Makthi i heshtur i shpopullimit të Ballkanit
Në Ballkan po ndodh një makth i heshtur, me emigracion masiv dhe shkallë të ulët të lindjeve. Serbia dhe Shqipëria kanë humbur mbi gjysmë milioni njerëz që nga viti 2014, Bosnja dhe Hercegovina pritet të humbasë gjysmën e fuqisë punëtore deri në vitin 2050 (më shumë se gjatë luftërave të viteve 1990), dhe Kroacia ka humbur më shumë se një milion qytetarë që nga viti 1990.
Anëtarësimi në BE sjell shumë përfitime, nisur nga demokratizimi, sundimi i ligjit, mbrojtja e pakicave dhe liria e fjalës. Një gjë që vendet me të ardhura të ulëta që janë aktualisht në BE, ose që synojnë t’i bashkohen BE-së, nuk e kishin parashikuar ishte emigracioni në shkallë të gjerë.
Ballkani ka qenë epiqendra e luftërave të pamëshirshme dhe spastrimeve etnike – por nuk ka asgjë më kërcënuese se një popullsi në vazhdimësi në tkurrje, e nxitur nga shkallët e ulëta të lindjeve, emigracioni masiv dhe një treg gjithnjë e më pak tërheqës për investimet e huaja.
Arsyet e largimit?
Ballkani gjithmonë ka qenë burim emigracioni dhe kjo nuk është dicka e re- në periudha të ndryshme shumë iknin nga luftërat, varfëria, ose thjesht në kërkim të mundësive më të mira.
Në vitet 1960 dhe 1970, liderët jugosllavë madje autorizuan burrat të emigronin në Gjermani dhe Austri si ‘Gastarbeiter’ [punëtorë të huaj]. Emigracioni masiv pasoi shpejt pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Për vende relativisht të vogla që u mungojnë burime natyrore, emigracioni shpesh u pa si opsioni më i mirë për të lehtësuar barrën e mbipopullimit.
Ajo që e ka bërë situatën aktuale si ‘bombë të kurdisur’ është shkalla shumë e ulët e lindjeve dhe mungesa e një politike nga qeveria për të trajtuar këtë çështje.
Rajoni nuk ka arritur kurrë ekonomi të vërtetë tregu. Shumica e politikanëve e kanë orientuar ekonominë për t’u pasuruar vetë ose për të pasuruar rrethin e miqve të tyre, duke lënë pak mundësi për popullin.
Ndërkohë që korrupsioni dhe nepotizmi kanë qenë faktorë mbizotërues në dhënien e vendeve të punës në qeveri, pagat e ulëta në shumë ndërmarrje private kanë qenë element thelbësor në bërjen e tyre të papërshtatshme për emigrantët vendas ose të huaj.
Për shkak që këto vende janë të vogla, nuk janë në gjendje të tërheqin investime të mjaftueshme të huaja ose kompani të mëdha që mund të ofrojnë pagë të mirë.
Pavarësisht faktit që të gjitha qeveritë e njohin problemin, kanë marrë shumë pak masa. Përveç disa kufizimeve për punonjësit e kujdesit shëndetësor, profesione të tjera janë të vështira për t’u ndalur – dhe madje edhe për kujdesin shëndetësor është vetëm një shtyrje apo zvarritje.
Për ta komplikuar situatën, pothuajse çdo person mund të udhëtojë lehtësisht nga vendet e Ballkanit në vendet më të pasura si Austria, Italia, Gjermania ose vendet e Beneluksit.
Të pajisur me njohuri të mira të gjuhës, gjetja e një pune dhe zhvendosja në një vend tjetër që ofron pagë më të mirë ose mundësi më të mëdha është e lehtë. Nga ana tjetër, vendet e Ballkanit nuk janë në gjendje të sjellin mjaft fuqi punëtore të huaj për të kompensuar ata që kanë ikur, në kontrast për shembull me Poloninë, e cila tërhoqi 1.3-1.5 milion ukrainas (para fillimit të luftës në 2022) si punëtorë në sektorë të ndryshëm.
