Kur Dashuria Shndërrohet në Dhunë

Një grua viktimë e dhunës në familje, protagoniste e emisionit “Drejtësia ne Kosove” ishte shkas për ketë shkrim. Gruaja që ishte maltretuar nga prindërit e burrit të saj, e tregoi tmerrin që kishte përjetuar për dy vite me radhe. Dëshmitarja tregon në emision se si është keqtrajtuar nga familja e burrit të saj dhe se si institucionet kosovare kanë dështuar që ta adresojnë ketë çështje në mënyre profesionale. Kjo tregon se institucionet kosovare në mënyre indirekte e përkrahin dhunën në familje duke dërguar mesazh tek ata ose ato që kane tendenca të dhunës, se edhe nëse përdorin dhunë asgjë nuk do t’ju ndodhë, as nga policia, as nga gjykatat dhe as nga shërbimi social.

Duhet së pari ta kemi parasysh se si definohet dhuna ndaj gruas sipas Kombeve te Bashkuara: “çdo akt i dhunës me bazë gjinore që rezulton, ose ka të ngjarë të rezultojë në dëmtim fizik, seksual ose mendor apo vuajtje të grave, duke përfshirë edhe kërcënime për akte të tilla, detyrimin apo privimin arbitrar të lirisë, të ndodhura në publik ose ne jetën private”.

Në ketë rast është e rëndësishme të reflektojmë rreth sistemit dhe se si perceptohet dhe menaxhohet dhuna ndaj gruas dhe dhuna në familje në Kosovë. Fillimisht duhet ndryshuar gjerat që shumë herë e ofendojnë viktimën në vend që t’i ndihmojnë. Duhet që profesionistet të kujdesen për gjuhen që përdorin kur tentohet të shpjegohen gjërat. Ta quash dhunën në familje si “tragjedi familjare” apo “mosmarrëveshje” është e gabuar. Kur neutarlizohet gjendja me kësi lloj termesh atëherë humb edhe esenca e problemit që faktikisht ka të bëjë me një viktimë dhe ushtruesin e dhunës. Dhuna në familje nuk është një problem i dyanshëm por esenca e kësaj problematike është që kemi një person (zakonisht gruaja) që pëson dhunë prej një tjetër personi që zakonisht është burri, por në shumë raste edhe prej familjes të burrit siç e kemi këtë rastin që është trajtuar në emisionin në fjalë. Është e rëndësishme të cekim që ka edhe burra që pësojnë dhunë në familje, sidomos psikike, por sipas statistikave më e shpeshtë është që gruaja është viktimë e dhunës.

Problematika e dhunës ndaj gruas tejkalon shumë herë edhe kufijtë e Kosovës. Ka pasur shumë raste kur femrat nga Kosova kanë gjetur dashurinë e tyre jashtë Kosovë dhe kanë përfunduar viktima të dhunës në vendin ku kanë emigruar. Derisa këto gra presin për qëndrimin permanent në shtetin e ri (ku vendimi për qëndrim merr kohë prej 2 deri ne 5 vite), ato janë sulmuar në mënyrë psikike dhe fizike. Duke mos e njohur gjuhen, kulturën, mungesa e familjes dhe e shoqërisë i bën këto raste shumë të ndjeshme dhe shpeshherë këto gra mbesin pa përkrahje dhe pa shpresë. Por disa gra që kanë arritur të ikin nga këto marrëdhënie të dhunshme dhe i janë drejtuar sistemit kanë marrë ndihmën e duhur profesionale. Në Suedi, në gjykatën suedeze kanë qenë disa raste kur shqiptaret janë dënuar për keqpërdorimin e grave të tyre, te cilat i kanë marrë në Kosovë. Edhe shumica e këtyre rasteve kanë pasur më shumë ushtrues dhune sesa vetëm burrin. Ndaj tyre kanë ushtruar dhunë edhe vjehrrit e tyre. Kjo është shumë dëshpëruese kur shpesh viktimat janë të tronditura se si mund t’ju ndodhë kjo në “parajsën” që ato e kanë menduar se do të jetojnë.

