Marrëveshja Kosovë - Serbi duhet të garantojë gjykim për krimet e luftës

Çdo marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve duhet të përfshijë një marrëveshje ekstradimi dhe marrëveshje bilaterale drejtësisë në mënyrë që të dyshuarit për krime lufte të mos mund të shmangin drejtësinë – por pse po e shmang BE-ja këtë?

 

Momenti i një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës po afron.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka hedhur poshtë mundësinë e një ceremonie nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë për presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, dhe liderët e Bashkimit Europian janë të etur për të përdorur zgjidhjen e fundit të mosmarrëveshjes së emrit të Maqedonisë me Greqinë.

Ndërkohë që specifikat nuk janë vendosur ende, çdo marrëveshje e mundshme që diskutohet rrezikon të vërtitet rreth një teme shumë të rëndësishme – viktima të luftës së Kosovës.

Kjo është veçanërisht e ndjeshme në Kosovë, ku civilët u viktimizuan në mënyrë disproporcionale nga krimet e luftës. Viktimat deri tani kanë gjetur shenja shprese te fjalët dhe veprimet e ndërmarra nga zyrtarët e Kosovës. Së fundmi, liderët e saj u angazhuan në një platformë negociuese që i jep përparësi çështjes së mosndëshkimit të krimeve të luftës në Serbi.

Rreth dy vjet më parë, zyrtarët konfirmuan urdhër arrestet për 57 serbë të dyshuar se ishin përfshirë në krime të kryera në vende si Gjakovë, Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq; në rastin e tre vëllezërve të vrarë Bytyqi; dhe skemën famëkeqe të fshehjes së trupave të vdekur të “kamionëve frigoriferikë”.

Por gjithnjë e më shumë, këto fjalë dhe veprime rrezikojnë të bëhen të pavlefshme, pasi BE-ja në veçanti ka shpërfillur qetësisht ndoshta çështjen më të mprehtë që mund të ngrihet gjatë dialogut, përveç njohjes së vetë Kosovës – secili vend që ndjek penalisht elitën politike të vendit tjetër.

Prokurorët e Kosovës kanë nevojë për traktate me Serbinë për të ekstraduar të dyshuarit nga Serbia dhe për të siguruar qasje në provat dhe dëshmitarët që ndodhen në Serbi. Por Serbia nuk e njeh Kosovën, kështu që këto marrëveshje dypalëshe nuk ekzistojnë. Serbia gjithashtu ka nevojë për angazhime të tilla nga Kosova.

Deri më sot, kërkesat për ndihmë prokuroriale apo ekstradimin janë ndërmjetësuar vetëm përmes EULEX-it dhe UNMIK-ut, mekanizmat e krijuara nga BE-ja dhe OKB-ja që kanë ndihmuar qeverisjen e Kosovës që nga fundi i luftës. Por ky organizim është i ngathët dhe gjithnjë e më shumë pa rezultate. Ai nuk mendohet as si një institucion i përhershëm.

Gjykata speciale për krimet e luftës të kryera nga shtetasit serbë që liderët kosovarë propozuan së fundmi duhet të merret seriozisht në konsideratë dhe mund të mbushë një pjesë të kësaj zbrazëtie. Por kjo nuk do të adresonte kërkesat e zakonshme për ndihmë në rastet që nuk përfshijnë krime lufte ose për të cilat zbatimi i të drejtës ndërkombëtare humanitare është më i vështirë të vërtetohet.

Pa një marrëveshje dypalëshe ekstradimi, secili vend do të ketë ndoshta probleme të pakapërcyeshme ligjore dhe politike në respektimin e kërkesave të ekstradimit të vendit tjetër. Kjo do të mbetet e vërtetë edhe nëse Kosova i bashkohet Europolit dhe Interpolit, dy mekanizmave ndërkombëtarë që merren me kërkesat për ekstradim.