Emigracioni masiv i njerëzve të rinj dhe të arsimuar mirë i privon vendet nga fuqia punëtore, përveç problemit të plakjes së popullsisë dhe fondeve të mjaftueshme për të mbajtur sistemin e pensioneve.
IT, turizmi, kujdesi shëndetësor
Praktikisht çdo sektor vuan nga emigracioni, por në veçanti këta tre: pasi pothuajse çdo punë lidhet me teknologjinë, shumë nga kompanitë në rajon nuk mund të gjejnë ekspertë të IT-së.
Pagat që ofrojnë kompanitë kroate janë shumë më poshtë se ato që mund të ofrojnë kompanitë gjermane, përveç sigurisë sociale dhe shëndetësore.
Turizmi ishte sektori i dytë që vuajti nga eksodi masiv. Edhe pse vetëm gjatë sezonit më të ngarkuar për tre deri në katër muaj në vit, por vendimtare për rritjen ekonomike të pothuajse të gjitha vendeve në rajon, shumë supermarkete, hotele, restorante dhe bare kanë vështirësi të gjejnë staf të nevojshëm.
Deri së fundmi, nuk ishte e vështirë për hotelet që ndodheshin pranë bregdetit të rekrutonin shqiptarë nga qytetet më të vogla për të punuar për tre deri në katër muaj ose të punësonin adoleshentë ose studentë gjatë pushimeve të tyre verore. Megjithatë, në sektorin e turizmit, tani po lëvizin drejt vendeve më të mira. Destinacioni kryesor është Kroacia, ku sezoni turistik është më i gjatë dhe paga është më e lartë.
Sektori i tretë është kujdesi shëndetësor, ndërsa janë marrë disa hapa për të frenuar emigracionin, por këto ka të ngjarë të shtyjnë vetëm problemin, por jo ta zgjidhin atë.
Deri në vitin 2023, u raportua se 3,500 mjekë dhe infermierë kishin lënë Shqipërinë për Gjermani. Kjo është një makth për Shqipërinë. Një popullsi në plakje, e cila logjikisht kërkon më shumë kujdes mjekësor në krahasim me të rinjtë, emigracion masiv të mjekëve dhe më pak të rinj që studiojnë për mjekësi, do të rrisin pashmangshëm listat e pritjes në spitale.
Ndërkohë që Bullgaria, Rumania dhe Kroacia humbën popullsi pas anëtarësimit në BE, Moldavia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë humbur popullsi para se të anëtarësohen në BE.
A mund të trajtojnë qeveritë problemin me paga më të larta, kujdes shëndetësor më të përmirësuar ose shërbime më të mira? Pse të rinjtë po emigrojnë? A mund të bëjë ndonjë gjë qeveria për t’i ndalur?
Këto janë disa nga pyetjet më të vështira për t’u përgjigjur. Njerëzit migrojnë për një sërë arsyesh, dhe paga është padyshim njëra prej tyre, plus standardi shumë më i lartë i jetesës në Evropën Perëndimore.
Shumica e njerëzve largohen për t’u vendosur në një shoqëri të pa korruptuar, me kujdes dhe mirëqenie të përmirësuar, një shoqëri të bazuar në rregulla, pa nepotizëm apo korrupsion.
Ndërkohë që të rinjtë kanë tendencë të udhëtojnë më shumë dhe kanë aftësitë e nevojshme, shpesh shohin më shumë mundësi për veten dhe familjet e tyre në një shoqëri demokratike. Ky emigracion lidhet shumë me aspektet financiare dhe monetare, por gjithashtu me shpresën për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt.
Për qeveritë rajonale, rruga përpara është kalimi nga një kombinim i një stabilitokracie dhe politikave autoritare në një shoqëri të organizuar në mënyrë demokratike. EUobserver.com
Përktheu dhe përshtati: Ardita Zeqiri