Organet institucionale ne Suedi janë të obliguara jo vetëm për të hetuar por edhe për te ndjekur dhe dënuar kryesit e veprave të dhunës në familje, gjë që ka ndodhur në shumë raste.  Gratë qe shpëtojnë nga dhuna në familje janë falënderuese ndaj sistemit dhe njerëzve profesional që veprojnë sipas ligjit dhe kanë njohurinë e duhur për problematiken, prandaj edhe rezultatet nuk mungojnë. Një grua shqiptare që është viktimë e dhunës në familje në Suedi, merr ndihmë nga  shërbimet sociale, nga mjekësia, strehimi i grave, policia por nganjëherë edhe nga fqinjët të cilët solidarizohen me viktimën dhe i ndihmojnë asaj të jetojë pa dhunë.

Fëmijët pësojnë më së shumti

Në rastin konkret është e befasuese se në këtë emision nuk flitet nga ana e institucioneve për pasojat që fëmija ka pësuar në krejt ketë situate. Kjo tregon që institucionet kosovare nuk e kanë të brendësuar aspektin se si një fëmijë mund të pësojë pa fajin e tij në një çështje të rriturish, prandaj është me rendësi që institucionet ta kuptojnë dhe të gjejnë mënyrat se si të trajtojnë fëmijët në një familje ku ka dhunë.

Perspektiva e fëmijëve që jetojnë në familje aty ku nëna e tyre është subjekt dhune në marrëdhënie bashkëshortore duhet gjithsesi të merret parasysh nga autoritetet shtetërore. Sipas ligjeve suedeze konsiderohet fëmija si viktimë, edhe pse ai personalisht nuk ka përjetuar dhunë fizike, ajo psikike mjafton.  Atyre fëmijëve ju garantohet automatikisht dëmshpërblimi.
Organet në shtetin suedez që merren me ketë çështje, kryesisht shërbimet sociale, i japin shumë hapësirë fëmijës dhe sipas rregullave fëmijët dëgjohen disa herë. Kjo bëhet me qëllim që fëmija të ndjejë që ka ndihmë në organet shoqërore por dhe organet dëshirojnë ta kuptojnë se çka ka përjetuar fëmija. Zakonisht organet bëjnë edhe një vlerësim se a i duhet fëmijës ndonjë ndihme speciale p.sh. ndihmë psikologu.

Pse ndihma për fëmije ka vlerë jashtëzakonisht të madhe? Dy arsye sipas ekspertëve janë:  (1) asnjë fëmije nuk meriton të jetojë në një familje të dhunshme, (2) Ndikimi afatgjatë që mund të ketë tek zhvillimi i fëmijës. Aspekti i parë do të thotë që pasi që fëmijët nuk i zgjedhin familjen fëmija mbetet i pafuqishëm. Kjo d.m.th që ai nuk ka ndonjë të drejt të “vetos”. Aspekti i dytë që ndoshta është edhe më i rëndësishëm është fati që ajo çfarë ndodhë në familje luan një rol të madh në zhvillimin personal tek fëmija. Në njërën anë fëmija mundet të ketë pasoja emocionale kurse në anën tjetrën ai mëson që rruga për t´i zgjidhur konfliktet në familje është përmes dhunës. Kjo do të ndikojë tek ai kur te rritet dhe kur ai krijon familje.

Përfundimisht mund të ceket se derisa institucionet tentojnë të luftojnë për më shumë barazi gjinore ato humbin disi konceptin se fillimi i kësaj fushe është të luftohet për drejtat fundamentale të njeriut. Institucionet kosovare nuk mund të punojnë me struktura gjinore në nivelin makro kur struktura mikro harrohet. Kur një grua nuk ka qetësi dhe një harmoni brenda katër mureve te shtëpisë, barazia gjinore në nivelin makro nuk i duhet. Barazia gjinore ka kuptim kur gratë jetojnë qetë dhe pa dhunë në shtëpitë e tyre.

(Autorja është magjistër shkence në të drejtat e njeriut. Ajo punon si udhëheqëse e sektorit kundër dhunës në familje në rajonin e Jönköping-ut në Suedi).