Ligjet e Maliqit

Në filmin shqiptar “14 vjeç dhëndër”, i bazuar në komedinë e Anton Zako-Çajupit, kryetari i Prefekturës z. Maliqi, i cili do transferohej me detyrë tjetër, u kërkon ndjesë bashkëvendësve të tij nëse ka dënuar dikë, “por ta dinë se edhe nëse e ka bërë një gjë të tillë, këtë e ka bërë ligji, jo Maliqi”. Një nga bashkëbiseduesit e tij, ndërhyn duke thënë se “ligji z. Maliq është si puna e këtij shkopit: në dorë të Maliqit ligji edhe mund të të lëmojë, por i njëjti ligj mund ta godasë dikë tjetër.”

Nëse qytetarët do e dinin se si përgatitet suxhuku dhe ligjet, nuk do ti konsumonin asnjërën”. Autori i kësaj thënieje të vjetër nuk dihet me siguri, por shpeshherë për autor të saj citohet politikani prusian Otto von Bismarck.

Gjatë punës sime kam qenë dëshmitar i shumë proceseve të bërjes së ligjeve në institucione publike. Shumica e ligjeve aprovohen në proces të drejtë dhe transparent, sidomos në nivel të Kuvendit. Por janë disa ligje të cilat prekin interesat personale të ligjbërësve dhe personave të fuqishëm, e procesi i bërjes së këtyre ligjeve është në kundërshtim me parimet demokratike të ligjbërjes. Këto ligje bëhen për interes të ligjbërësve. E pastaj në dorë të “maliqëve” ato dikënd lëmojnë e dikënd godasin.

Javën e kaluar u raportua se hyrja në fuqi e Ligjit për Amnesti, kishte amnistuar edhe djalin e vëllait të Adem Grabovcit – shefit të deputetëve të PDK në Kuvendin e Kosovës. Më 2012 ishte raportuar se gruaja e z. Adem Grabovci ishte plagosur aksidentalisht, kurse arma ishte e djalit të vëllait të tij.

Ligji për Amnesti u aprovua në Kuvendin e Kosovës më 2013. Aprovimi i një ligji të tillë ishte kërkesë e dalë nga procesi negociator në Bruksel në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Një ligj i tillë do të mundësonte që të gjithë ata qytetarë të Kosovës veriore të cilët kishin luftuar shtetësinë e Kosovës dhe kishin akuza të rënda për shkelje të rendit dhe ligjit, do të amnistoheshin.

Por, politikanët kosovarë këtë ligj e aplikuan për tërë territorin e Kosovës, duke shtuar edhe vepra të cilat nuk kishin fare ndërlidhje me qytetarët serbë në veri. Protestat qytetare dhe mbledhja e mbi 10 mijë nënshkrimeve nuk ndikuan aspak që ky ligj të mos miratohej. Sot, po e shohim se insistimi i politikanëve për të aprovuar një ligj të tillë ka qenë i motivuar nga përfitimet personale të tyre dhe të të afërmve me ta.

Vitin e kaluar hyri në fuqi Ligji për Faljen e Borxheve, i cili falte borxhet e grumbulluara deri më 31 dhjetor 2008. Arsyetimi zyrtar për aprovimin e një ligji të tillë ishte krijimi i lehtësirave financiare për qytetarët e Kosovës, të cilët po kalojnë nëpër një periudhe të vështirë financiare. Por ligji nuk përjashtonte nga amnistia as bizneset e mëdha.

Nuk u deshtë të kalonte shumë kohë për ta kuptuar se përfitues më të mëdhenj të këtij ligji ishin politikanët dhe familjarët e tyre. Nga ky ligj borxhet do i falen kompanisë së vëllait të Presidentit Hashim Thaçi. Më herët ishte raportuar se nga falja e borxheve do të përfitoj edhe biznesmeni Bedri Selmanaj, ish deputet i Kuvendit të Kosovës, uzurpator i pronës shoqërore dhe ish këshilltar i Hashim Thaçit në kohën kur ishte Kryeministër. Po ashtu, edhe një ndërmarrje tjetër private, në të cilën është hisedarë deputeti Shaip Muja, do të përfitojë nga falja borxheve.

Më 2012 Kuvendi i Kosovës aprovoi Ligjin për Shitjen e Banesave, i cili ua lejonte blerjen e banesave shoqërore me një shumë simbolike të gjithë atyre të cilët ishin duke e shfrytëzuar një të tillë. Ishin mbi 43 banesa të tilla vetëm në pronësi të Korporatës Energjetikë të Kosovës.

Një përfitues i një banese të tillë doli të jetë edhe ish deputeti Gani Koci, aktualisht zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Shefi i parlamentarëve të LDK, ish kryetari i Komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, përfitoi edhe ai një banesë të ndarë nga komuna. Plot menaxherë të tjerë, anëtarë të partive politike, përfituan po ashtu nga ky ligj.

Projektet kapitale në ligjet për buxhetin çdo vit përmbajnë investime në lokalitete prej nga vijnë vendimmarrësit më me influencë. Deputetët, ministrat dhe zyrtarët tjerë publikë kanë aprovuar ligje të cilat u sjellin atyre përfitime shtetërore edhe shumë vite pasi të kryejnë mandatin publik.

Në 2007 ishte raportuar se ish-ministri i Arsimit në atë kohë, Agim Veliu, kishte nxjerrë një udhëzim administrativ i cili ua mundësonte disa nxënësve që të regjistrohen në fakultet pa e mbaruar klasën e 13 të shkollës së mesme, e njëri nga përfituesit e parë ishte djali i tij.

Këto dhe ligje tjera nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejtë ligjbërësit dhe zbatuesit e ligjeve, dëshmojnë për një kulturë të dëmshme të qeverisjes – përfitimi personal nga posti publik. Sipas politologut Francis Fukuyama, shteti modern karakterizohet nga qeverisja jo-personale e jo-klanore. Rendi politik modern kërkon përmbushjen e tri parakushteve: shteti funksional, i aftë për të ushtruar pushtetin e tij në tërë territorin; sundimi i ligjit dhe llogaridhënia.

Sipas Fukuyamas, “nuk mund të flitet për sundim të ligjit në një shtet ku pushtetarët kanë mundësinë që të hartojnë ligje që u përshtaten interesave të tyre, edhe nëse këto ligje janë të zbatueshme për pjesën tjetër të popullsisë”.

Shtetet si Kosova, Fukuyama i quan shtete “neo-patrominiale”, apo shtete të cilat nga jashtë duken si shtete moderne, ngase kanë administratë, institucione gjyqësore, organizojnë zgjedhje, e institucione tjera të shtetit modern, por në realitet i shfrytëzojnë këto institucione për përfitime personale. Apo, me përdor komedinë e Anton Zako-Çajupit, “shtete të Maliqëve.”