Ndërkohë që anëtarësimi i Kosovës në Europol dhe Interpol është diskutuar, kushtetuta e Kosovës dhe ligji serb nuk lejojnë që shtetasit të ekstradohen pa instrumente të tjera ligjërisht detyruese. Për viktimat e luftës, anëtarësimi në këto programe pa një marrëveshje dypalëshe ekstradimi është kryesisht e pakuptimtë.

Marrëveshjet e ndërsjella të ndihmës juridike i referohen autoritetit dhe procedurave ku prokurorët e një vendi mund të kenë qasje në prova dhe dëshmitarë nga një vend tjetër.

Kjo është diçka e rëndësishme. Beogradi ishte kryeqyteti dhe qendra administrative e ish-Jugosllavisë. Dosjet kryesore, provat, dëshmitarët dhe të dyshuarit mbeten në Serbi. Ato janë çelësi për hetimet dhe ndjekjet penale të drejta dhe legjitime të të dyshuarve serbë.

Edhe pse nuk janë të përsosura në formë dhe ekzekutim, shumë vende të tjera të Ballkanit gëzojnë marrëveshje të tilla bilaterale. E cila shtron pyetjen, pse BE-ja, Serbia dhe Kosova e kanë anashkaluar këtë çështje?

Përgjigjja, natyrisht, është se ato shihen si shumë toksike për elitat politike. Serbia ka ende një urdhër arresti pezull për kryeministrin e Kosovës, Ramush Hardinaj. Vetëm në pranverën e kaluar, ministri i brendshëm i Serbisë Nebojsa Stefanoviç kërcënoi me arrestim nëse Hardinaj futej në Serbi.

Nga ana e saj, Kosova ka urdhra arresti për ish-kreun e Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç dhe një anëtar të bordit ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe, Goran Radosavljeviç.

Këta janë vetëm disa nga qindra të dyshuar që secila palë beson se tjetra po strehon. Për më shumë se 20 vjet, të dyshuarit kanë përdorur këtë vakum ligjor për të shmangur drejtësinë. Askush nuk duket i interesuar në hapjen e porteve të drejtësisë kundër elitës me të cilën po negocion, ndonjëherë në mënyrë direkte.

Por le të jemi të sinqertë. Asnjë marrëveshje teknike nuk do të garantojë drejtësi. Liderët në të dy vendet e kanë luftuar për shumë kohë mosndëshkimin. Ata do të vazhdojnë t’i kundërshtojnë kërkesa të tilla prokuroriale si “të motivuara politikisht”, të paplota ose të pabazuara.

Por kjo është ndoshta mundësia e fundit për të mbjellë farat e drejtësisë. Së bashku me mbështetjen për KOMRA, komisioni rajonal i propozuar për gjetjen e fakteve për luftërat e viteve 1990, dhe bashkëpunimin për gjetjen e personave të zhdukur, këto marrëveshje janë të nevojshme për marrëveshjen “gjithëpërfshirëse” që presidenti Thaçi dhe të tjerët kanë premtuar.

Përparimi paqësor i marrëdhënieve midis dy vendeve duhet absolutisht të mbështetet. Por kushtet kanë rëndësi.

NATO ndërhyri në Kosovë rreth 20 vjet më parë kryesisht për të ndaluar krimet e luftës. Legjitimiteti i Kosovës si një komb i pavarur është i rrënjosur në zemërimin e kërkuar nga gjaku që civilët e zakonshëm kanë derdhur gjatë luftës. Kosova së fundmi ka ndërmarrë hapa për të ngritur çështjen e krimeve të luftës të pazgjidhura në dialogun e saj me Serbinë.

Por çdo marrëveshje që shpërfill mekanizmat që mundësojnë drejtësinë do të ishte e paplotë. Kjo do të tradhtonte historinë pas një marrëveshje “historike”. BE-ja, Kosova dhe Serbia duhet të fillojnë menjëherë t’i japin përparësi kësaj çështjeje.

 

Praveen Madhiraju është këshilltar pro bono për BytyqiBrothers.org dhe mund të gjendet në Twitter në @BytyqiBrothers.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.