Ilustrim

Ku jemi me analizën e gjakut për antitrupat e coronavirusit?

Të gjejmë kush e ka kaluar coronavirusin, me ose pa shenja COVID, dhe tani ka antitrupa mbrojtës ndaj tij. Pra, kush nuk është më infektues ndaj të tjerëve dhe është i mbrojtur, nuk sëmuret më…, pra të dalë të punojë. Me analizën e gjakut, testin e antitrupave, do të kuptohet edhe si përhapet coronavirusi dhe sa është prevalenca e tij në popullsi (përqindja e njerëzve). Kjo një ndihmë e madhe për masat e shëndetësisë publike në ndalimin dhe shuarjen e epidemisë (public health measures for mitigation and supression). Testi i gjakut me antitrupa (quhet edhe testi sierologjik) nuk bën dot diagnozë kush është infektuar. Për këtë shërben vetëm testi i tamponit. Testi i antitrupave do të tregojë kush e ka kaluar infeksionin e coronavirusit.

Testet e antitrupave që janë ofruar janë me dhjetra, mbase mbi 100. Në ShBA organi rregullator FDA ka dhënë leje që këto teste të verifikohen me rrugë emergjence për një muaj, a janë të besueshëm (validation). Normalisht duhen të paktën 6 muaj për validation. Po thuhet në ShBA që besojnë se në muajin maj do ta kenë testin që fuksionon.

Por, testet e ndryshme, në prova, deri tani nuk kanë dalë të besueshme: Britania e Madhe bleu 4 milionë kite të këtyre testeve, por nuk tregoi sa marka të ndryshme bleu dhe cilat janë ato. Pas kontrollit për verifikim (validation) gjeti se janë të pabesueshëm (unreliable), nuk mund të përdoren.

Gjermania ka thënë që do të japë certifikatë pune për ata që do ta kenë pozitiv testin e antitrupave për coronavirus, por për të arritur te kjo, thanë, mund të duhen muaj.

Në Itali, Komiteti Tekniko-Shkencor për epideminë tha që deri tani testet që janë provuar nuk kanë qenë të kënaqshëm (soddisfacenti). Verifikimi (validazione) po vazhdon. Megjithatë, duke shfrytëzuar të drejtën e autonomisë së vendimarrjes për shëndetesinë, rajoni i Venetos dhe i Toskanës kanë thënë që do të bëjnë testet edhe pse këto kanë falls pozitive të konsiderueshme. Janë të dëshpëruar për gjendjen e rëndë shëndetësore dhe ekonomike.

A lë imunitet mbrojtës (antitrupa) kalimi i coronavirusit?
Për këtë nuk kemi të dhëna shkencore të mjaftueshme dhe ata që e kundërshtojnë sjellin si shembull rastet e rralla të disa pacientëve që duket sikur janë sëmurë me COVID për herë të dytë. Por këto janë anektoda dhe anektodat nuk janë evidencë shkencore.

Ka shpjegime të shumta pse ndodhi kjo te këta pacientë të rrallë. Ekspertët janë të mendimit që kur kalon coronavirusin SARS-CoV-2 të mbetet mbrojtje ndaj tij me antitrupa që zgjat ose përgjithmonë ose për të paktën disa muaj – një vit. Me kalimin e kohës do të gjendet evidencë shkencore për këtë.

Kur të kemi testin e gjakut të antitrupave do të jetë ajo që quhet “a game changer” d.m.th. ndryshon muhabeti komplet, p.sh. do të dimë cili doktor ose infermier ka mbrojtje dhe mund të punojë i parrezikuar me pacientë me COVID. Më gjerë do të dimë kush ka imunitet nga coronavirusi dhe mund të hapen fabrikat dhe ndërmarrjet. Po na shkatërrohet ekonomia.

Një shok sipërmarrës (imprenditore) më merr në telefon e më pyet si po shkon, sa do të zgjasë? Më thotë: “qui o moriamo di coronavirus o moriamo di fame” (ose do të vdesim nga coronavirusi ose do të vdesim nga uria). Ai dhe shokët e tij rrezikojnë falimentimin. Të githë duam të punojmë. Kush nuk punon nuk ha. Na duhet testi i antitrupave. Me urgjencë! Por ama i besueshëm.

Të gjithë janë në konkurencë midis tyre për të blerë testet e tamponeve dhe reagentet e tyre, për të cilat ka kërkesë të madhe dhe mungesa të shumta edhe në vendet më të pasura (ShBA, shtetet europiane, etj.). Shpresojmë të këtë prodhim të shpejtë dhe me sasi shumë të madhe të testeve të antitrupave në të ardhmen kur ato do të kërkohen siç kërkohen sot tamponet.

 

Dr. Hektor Grazhdani, PhD, mjek në Romë, Itali.

(Burimet e informacioneve: Science (ScienceMag), Nature, Axios, NBC, BBC, Conferenza stampa Protezione Civile e Comitato Tecnico-Scientifico)