“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.

Kryeministri Kurti viziton "Etno Fest"-in në ditën kur u promovua libri “Qamili i Vogël - Këngëtar i madh” dhe u dha shfaqja “Audienca”

Qamil Muhaxhiri, i njohur edhe si Qamili i Vogël, shkroi si një poet edhe pse ishte autodidakt. Ndonëse nuk u shkollua për solist, ai ishte këngëtar profesionist. Ai nuk ishte kompozitor, por kishte kompozuar këngë të mrekullueshme.

Në “Etno Fest 2024”, më 16.08.2024, u përurua libri “Qamili i vogël – këngëtar i madh” i autorëve Sylejman Salihu dhe Salih Berisha. Libri pasqyron jetën dhe veprën e Qamilit të Vogël, në katër pjesë.

Në fjalë rasti që u mbajtën në promovim doli një vlerësim unik se Qamili i Vogël (Qamil Muhaxhiri) ishte artist poliedrik.  Portreti i tij ka mbetur i gravuar si kujtesë muzikore që me ëndje dëgjohet edhe sot. Mbetet artist muzikor i patejkalueshëm. Ai nuk ka qenë vetëm këngëtar i madh, por emër i madh në të gjitha aspektet e veprimtarisë së tij deri te vlerat njerëzore.

Pas mendimeve për librin dhe veprimtarinë e Qamilit të Vogël,  Ansambli “Qamili i Vogël” interpretoi këngë të Qamilit të Vogël, ndër to “Kadaldal o po vjen pleqnia”, një këngë emblematike e këtij rapsodi.

Gjatë koncertit në amfiteatrin e vogël erdhi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar me ministra e deputetë të Kuvendi të Kosovës.

Koncerti vazhdoi me këngë të cilat i kënduan edhe spektatorët.

Orkestra ishte sajuar nga  instrumentistë që kishin ardhur nga vende të ndryshme të Europës.

Nikoqirja e festivalit, aktorja Sheqereie Buçaj, në kujtim të motrës Kumrije Buçaj, talentin e së cilës e kishte zbuluar Qamili i Vogël, këndoi këngën “Kur dola te dera”.

Kjo ringjallje e trashëgimisë në kuptimin vleror të saj s’ka se si të mos i atribuohet “Etno Festit” si një medium, ku po gjejnë hapësirë grupe, ansamble e kultivues individualë të traditës, riteve e këngëve.

Tash e sa vjet në “Etno Fest” përshfaqet edhe arti kontemporan, shfaqjet me elemente koreografike me t’ tharëm etnik.

Kryeministri Kurti pasi përcolli koncertin e grupit “Qamili i Vogël” vizitoi galeritë e “Etno Fest”-it.

“Etja” për art si etje për jetë

Sivjet në qendër ishte laboratori i Grotovskit, një përvojë e jashtëzakonshme e aktorëve dhe vijuesve të tjerë të laboratorit.

Artisti italian Mario Biagini gjatë procesit ndërtoi edhe shfaqjen “Etja”, një tekst ese për aktorin dhe aktrimin në temën e etjes për jetë, për shprehje në skenë dhe status në shoqëri. Pa dyshim laboratori Grotovski në “Etno Fest” e sivjemë zë vend prioritar.

“Audienca” e V. Havelit, apo mekanizmi i pushtetit komunist, shfaqje e teatrit “Bekim Fehmiu”

Një popull të dehur nga pija e kotësisë dhe adhurimit bosh nuk ke pse bën teatër. Në një dialog në birrari natyrisht që shkrimtari është inferior. Birrari teatrin e njeh përmes aktoreve të bukura dhe me kaq përfundon. Pastaj pyetja sa keni fituar në teatër bëhet ironi për statusin material të artistëve.

Sistemi komunist që është në shënjestër të trajtimit të Havelit bazuar në përjetimet e tij, kishte investuar në mosbesim ndaj njerëzve e sidomos intelektualëve, përkatësisht pasigurisë së intelektualëve por edhe të gjithë atyre që nuk kanë qenë pro sistemit. Një mekanizëm ku secili e ka përcjellë e denoncuar tjetrin për ta mirëmbajtur babën siç thuhet sot.

Shfaqja ka disa akcente të ndërtuara bukur me efekte muzikore dhe drita. Çështja e shndërrimit nga i përcjelli në përcjellës jepet bukur në skenën finale të shfaqjes si një epilog. Ata ndërrojnë detyrat derisa tavolina mbetet duke u rrotulluar.

Interpretim ekspresiv i Ernest Malazogut karshi qetësisë së Alban Krasniqit.

Ernest Malazogu nuk lë asnjë vakuum gjatë zhvillimit të personazhit. Ai luan me secilën pjesë të trupit aq sa edhe veprimet foljore i përthyen në detaje në ndërtimin e karakterit.

Në shfaqjen “Audienca” mbase nganjëherë ka sforcime por që gjithëherë përpiqet t’i arsyetojë skenikisht.

Edhe Alban Krasniqi e kishte tipizuar mirë personazhin, i cili nuk kishte shprehje ekspresive s’jashtmi, por ziente dramën brenda dhe këtë dramë ai e nxirrte bindshëm me shikim intonacion derisa veprimet fizike dhe foljore ishin në harmoni karakteriale.

Regjisura e Bashkim Ramadanit e detajuar, me mizanskenë që zbërthente situatat dhe kishte krijuar dramaticitet për të “kap” shqetësimin tek spektatori. Skenografi inventive kishte ambientuar saktë vendngjarjen.

Shfaqja në përgjithësi pati një komunikim shqyrtues dhe nganjëherë komik e relaksues. Pavarësisht disa shkurtimeve të cilat diku-diku e kishin dëmtuar strukturën e tekstit që nganjëherë rezultonte edhe me devijim tematik.

“Etno neja” me artisten Linda Rukaj

Këngëtarja Linda Rukaj, e shkolluar në Paris, vjen në “Etno Fest” bashkë me Armend Xhaferin me një koncert me këngë të përpunuara në zhanrin jazz.

Mysafirët e shumtë u kënaqën me interpretimin e mrekullueshëm të Linda Rukajt ardhja e së cilës sa herë zbret në “Etno Fest” është ngjarje artistike.

Më pastaj pjesëmarrësit i argëtoi DJ Filip, me muzikë të miksuar ritmike që prodhonte kënaqësi që shprehej me vallëzim.

Kërcime, ushqim, takime, biseda, njohje të shumta që nganjëherë bëhen apo janë esenca e bukurisë që ofron “Etno Festi”.

“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.
“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.
“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.
“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.