Ilustrimi: Jeta Dobranja/Kallxo.com

Lidhuni, po nisemi në një fluturim me turbulenca!

Nënshkrimi i djeshëm i një marrëveshjeje të aviacionit të mbështetur nga SH.B.A. shpërfaq dobësimin e BE-së si lehtësuese e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi dhe e largon edhe më shumë nga tryeza e bisedimeve një qeveri të mundshme Vetëvendosje-LDK.

 

E ‘hëna e kaltër’ (e njohur ndryshe si e hëna depresive) ishte një ditë mjaft e rastësishme në Kosovë. Pas tre muajve zvarritjesh, Vetëvendosje e dërgoi propozimin e saj duke e emëruar Albin Kurtin për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, duke e vendosur një afat të qartë kohor prej 15 ditësh që ‘ta marrë ose ta lërë’ ofertën për një qeveri të mundshme koalicioni midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK.

Por, ndërkohë që të dy partitë e mundshme të koalicionit qeverisës ishin të zëna duke ia hedhur topin para-prapa njëra tjetrës, marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, për muaj të tërë në një gjendje letargjie, papritmas dolën nga gjendje kome. Një marrëveshje e nënshkruar hap mundësinë e fluturimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, një lidhje ajrore e cila është pezulluar për më shumë se dy dekada.

Marrëveshja, e bërë midis linjës ajrore gjermane Lufthansa, Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe një delegacioni nga Ministria e Ekonomisë së Serbisë, u nënshkrua në ambasadën amerikane në Berlin. Kjo marrëveshje është mbikëqyrur nga ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili rishtazi është emëruar edhe si “i dërguari special” i presidentit të SH.B.A.-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo linjë e re fluturimi do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, një udhëtim ky i cili, përmes autobusit, zgjat rreth gjashtë orë. Njoftimi për këtë marrëveshje gjithashtu ka ngritur spekulime në lidhje me fundin e bllokadës nga hapësira ajrore serbe për fluturimet që operojnë për dhe nga Kosova. Aktualisht, fluturimet funksionojnë përmes një korridori ajror me Maqedoninë Veriore, i cili e zgjat kohën e fluturimit me 15-20 minuta shtesë, duke i rritur edhe kostot për linjat ajrore.

Sidoqoftë, tashmë janë ngritur pyetje në lidhje me atë se cilat dokumente të Kosovës do të pranohen nga autoritetet në Aeroportin ‘Nikola Tesla’ të Beogradit – letërnjoftimi apo pasaporta? – si dhe cila do të jetë qasja ndaj personave që kanë pasaporta tjera: A do të jenë ata në gjendje të udhëtojnë në Serbi pasi të kenë hyrë fillimisht në Kosovë? Me fjalë të tjera, a do të klasifikohet fluturimi si një shërbim vendas ose ndërkombëtar?

Megjithatë, pa marrë parasysh çështjet teknike që lidhen me lirinë e lëvizjes, arritja e kësaj marrëveshjeje reflekton një zhvendosje të madhe të potencialit nga ana e ‘lehtësuesve.’ Kjo tregon gjithashtu se ndërkohë që taksa 100 përqindëshe e vendosur nga Qeveria e Kosovës në nëntorin e vitit 2018 e ka stopuar dialogun e lehtësuar nga BE- janë Bruksel, nuk e ndërpreu komunikimin e tërësishëm midis dy shteteve.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur me këmbëngulje se dialogu nuk do të fillojë derisa Prishtina të heq taksën 100 përqindëshe, ndërsa kreu i Zyrës së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka deklaruar të hënën se fluturimet midis Beogradit dhe Prishtinës nuk do të operojnë derisa të hiqet taksa dhe të rifillohet dialogu i Brukselit.

Sidoqoftë, roli i BE-së në përfundimin e një zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë tani duket më e dobët se kurrë, ndërsa ndikimi amerikan po rritet.

Kundër një sfondi të një rëndësie të kufizuar gjeopolitike të BE-së përtej një tregu unik, një Komision i sapokrijuar i BE-së si dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së me mandat të dobët i udhëhequr nga një mosnjohës i zëshëm i Kosovës, emërimi i Grenell nga Presidenti Trump dhe kjo marrëveshje pasuese, reflektojnë një porosi të qartë të përfshirjes së ripërtërirë të SH.B.A.-së në këtë proces.

Duke e ndërmarrë një administratë anashkaluese dhe të njëanshme brenda BE-së, SH.B.A. ka treguar qartë se dëshiron rezultate dhe i dëshiron ato shpejt. Ndërkohë që, asnjë institucion i BE-së nuk ka reaguar publikisht në lidhje me lajmet për marrëveshjen e djeshme, Presidenti Trump, aktualisht në një betejë për shkak të një procesi akuzash (impeachment) dhe polemikash në lidhje me veprimet në Iran, e përshëndeti marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë si dhe fuqinë  diplomatike të administratës së tij përmes llogarisë së tij në rrjetin social Twitter.

“Të gjithë kanë thanë se nuk mund të bëhet. Mirëpo për herë të parë brenda një gjenerate do të bëhen fluturime direkte midis Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Faleminderit Ambasadorit @WHNSC Robert O’Brien dhe Ambasadorit  Richard Grenell! ”

Me pak informacione të bëra publike në lidhje me mënyrën se si është arritur kjo marrëveshje apo përmbajtja e saj, Instituti Demokratik i Kosovës, derisa e vlerësoi angazhimin e SHBA për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë transparente dhe të përgjegjshme me publikun, me qëllim që të sigurohet besim në procesin e normalizimit.

Duke mos zbuluar detaje të mëtejshme, marrëveshja është përshëndetur nga Kryeministri në largim i Kosovës Ramush Haradinaj si dhe presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, që të dy këta të prirur të riforcojnë pozicionin e tyre si kryenegociatorët e një marrëveshje përfundimtare midis dy vendeve.

Ashtu sikurse Lëvizja Vetëvendosje, edhe LDK kane folur për nevojën e rishikimit të rolit të presidentit të Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mirëpo vonesat për formimin e një qeverie i ka zënë ata edhe me një marrëveshje tjetër të mbështetur nga Thaçi, Vuçiq dhe amerikanët duke u përfshirë në secilën negociatë të rifilluar.

Tani i mbetet qeverisë së ardhshme të Kosovës të përcjellë implementimin e zotimeve të nënshkruara në Berlin, dhe ky veprim i fundit duhet të shërbejë si një alarm për Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK. A janë serioze këto dy parti në zotimet e tyre për të ndryshuar rrjedhën e dialogut? Tani është koha të vendosim rripin e sigurimit dhe të bëhemi pjesë e ekuipazhit, përndryshe ata do të mbesin në sektorin e ulëseve të lira gjatë fluturimit të parë nga Prishtina për në Beograd.

 

Donika Emini është studente e doktoraturës në marrëdhënie ndërkombëtare dhe politikës në Universitetin Westminster. Ajo është Drejtore Ekzekutive e Platformës CivKos dhe anëtare nga Ballkani e Grupit Këshillëdhënës të Politikave të Evropës (BiEPAG).

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.