Foto: Ilustrim

Kur shpifja ju shpallë vrasës

Një krim i rëndë ditë më parë tronditi Gjilanin. Atje, në qendër të qytetit, ndodhi një vrasje e rëndë ku ka dyshime të forta se tre persona privuan nga jeta një person tjetër që punonte si taksist. Por, ky krim shpërfaqi edhe një herë lehtësinë me të cilën mund t’i shkaktohen dëme të pariparueshme një personi, apo personave të cilët mbase fare nuk janë të përfshirë në një krim.

Krejt natyrshëm një vrasje që ndodhi më 12 shtator në qendër të qytetit të Gjilanit mori vëmendjen e mediave në përgjithësi, por të atyre online në veçanti. Mbase “sytë” u drejtuan nga kjo ngjarje edhe për faktin e mënyrës së kryerjes së kësaj vrasje.

Por, jo shumë kohë nga momenti i krimit filluan që në publik të dalin informata se kush është i dyshuar për kryerjen e tij. Në thumb u vu emri i L.J, një personazh jo i panjohur për sistemin e drejtësisë.

Emri i tij, që përmendej si i dyshuar për përfshirje në këtë rast, vërshoi më pas të gjitha mediat online natën kur kishte ndodhur krimi.

Ndërkohë, veprimet hetimore të policisë shpejt sollën në pranga tre persona si të dyshuar për kryerjen e vrasjes në qendër të Gjilanit. Vendimi i Gjykatës Themelore të Gjilanit për caktim të masës së sigurisë zbardhi pjesërisht edhe identitetin e të dyshuarve.

“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve F. O., G. B. dhe I. V.”.

Pra, inicialet L.J nuk figuronin në këtë vendim gjyqësor.

Organet e rendit nuk gjetën elemente të përfshirjes në këtë krim të personit të lartpërmendur.

Në këtë mënyrë pra L.J i shpëtoi prangave të policisë, por nuk i shpëtoi linçimit publik. Emri i tij u bë shumë i përfolur në mediat online dhe me këtë atij konsideroj se iu shkaktua një dëm i pariparueshëm, në kuptim të integritetit të tij moral dhe personal (pavarësisht të kaluarës së tij).

Por, shtrohet pyetja çka tutje?

I dëmtuari në këtë rast e gëzon të drejtën ligjore që të parashtrojë padi civile për kompensim të dëmit. Por, çka “fiton” me këtë? Sorollatje poshtë e lart nëpër dyert e gjykatave, të cilat për ta trajtuar një padi të tillë dhe për të ardhur tek një vendim meritor marrin vite të tëra. Pra, si mund të kompensohet dëmi që një personi iu shkaktua me një raportim të pasaktë që cenon nderin dhe integritetin e një personi?

Kjo në sistemin e drejtësisë në Kosovë është një gjë që lë shumë për të dëshiruar. Ndonëse baza ligjore ekziston kohëzgjatja që merr një procedurë gjyqësore për ta trajtuar një lëndë është demotivim i plotë për palët për të iniciuar një padi.

Prandaj, një prej faktorëve të cilët nxisin që me “lehtësi” raportimet të përmbajnë fyerje, shpifje dhe dezinformata është edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Ndonëse ana ligjore e mbulon këtë pjesë përmes “Ligjit kundër Shpifjes dhe Fyerjes” është sistemi gjyqësor që i demotivon palët për të ushtruar të drejtat e tyre ligjore, kundër këtyre dukurive të pahijshme. Në gjykatat e vendit janë mbi 100 lëndë të Shpifjes e Fyerjes që presin epilogun përfundimtarë.

Vlerësoj se sikur të ekzistonte një sistem gjyqësor efikas për t’i trajtuar me prioritet lëndët e natyrës civile në përgjithësi, ku përfshihen edhe paditë për shpifje dhe fyerje, situata do të ndryshonte drastikisht për të mirë. Madje do të ndikonte edhe në rritjen e profesionalizmit edhe të mediave tradicionale, por edhe të atyre online.

Në ndërkohë, çfarë mund të bëhet që palët e përfshira të mos kenë nevojë që t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar të drejtën e tyre ligjore, pasi të kenë qenë pre e ndonjë shpifje apo fyerje?

Këto situata do të mund të parandaloheshin mbase përmes një “vet-kontrolli” edhe të mediave. Kjo do të mund të bëhej përmes filtrimit të lajmeve dhe mosngutisë për të plasuar në “tregun” medial një lajm i cili nuk është konfirmuar në linja zyrtare, apo edhe përmes burimeve kredibile. Kjo domosdoshmërisht nënkupton angazhimin e personelit të kualifikuar brenda redaksive, që do të mundësonte kontrollin efikas dhe profesional të shkrimeve para se ato të publikohen.

Një situatë e tillë do ta rriste edhe kredibilitetin e mediave në Kosovë, jo vetëm të atyre online por edhe të mediave tradicionale në përgjithësi.