Ilustrim

Kur infodemia dëmton shëndetin: Dezinformatat për COVID-19, shkaktar për vdekje njerëzish

Më 2 shkurt 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë u deklarua për herë të parë për infodeminë, një tjetër rrezik për shoqërinë globale. Në raportin e 13-të për COVID-19, OBSH-ja, për herë të parë veçoi rrezikun nga infodemia, si një fenomen që shumë shpejt u përshkallëzua në një nivel që kërkon trajtim serioz nga institucionet dhe nga vetë shoqëria. Në fund të qershorit, Organizata Botërore e Shëndetësisë mbajti konferencën e infodemiologjisë. Ekspertë nga mbarë bota dhe të fushave të ndryshme diskutuan nga shtëpitë dhe nga zyret e tyre, pra në distancë e online.

Sot, pas gjashtë muajsh, krahas pandemisë, COVID-19, mbarë bota po ballafaqohet edhe me infodeminë, e cila gjithashtu ka marrë edhe jetë njerëzish. Infodemia është e rrezikshme atëherë kur njerëzit besojnë një dezinformatë dhe marrin veprime duke u mbështetur në ato informacione të pasakta që i kanë marrë. Pas qarkullimit të dezinformatës se pirja e alkoolit mund të kurojë ose parandalojë koronavirusin, 700 persona kishin vdekur në Iran prej helmimit nga alkooli, pasi kishin konsumuar alkool që shitet kontrabandë, në përpjekje për të trajtuar koronavirusin. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një person në Arizona kishte vdekur pasi kishte pirë hidroksiklorinë, substancë për të cilën, Presidenti Trump në një konferencë për shtyp kishte thënë se ka efekte pozitive në trajtimin e koronavirusit, ndërkaq në fillim të korrikut, ky medikament ishte shpallur joefektiv ndaj COVID-19 nga OBSH-ja. Dezinformata kishte epilog humbje jete edhe në Indi, kur pas thashethemeve se muslimanët po përhapnin sëmundjen, ishte sulmuar një djalë musliman dhe në përleshje kishte humbur jetën një person. Pra, njerëzit kanë humbur jetën duke besuar në informacione të pasakta, duke marrë këshilla gjoja mjekësore, ndërkaq, një pjesë e madhe e njerëzve, gjithashtu, minimizon gjasat për të mbijetuar duke menduar se koronavirusi nuk është i vërtetë ose i rrezikshëm. Kjo e dyta është shumë e shprehur në shoqërinë tonë.

Fatmirësisht, në vendin tonë nuk kemi shënuar ndonjë rast të tillë fatal, ndonëse edhe shoqëria jonë ishte dhe vazhdon të ballafaqohet me numër të madh dezinformatash. Te ne, për një kohë, limoni ishte produkti i dytë më i shitur në markete, pas miellit. Kjo ngritje në shitjen e limonit ishte si pasojë e shpërndarjes së dezinformatës se pirja e limonit me ujë të nxehtë të mbron nga koronavirusi. Përqindja e lartë (30%) e atyre që nuk besojnë se ka COVID-19 në Kosovë, është një tjetër tregues se dezinformata ka luajtur rol, jo si faktor i vetëm në krijimin e këtij mosbesimi, mirëpo, gjithsesi, si njëri prej faktorëve kyç.

Lirimi i menjëhershëm i masave në fillim të qershorit dhe kjo shkallë e lartë e mosbesimit për ekzistencën dhe rrezikshmërinë e COVID-19, që ka çuar në mosrespektim të tri masave bazike, ka ndikuar në rritjen enorme të numrit të të infektuarve në Kosovë dhe ka krijuar një situatë që po vë në pikëpyetje kapacitetet e shtetit dhe të institucioneve shëndetësore për ta përballuar atë. E tërë kjo, e shoqëruar me dezinformata të ndryshme që qarkullojnë, kërkojnë shumë vëmendje e kujdes nga të gjithë.

Larja e shpeshtë e duarve, mbajtja e distancës fizike dhe vënia e maskave janë tri masat bazike për pandeminë, ndërkaq ndaj infodemisë, duhet ta përdorim ‘vaksinën’ me tre hapa që e kemi prezantuar më herët: A është burimi i besueshëm?, a është raportuar ky lajm edhe në një media tjetër?, dhe, a mbështetet në burime zyrtare? Pra, mjafton t’i kemi gjithnjë në mendje këto tri pyetje për t’u mbrojtur nga infodemia.

 

Dren Gërguri është Asistent në Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës