashtë pozita të zëvendëskryeministrave. Duke vrapuar pas pasurimit të rezymesë, këta zyrtarë varfërojnë karakterin e tyre.

Dorëheqja nuk duhet të shikohet si akt dobësie, por si veprim etik i cili tregon natyrën njerëzore të shërbyesve publik, në rastet e pa lavdishme që ndodhin në qeverisje. E për kthimin e besimit të qytetarëve në administratën shtetërore, sot na nevojiten shërbyes publik me shkathtësi e karakter.