Ilustrim

Kufijtë e fantazisë dhe Covid-19

“Është me rëndësi që paraprakisht ta bëjmë dallimin mes socializimit dhe manipulimit. Madje kjo e fundit, e quajtur edhe si shkenca e manipulimit është paraqitur në shekullin tonë dhe në mënyrë sistematike, ka filluar të përdoret në vitet e shtatëdhjeta”.

Bekim Sele – Doktor i Arteve

 

A jemi vërtetë të vetëdijshëm ndaj gjithë këtyre situatave të cilat u krijuan ditëve të fundit si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19, apo para së gjithash, ne do të duhej të mësohemi të veprojmë dhe të marrim vendime të drejta, për t’u përshtatur në mënyrën më të kujdesshme situatave të panikut që tashmë kanë përfshirë edhe shoqëritë më të avancuara në mbarë Botën?!

Pothuajse te secili njeri, përgjatë këtyre ditëve, kufijtë e joreales – fantazitë dhe ëndrrat, janë shndërruar në komunikime të çastit.

Sot secili është më ndryshe se dje!

Zërat e frikës dhe manipulimit paraqiten e shfaqen nga kushdo e kudo!

Predikimet politike dhe mediatike, nuk kanë të ndalur. Dikush nga andej porosit se: Ajo që ndodhi sot, nuk do të ndodh nesër!

Më një fjalë, për të nesërmen, secili ka një ide të fuqishme në kokën e tij, bile as që pranon që dikush t’ia hedh poshtë. Siç edhe shihet, tanimë kemi hyrë në botën e fantazisë, një aftësi krijuese e psikës sonë, kufijtë e së cilës, nuk kanë të ndalur.

Kur jemi te fantazia dhe manipulimi, është me rëndësi që paraprakisht ta bëjmë dallimin mes Socializimit dhe Manipulimit.

Madje kjo e fundit, e quajtur edhe si ‘shkenca e manipulimit’, është paraqitur në shekullin tonë dhe në mënyrë sistematike, ka filluar të përdoret që nga vitet e shtatëdhjeta.

Lidhur me këtë tematikë, ne mendojmë se një kontribut të çmueshëm ka dhënë edhe autori kroat Gjuro Shushnjiq në librin e tij “Peshkatarët e shpirtrave njerëzorë”.

Mes tjerash ai shtjellon dhe paraqet ide filozofike, psikologjike dhe sociologjike mbi idenë e manipulimit dhe mashtrimit që i behët NJERIUT të ditëve tona.

Është momenti dhe koha, që këto ide, t’i ndajë me secilin lexues, që ka vullnet e dëshirë, që të informohet për këto dallime mjaft të rëndësishme.

Shushnjiq vazhdon shtjellimin, mes tjerash ai analizon, shkruan se si dallimi midis socializimit dhe manipulimit nuk është dallimi në shkallë, por është më shumë në dallimin në lloj/tip.

Ai që socializon, shfaqet për të mësuar të tjerët se si mund të mendojnë (besojnë, vlerësojnë, bëjnë).

Ndërsa ai që manipulon, përpiqet t’i shtyjë të tjerët të mendojnë ashtu siç mendon (beson, vlerëson, bën) ai vet.

 

Ai që socializon, ofron qëndrimet (aksiomat, faktet) për të cilat ekziston një ujdi e përbashkët / Ai që manipulon, ka gjithnjë përpara diçka për të cilën nuk ekziston ujdia e gjithmbarshme (ai tani dëshiron ta krijojë këtë).

Ai që socializon, paraqet alternativat / Ai që manipulon, përpiqet që t’i eliminojë alternativat.

Ai që socializon, i mëson të tjerët të dyshojnë edhe tek ato gjëra që atyre u duken të padyshimta / Ai që manipulon, i shtynë të tjerët që të mos dyshojnë te ato gjëra që janë të dyshimta.

Ai që socializon, përdorë të dhëna të verifikuara / Ai që manipulon, i keqpërdorë të gjitha të dhënat (prandaj nuk bëhet fjalë për mungesë evidence).

Ai që socializon, gjykon me arsye / Ai që manipulon, gjykon pa arsye.

Ai që socializon, ndërton autoritetin racional / Ai që manipulon, imponon autoritet irracional.

Ai që socializon, nuk përcakton se çfarë do mendojnë të tjerët për një gjë të caktuar / Ai që manipulon, i shtynë të tjerët të mendojnë ashtu siç ai dëshiron që ata të mendojnë.

Ai që socializon, ofron ide / Ai që manipulon, imponon ideologjinë.

Ai që socializon, mund të përhapë të pavërteta në mënyrë të pavetëdijshme / Ai që manipulon, me vetëdije përhapë gënjeshtra ose gjysmë të vërteta.

Ai që socializon, përcjellë te të tjerët njohuri të reja / Ai që manipulon, rrënjos bindje te të tjerët.

Ai që socializon, hynë në një marrëdhënie mësimi reciprok / Ai që manipulon krijon raportin i fortë – i dobët.

Ai që socializon, ofron të vërtetën si mesazh / Ai që manipulon, e ofron mesazhin e tij si të vërtetë.

Qëllimi i atij që socializon është që të tjerët të mësojnë gjëra të rëndësishme në lidhje me diçka / Qëllimi i atij që manipulon është t’i shtyjë të tjerët të besojnë se ajo që ai po thotë për një gjë është e rëndësishme për ta, si dhe t’i bëjë të besojnë se është e mirë për ta.

Ai që socializon, ka si qëllim që të zgjerojë njohuritë e subjekteve të tij / Ai që manipulon, e ka të rëndësishme të ngushtojë mundësitë racionale të objekteve të tij.

Ai që socializon, dëshiron të zhvillojë ndjenjën, nevojën për liri dhe për dinjitet të personalitetit / Për atë që manipulon, liria dhe dinjiteti paraqesin vështirësi të mëdha.

Ai që socializon, ka para vetës një qëllim të plotë (formimin e një personaliteti të plotë) / Ai që manipulon ka para vetes një qëllim të pjesshëm.

Ai që socializon, sqaron qëndrimet / Ai që manipulon, përpiqet t’i forcojë ose t’i ndryshojë qëndrimet ekzistuese.

Ai që socializon, zhvillon shijen dhe nevojat e audiencës / Ai që manipulon, nxit shijet dhe nevojat e turmave.

Ai që socializon, zhvillon mundësitë e njerëzve për të krijuar (realizimi i mundësive të tyre) / Ai që manipulon, i përgatit ata që të jenë konformistë.

Ai që socializon, formon shpirtra të hapur / Ai që manipulon, formon një vetëdije të mbyllur.

Ai që socializon, zhvillon aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur / Ai që manipulon, i bën njerëzit të varur.